Kërko

Pope Francis' Angelus prayer Pope Francis' Angelus prayer

Papa në lutjen e Engjëllit: dashuria e Krishtit na shtyn të duam, Shën Nënë Tereza, shembull për të gjithë

Një ditë - kujtoi Papa - Shën Tereza e Kalkutës, e pyetur nga një gazetar nëse, me atë që bëri, besonte se po ia ndryshonte faqen botës, u përgjigj: “Nuk e kisha menduar kurrë se mund ta ndryshoja botën! U përpoqa vetëm të jem një pikë uji i pastër, në të cilin të mund të shkëlqente dashuria e Zotit” (Konferencë për shtyp për dhënien e Çmimit Nobel për Paqe, 1979). Kështu ajo, aq e vogël, mundi të bënte një të mirë kaq të madhe: duke pasqyruar dashurinë e Zotit, si një pikë uji.

R.SH. / Vatikan

Në lutjen e sotme të Engjëllit, kremtuar në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku, duke vijuar shfletimin e Ungjillit sipas Mateut (Mt 22,34-40), na rikujtoi urdhërimin më të madh të Zotit: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde […] e të afërmin tënd, si vetveten” (vv. 37,39)”

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita! Urimi i zakonshëm, që jehon çdo të dielë në Sheshin e madh të Shën Pjetrit, përplot me njerëz: besimtarë e jo, u nis përsëri gëzueshëm nga Ditarja e Engjëllit, i shoqëruar nga një stuhi duartrokitjesh, që u ndërpre sakaq, për të dëgjuar lutjen e kësaj së dieleje, kushtuar më të madhit Urdhërim të Zotit.

Ungjilli sot na flet pikërisht për të! E për të e pyet Jezusin edhe një doktor i ligjit. E Zoti përgjigjet;

“Urdhërimi i madh i dashurisë": “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde […] e të afërmin tënd, si vetveten” (vv. 37,39)”

 Dashuria për Zotin dhe  të afërmin, janë të pandashme - nënvizoi në vijim Papa që, më pas, i ftoi besimtarët të ndalen për të reflektuar dy aspekte të këtij realiteti.

Zoti na paraprin gjithmonë

Fakti që dashuria për Zotin vjen e para, na kujton se Zoti na paraprin gjithmonë e na pret me butësinë e tij të pafund (shih Gjoni 4:19). Fëmija mëson të dashurojë në prehër të nënës dhe të atit të tij, e na e bëjmë këtë në krahët e Zotit: “si fëmija i zvjerdhur në krahët e sëmës”- thotë Psalmi (131.2)

T'ia hapim zemrën Zotit çdo ditë..

“Atje, në krahët e tij, të cilët na ngrenë lart, ne thithim ngrohtësinë dhe dashurinë që mësojmë ta dhurojmë më pas; aty ndeshemi me dashurinë që na shtyn t'u dhurohemi bujarisht vëllezërve tanë. Shën Pali na e kujton këtë kur thotë se dashuria hyjnore e Krishtit ka brenda vetes një forcë që na shtyn të duam (shih 2 Kor 5:14). Gjithçka fillon prej Tij. Vetëm duke e takuar, duke iu dorëzuar dashurisë së tij, bëhemi vërtet të aftë për të dashur. Le të mos rezistojmë, pra, t'ia hapim zemrën Zotit çdo ditë”.

Ta duam Atë, që nuk e shohim, përmes vëllait, që e shohim

Kështu Papa na prin drejt një aspekti të dytë, që del nga urdhërimi i dashurisë. E lidh dashurinë për Zotin, me dashurinë për të tjerët: do të thotë se, duke i dashur vëllezërit tanë, ne pasqyrojmë, si pasqyra, dashurinë e Atit.

Ta duam atë, që nuk e shohim…

Ta reflektosh dashurinë e Hyjit, kjo është çështja - nënvizoi Papa - domethënë, ta duam Atë, të cilin nuk e shohim, nëpërmjet vëllait, që e shohim (shih 1 Gjonit 4:20). E këtë e shpjegoi më pas edhe me një përgjigje të Nënë Terezës, që na tregon qartë se si mund të ndryshohet kjo botë, e cila sidomos këto ditë ka nevojë për ndryshime të jashtëzakonshme.

Përgjigja e Shën Nënë Terezës, shembull për të gjithë

Një ditë - kujtoi Papa - Shën Tereza e Kalkutës, e pyetur nga një gazetar nëse, me atë që bëri, besonte se po ia ndryshonte faqen botës, u përgjigj:

“Nuk e kisha menduar kurrë se mund ta ndryshoja botën! U përpoqa vetëm të jem një pikë uji i pastër, në të cilin të mund të shkëlqente dashuria e Zotit” (Konferencë për shtyp për dhënien e Çmimit Nobel për Paqe, 1979). Kështu ajo, aq e vogël, mundi të bënte një të mirë kaq të madhe: duke pasqyruar dashurinë e Zotit, si një pikë uji. Dhe nëse ndonjëherë, duke e parë atë dhe shenjtorët e tjerë, besojmë se ata janë heronj të paimitueshëm, le të mendojmë përsëri për këtë pikë të vogël dhe le të kujtojmë se edhe ne jemi thirrur të pasqyrojmë dashurinë e Zotit në botë. Si?

“Të hedhim hapin e parë, siç bën Zoti me ne: pa pritur që të tjerët të lëvizin, pa pritur që bota, shoqëria dhe Kisha të ndryshojnë, pa pritur e pa kërkuar njohje”.

Pyetje, që kërkojnë gjegje

Si zakonisht, në përfundim të lutjes së Engjëllit, Papa u drejtoi besimtarëve pyetjet, që vlejnë për t’u medituar gjatë gjithë javës.

Pra, të dashur vëllezër dhe motra -  theksoi - duke menduar për dashurinë e Zotit që na paraprin gjithmonë, mund të pyesim veten: a jam mirënjohës ndaj Zotit, i cili më do i pari? A e takoj Atë çdo ditë, në mënyrë që ta lejoj veten të shndërrohem prej Tij? E pastaj: a mundohem ta pasqyroj dashurinë e tij? Domethënë, a përpiqem t'i dua vëllezërit, veçanërisht më të ligshtit, kë bën gabime e kë më lëndon? A e shlyej nga zemra, me ndihmën e Zotit, lëmashkun e errët të egoizmit, të inatit, ngurtësisë, lidhjes me gjërat, me çka më pengon ta pasqyroj qartë dashurinë e Atit?

Fjala a porosia e fundit e lutjes, si zakonisht, drejtuar Marisë:

“Virgjëra Mari na ndihmoftë ta jetojmë urdhërimin e madh të dashurisë në jetën tonë të përditshme”.

29 tetor 2023, 16:04

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >