Kërko

Papa: për mëkatarët ka shpresë për shëlbim, për të korruptuarit nuk ka

Gjatë Engjëllit të Tënzot Papa u ndal te sinqeriteti i atij që fillimisht thotë se do të punojë në vresht dhe më pas nuk shkon, "një person i korruptuar", dhe atij që thotë menjëherë jo, por më pas zgjedh të kthehet e shkon, " një mëkatar" i cili megjithatë punon në dritën e diellit. Pas lutjes mariane, thirrja e Papës për Nagorno-Karabakun, Ukrainë, shpallja e një nisme së bashku me fëmijë nga e gjithë bota, më 6 nëntor dhe e një nxitje apostolike, më 15 tetor, kushtuar Shën Terezës së Lisieux

R.SH. / Vatikan

Para lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar sot në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku komentoi fragmentin ungjillor të kësaj së diele ku Jezusi flet për dy djem, të cilëve babai u kërkon të shkojnë e të punojnë në vresht, me të parin që thotë po, por më pas nuk shkon dhe të dytin që fillimisht refuzon, por pastaj bindet (Mt 21,28-32). Në këto dy figura Papa na fton të shohim ndryshimin midis mëkatit dhe korrupsionit.

Historia e dy djemve të pronarit të vreshtit, sikur na rrëfen Ungjilli i kësaj së diele të 26-të gjatë vitit kishtar, nga Mateu, është një rast për Papën për të kujtuar dallimin mes të korruptuarit dhe mëkatarit. I para nuk ka shpresë, i dyti ka. “Për mëkatarin – shpjegoi Ati i Shenjtë Françesku – ka gjithmonë shpresë për shëlbim; ndërsa për të korruptuarin, është shumë më e vështirë. Në fakt, “po-ja” e tij e rreme, paraqitjet e tij elegante, por hipokrite dhe trillimet e tij të kthyera në zakone e stile të jetës janë si një “mur gome” i trashë, pas të cilit ai ruhet nga thirrjet e ndërgjegjes. Të dashur vëllezër dhe motra – përfundoi Papa – mëkatarë po, të gjithë jemi, por nuk duhet të jemi të korruptuar. Shenjta Mari, pasqyrë e shenjtërisë, na ndihmoftë të jemi të krishterë të sinqertë".

Në vijim fjala e Papës para lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit.

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Sot Ungjilli flet për dy djem, të cilëve babai u kërkon të shkojnë e të punojnë në vresht (shih Mt 21,28-32). I pari përgjigjet menjëherë "po", por më pas nuk shkon. I dyti, përkundrazi, refuzon për momentin, por më pas mendon më mirë dhe shkon.

Po çka të themi për këto dy sjellje? Menjëherë më vjen ndërmend se të shkosh në punë në vresht kërkon sakrificë dhe se të sakrifikohesh kushton, nuk vjen në mënyrë spontane, pavarësisht bukurisë së të diturit që jemi bijë dhe trashëgimtarë. Por problemi këtu nuk lidhet aq me rezistencën për të shkuar në punë në vresht, por me sinqeritetin ose jo sinqeritetin ndaj babait dhe ndaj vetes. Në fakt, nëse asnjëri nga dy bijve nuk sillet në mënyrë të patëmetë, i pari gënjen, ndërsa i dyti gabon, por mbetët i sinqertë.

Le të shikojmë djalin e parë, atë që thotë “po”, por më pas nuk shkon. Ai nuk dëshiron të bëjë vullnetin e babait të tij, por nuk dëshiron të diskutojë dhe të flasë me ne. Pra, ai fshihet pas një "po"-je, pas një pëlqimi të rremë, që fsheh dembelizmin e tij dhe për momentin i shpëton fytyrën. Ai ia del mbanë pa konflikt, por e mashtron dhe zhgënjen të atin, duke mos e respektuar atë në një mënyrë më të keqe se sa do të kishte bërë një "jo"  e thënë drejtpërdrejtë. Problemi i një njeriu që sillet kështu është se ai jo vetëm që është mëkatar, por është edhe i korruptuar, sepse gënjen pa probleme për të mbuluar dhe kamufluar mosbindjen e tij, pa pranuar asnjë dialog apo përballje të sinqertë.

Djali i dytë, ai që thotë "jo" por më pas shkon, përkundrazi është i sinqertë. Nuk është i përsosur, por i sinqertë. Sigurisht, do të kishim dashur ta shihnim të thoshte menjëherë “po”. Nuk është kështu, por, të paktën, ai e shpreh ngurrimin e tij në mënyrë të sinqertë dhe disi të guximshme. Kjo do të thotë se ai merr përgjegjësinë për sjelljen e tij dhe vepron hapur. Më pas, me këtë sinqeritet në themel, ai përfundon duke pyetur veten, duke kuptuar se kishte gabuar dhe duke u kthyer në udhën e drejtë. Ai është, mund të themi, mëkatar, por jo i korruptuar. Dhe për mëkatarin ka gjithmonë shpresë shëlbimi; për të korruptuarin, megjithatë, është shumë më e vështirë. Në fakt, “po-ja” e tij e rreme, paraqitjet e tij elegante, por hipokrite dhe trillimet e tij të kthyera në zakone janë si një “mur gome” i trashë, pas të cilit ai strehohet nga thirrjet e ndërgjegjes.

Le të shikojmë tani vetveten dhe, në dritën e gjithë kësaj, t'i bëjmë vetes disa pyetje. Përballë përpjekjes për të jetuar një jetë të ndershme dhe bujare, për t'u përkushtuar e impenjuar sipas vullnetit të Zotit At, a jam i gatshëm të them "po" çdo ditë, edhe nëse kushton? Dhe kur nuk mund ta bëj, a jam i sinqertë në përballjen me Hyjin për vështirësitë e mia, për rrëzimet e mia, për brishtësinë time? Kur bëj gabime, a jam i gatshëm të pendohem dhe të kthehem në udhën e drejtë? Apo pretendoj se asgjë nuk ka ndodhur dhe jetoj duke u shqetësuar vetëm për t'u dukur i mirë dhe i denjë? Në fund të fundit, a jam unë një mëkatar, si gjithë të tjerët, apo ka diçka të korruptuar tek unë?

Maria Virgjër, pasqyrë e shenjtërisë, na ndihmoftë të jemi të krishterë të sinqertë.

01 tetor 2023, 13:48

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >