Kërko

2023.10.22 Angelus 2023.10.22 Angelus

Papa gjatë Engjëllit Tënzot: “ne i përkasim Zotit, nuk jemi skllevër të askujt!"

Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku, duke shfletuar Ungjillin sipas Mateut (Mt 22,17) preku një temë aktuale për çdo njeri: na kujtoi se nuk i përkasim asnjë realiteti tokësor, asnjë ‘Cezari’ të kësaj bote. Ne i përkasim vetëm Zotit dhe nuk duhet të jemi skllevër të askujt! Ndarja e fesë nga jeta e përditshme është 'skizofreni'

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku: “i krishteri është i thirrur të impenjohet konkretisht në realitetet njerëzore e shoqërore pa kundërvë ‘Zotin’ e ‘Cezarin’, por duke i shndritur realitetet tokësore me dritën që vjen prej Zotit”. Kështu tha Papa Françesku gjatë lutjes së mesditës të Engjëllit të Tënzot, të dielën 22 tetor, duke komentuar fragmentin e Ungjillit të dielës së 29-të gjatë vitit nga Mateu (22,15-21).

Ungjilli i Liturgjisë së sotme nga Mateu - janë fjalët e para të lutjes së Papës -  na tregon sesi disa farisenj bashkohen me herodianët, për t'i ngritur kurthin Jezusit. Ndaj shkojnë tek Ai dhe e pyesin: "A është e ligjshme t'i paguajmë haraç Cezarit, apo jo?":

“Është një mashtrim: nëse Jezusi e quan të ligjshme taksën, domethënë se është në anën e një pushteti politik të padurueshëm nga populli, ndërsa nëse thotë të mos e paguajnë, mund të akuzohet për rebelim kundër perandorisë. Po Krishti i shpëton këtij kurthi. Kërkon t'i tregojnë një monedhë me portretin e Çezarit dhe u thotë: ‘Jepini, pra, Çezarit çka i përket Çezarit, e Hyjit, çka i përket Hyjit”.

Jezusi na mëson t’i vëmë Zotin e Çesarin, në vendin që u takon!

Tejet aktuale, kjo gjegje! Na lind, dashur pa dashur, pyetja: “Çfarë kuptimi ka? Këto fjalë të Jezusit përdoren zakonisht, por ndonjëherë përdoren edhe gabimisht - ose, të paktën, përmbledhtas - kur flasim për marrëdhëniet ndërmjet Kishës e Shtetit, ndërmjet të krishterëve dhe politikës”:

“E shpesh kuptohen sikur Jezusi të donte t’i ndante ‘Çezarin’ dhe ‘Zotin’, pra, realitetin tokësor nga ai shpirtëror. Ndonjëherë edhe ne mendojmë kështu: një gjë është feja, me praktikat e saj, e tjetër, jeta e përditshme. Jo, kjo është ‘skizofreni’, sikur feja të mos kishte lidhje me jetën konkrete, me sfidat e shoqërisë, me drejtësinë sociale, me politikën e kështu me radhë”.

Mësim për t’i vënë Zotin dhe Çesarin secilin në vendin që i takon!

Në të vërtetë, Jezusi dëshiron të na ndihmojë t'i vendosim "Çezarin" dhe "Hyjin" secilin në vendin e vet:

“Kujdesi për rendin tokësor, për polisin, i takon Çezarit - pra politikës, institucioneve civile, proceseve shoqërore dhe ekonomike; edhe ne që jemi të zhytur në këtë realitet duhet t'i kthejmë shoqërisë atë që na ofron, përmes kontributit tonë si qytetarë të përgjegjshëm, duke i kushtuar vëmendje asaj që na u besua, duke mbrojtur ligjin dhe drejtësinë në botën e punës, duke paguar taksat me ndershmëri, duke ia kushtuar veten për të mirën e përbashkët, e kështu me radhë”.

Qeniet njerëzore i përkasin Zotit

Megjithatë, në të njëjtën kohë, Jezusi pohon realitetin themelor:

Njeriu, i gjithë njeriu dhe të gjitha qeniet njerëzore i përkasin Zotit. Kjo do të thotë se nuk i përkasim asnjë realiteti tokësor, asnjë ‘Cezari’ të kësaj bote.

Ne i përkasim Zotit dhe nuk duhet të jemi skllevër të asnjë fuqie. Në monedhë, pra, është fytyra e perandorit, por Jezusi na kujton se fytyra e Zotit është ngulitur në jetën tonë e asgjë dhe askush nuk mund ta errësojë:

“Prandaj, siç kujton Benedikti XVI, ‘të krishterët i japin Cezarit vetëm atë, që i përket Cezarit, por jo atë që i përket Zotit» (Artikulli për "Financial Times", 20.12.2012). Gjërat e kësaj bote i përkasin Cezarit, por njeriu dhe vetë bota janë të Zotit: të mos e harrojmë këtë!”.

Atëherë kuptojmë se Jezusi po e kthen secilin prej nesh në identitetin e vet, duke na pyetur: në monedhën e kësaj bote është portreti i Çezarit, po ju çfarë, portreti keni në shpirtin tuaj? Portret i kujt je ti në jetën tënde? A e mbajmë mend se i përkasim Zotit, apo e lëmë veten të formohemi nga logjika e botës dhe t'i bëjmë punën, politikën dhe paratë idhujt tanë për t'i adhuruar?

Pyetje, që kërkojnë përgjigje, për t’u medituar gjatë, pas lutjes së Engjëllit, të cilën Papa e përfundoi, sipas zakonit, me lutjen drejtuar Virgjërës Mari, pa ndihmën e së cilës vështirë se mund t’i japim gjegje të saktë një pyetje kaq të vështirë:

“Virgjëra e Shenjtë na ndihmoftë ta pranojmë dhe ta nderojmë dinjitetin tonë dhe atë të çdo njeriu”.

22 tetor 2023, 12:25

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >