Kërko

Papa, murgeshave: shërbimi jo për dukje është më i pëlqyeshëm në sytë e Zotit

Në fjalën, që u drejtoi motrave të vogla të Jezusit, rregulltare të frymëzuara nga përvoja e Charles de Foucauld, Françesku i ftoi të pranojnë sfidën e dashurisë së Krishtit, duke mos u mbyllur në vetvete dhe duke mos ndjekur vetëm rutinën, por duke iu kushtuar nevojtarëve: "Ju nuk jeni murgesha për t’u dukur: sa më të padukshme aq më hyjnore"

R.SH. – Vatikan

         Kërkimi i Zotit, dëshmia e Ungjillit dhe dashuria për jetën e padukshme: këto janë elementet, që karakterizuan përvojën e Charles de Foucauld, të cilat Papa Françesku ua vuri në dukje Motrave të vogla të Jezusit, pritur sot në audiencë, me rastin e Kapitullit të tyre të Përgjithshëm. Papa theksoi, para së gjithash, sa e rëndësishme është të dëgjohet Fjala e Zotit, në adhurim përpara Tabernakullit, sepse në këtë mënyrë “zemrat hapen për rrugët e Hyjit, i cili nuk ushtron dhunë ndaj njerëzve, por frymëzon mendime dhe ndjenja krijuese përkatësie, gatishmërie dhe shërbimi”.

         “Jezusi ju ofron dashurinë e tij dhe ju takon juve ta pranoni sfidën, duke lënë mënjanë amforat e rënda të vetëreferencimit dhe të rutinës, të zgjidhjeve të lehta e edhe të njëfarë pesimizmi, që armiku i Hyjit dhe i njeriut përpiqet gjithmonë të infiltrojë, sidomos tek ata që e kanë kthyer jetën e tyre në dhuratë”.

Dëshmojeni Ungjillin, duke treguar kujdes për të tjerët

         Më pas, Françesku u kujtoi motrave ftesën e frymëzuesit të tyre Charles de Foucauld për ta shpallur Ungjillin me gjithë vetveten mbi çatitë e botës, duke u çuar njerëzve Jezu Krishtin e duke iu kushtuar të afërmit me lutje, mirësi e shembullin personal.

         “Të kujdesesh për të tjerët, t’u japësh nevojtarëve pa pritur që ata të kërkojnë ndonjë gjë: këto janë shenjat e dashurisë për Dhëndrrin hyjnor, tipare karakteristike të afërsisë suaj plot kujdes për të fundmit, në të cilët Ai është i pranishëm. Afërsia. Një afërsi kaq e çmuar në një shoqëri si kjo e jona, në të cilën, pavarësisht nga mjetet e shumta, në vend që të shtohen punët e mira, duket sikur zemrat ngurtësohen dhe mbyllen. Afërsia është spontane, kjo ka rëndësi, ajo lind nga spontaniteti i zemrës. Afërsi, afërsi!”

Udha e Nazaretit

         Duke i ftuar murgeshat të luftojnë indiferencën e të japin dëshminë e vëllazërimit me të varfërit, Ati i Shenjtë u kërkoi atyre të mos u shërbejnë të tjerëve vetëm për t’u dukur në sytë e botës, por të ndjekin “udhën e mishërimit, udhën e Nazaretit, atë që u tregon Zoti”, kur bëhet i vogël për të vegjlit. Udha e shërbimit të padukshëm është rruga e Zotit, nënvizoi Papa.

         “Kjo është e bukur, është e rëndësishme: rruga e fshehjes është rruga e Zotit. Ju nuk jeni murgesha për reklamë: sa më të padukshme aq më hyjnore, sa më të padukshme aq më hyjnore. Vazhdoni ta kultivoni këtë, është profeci e fuqishme për kohën tonë, ndotur nga dukja. Duket se për këtë arsye jetojmë një kulturë makijazhi: të gjithë bëjnë makijazh, është normale për femrat, por të gjithë, të gjithë bëjnë makijazh për t’u dukur më të mirë se ç’janë, por kjo nuk vjen nga Zoti”.

02 tetor 2023, 11:54