Kërko

ISRAEL-PALESTINIAN-CONFLICT ISRAEL-PALESTINIAN-CONFLICT  (AFP or licensors)

Papa: mos u mësoni me luftëra, tmerre shumë të rënda kundër Zotit e njeriut

Postimi në rrjetin shoqëror X nga Françesku, pas thirrjes në lutjen e Engjëllit kundër konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, "shkatërrim i vëllazërisë njerëzore". Nesër, më 24 tetor, publikimi i “Nuk je vetëm”, botimi italian i librit-intervistë me gazetarët Ambrogetti dhe Rubin, i botuar në shkurt, në Argjentinë, ku Papa denoncon luftën si “frut i një serie marrëzish”.

R. SH. - Vatikan

Tmerre, “tmerre shumë të rënda”, kundër Zotit e kundër njeriut. Këto janë luftërat për Papën, që i dënon përsëri  konfliktet e vazhdueshme në botë e që dje, pas lutjes së Engjëllit në Sheshin e Shën Pjetrit, i quajti "humbje". Këtë e bën edhe në X, përmes faqes së tij të internetit @Pontifex në nëntë gjuhë, ku lexojmë:

“Nuk duhet të mësohemi me luftën, me asnjë luftë. Nuk duhet të lejojmë që zemrat dhe mendjet tona të mpihen përballë përsëritjes së këtyre tmerreve shumë të rënda kundër Zotit dhe kundër njeriut”.

Françesku: lufta është gjithmonë humbje, ndalojuni!

Një tjetër thirrje e re, pra, kjo e Papës, i cili bashkon zërin me paditë e shprehura që në fillim të papnisë, të përsëritura me më shumë vrull në muajt e agresionit rus në Ukrainë e tani, në tensionet në Lindjen e Mesme ndërmjet Izraelit dhe Palestinës dhe rishfaqjes së sulmeve e të dhunës. Ankth ky i Papës, i ndjerë edhe në telefonatën që deshi t'i bënte dje presidentit amerikan Joe Biden, këto ditë për vizitë në Izrael, në të cilën u përsërit "nevoja për të zbuluar rrugët, që çojnë drejt paqes".

Lufta, "frut çmendurish"

Në dritën e trazirave që bota po përjeton, tingëllojnë profetike fjalët e Papës kundër luftës në vëllimin “Nuk jeni vetëm. Sfida, përgjigje, shpresa”, libri-intervistë i nënshkruar nga gazetarët Francesca Ambrogetti, ish-kreu i Ansa-s në Argjentinë dhe Sergio Rubin, i gazetës El Clarin. Vëllimi u botua fillimisht në shkurt, në Argjentinë, me titullin El Pastor (Bariu); nesër botimi italian do të jetë në librari me botuesin Salani.

“Në fillim të papnisë sime, deklarova se ne po jetonim një Luftë të Tretë Botërore në copa të vogla, pastaj argumentova se këto pjesë  gradualisht po rriteshin, ndërsa tani mendoj se është janë bërë një pjesë tjet e madhe” – kujton Papa gjatë bisedës, botuar nga Ansa.

“Vazhdoj të besoj se është  tragjedi e madhe humbja e kujtesës së Luftës II Botërore. Një herë, duke vërejtur sundimtarët e vendeve që morën pjesë në konflikt, gjatë një përkujtimi të zbarkimit në Normandi, mendova se ata   duhej të qanin. Vetëm atje vdiqën pothuajse 30 mijë njerëz! Lufta nuk është çmenduri, po rezultat i një sërë çmendurish”.

23 tetor 2023, 16:32