Kërko

 Situata në Gaza Situata në Gaza  (ANSA)

Papa: mjaft luftëra! Janë gjithnjë humbje!

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa bëri thirrje për Lindjen e Mesme, ku bredh lirisht vdekja. Nuk shihni gjë tjetër, veç gjakut të pafajshëm që po rrjedh rrëkajë në Tokën Shenjte, si në Ukrainë. Tragjedi mbi tragjedi! Ipeshkvi i Romës ju fton të merrni pjesë në ditën e lutjes dhe agjërimit për paqe të martën, më 17 tetor

R. SH. - Vatikan

Përgjigjiuni forcës djallëzore të urrejtjes, terrorizmit dhe luftës me forcën e butë dhe të shenjtë të lutjes. Kjo, nxitja e Françeskut në Engjëllin e Tënzot, kremtuar si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke parë situatën dramatike në Lindjen e Mesme, Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë t'ia kushtojnë të martën e ardhshme, 17 tetor, lutjeve dhe agjërimit.

“Luftërat janë gjithmonë humbje. Gjithmonë”, paralajmëron Papa i cili shpreh dhimbjen për “atë që po ndodh në Izrael dhe në Palestinë”. Më pas përsërit “thirrjen për lirimin e pengjeve” dhe kërkon “me forcë” që “fëmijët, të sëmurët, të moshuarit, gratë dhe të gjithë civilët të mos konsiderohen si viktima të konfliktit”. Papa kërkon respekt për të drejtën humanitare: "sidomos në Gaza, ku është urgjente dhe e nevojshme të garantohen korridoret humanitare dhe të ndihmohet e gjithë popullata". Ky, shqetësimi kryesor i Françeskut, ndërsa nuk harron për asnjë çast Ukrainën e torturuar:

“Vëllezër dhe motra, shumë kanë vdekur tashmë. Ju lutem, mos të derdhet më gjak i pafajshëm, as në Tokën e Shenjtë, as në Ukrainë dhe askund tjetër! Mjaft më me gjak!”.

Goditet spitali anglikan në Gaza

Numri i të vdekurve në Gaza është rritur në 2329, ndërsa të plagosurit janë 9714. Sot në mëngjes nga spitali Arab Ahli Anglikan në Gaza, vijnë lajme për goditje me raketa izraelite. Në rrjetet sociale, kryeipeshkvi anglikan i Jeruzalemit, Hosam Naoum, i fton njerëzit të luten për paqe, më pas shpjegon “lajmet e reja”, gjithnjë më të hidhura: "dy kate të spitalit u dëmtuan dhe 4 persona u plagosën. Dhoma e ultrazërit dhe e mamografisë u dëmtua".

Izraeli hap një korridor të ri humanitar

Ndërkohë, Izraeli ka hapur një korridor të ri humanitar për civilët në Gaza për tre orë, nga ora 10:00 deri në 13:00 sot, duke siguruar se 'nuk do ta godasë rrugën e treguar nga harta e tyre, për të arritur në atë zonë'. Pparalajmëroi edhe se do të nisë "operacione të rëndësishme ushtarake" vetëm pasi civilët të largohen nga Gaza, duke mohuar akuzat e Hamasit se një sulm e goditi tashmë një kolonë civilësh palestinezë, që po largoheshin nga Rripi verior i Gazës. Sipas New York Times, që citon burime ushtarake izraelite, pushtimi tokësor i Rripit të Gazës "i planifikuar fillimisht për fundjavën" do të "ishte vonuar disa ditë, të paktën pjesërisht, për shkak të kushteve të motit që do ta kishin bërë më të vështirë për pilotët izraelitë dhe operatorët e dronëve, që u sigurojnë trupave tokësore mbulim ajror”.

Tension i lartë në kufirin me Libanin

Ndërkohë, në përgjigje të lëshimit të raketave antitank të Hezbollahut nga Libani, njëra prej të cilave shkaktoi vdekjen e një civili izraelit dhe disa të plagosur, Izraeli izoloi "një zonë deri në katër kilometra nga kufiri verior" me Vendin e Kedrave dhe filloi të godiste pozicionet ushtarake të organizatës islamiste shiite në territorin libanez.

SHBA dërgon aeroplanmbajtësen e dytë, Kina kritikon Izraelin

Ndërsa Pentagoni njofton dërgimin e një aeroplanmbajtëseje të dytë nga Shtetet e Bashkuara, në Mesdheun lindor, si një "parandaluese ​​kundër veprimeve armiqësore ndaj Izraelit", Kina ndërhyn në përshkallëzimin e ndeshjeve. Ministri i Jashtëm Wang Yi, në një bisedë telefonike me homologun e tij saudit Faisal bin Farhan Al Saud, kritikon veprimet e Izraelit: "të dalë përtej fushëveprimit të vetëmbrojtjes". Shqetësimi për situatën u shpreh nga të dyja palët. I dërguari i posaçëm kinez Zhai Jun do të jetë në Lindjen e Mesme javën e ardhshme për të nxitur armëpushimin dhe bisedimet për paqen. Vetëm dje, gjatë vizitës në Riad, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ftoi Pekinin, partnerin e Iranit, të përdorë ndikimin e tij për të nxitur rikthimin e qetësisë në Lindjen e Mesme.

Takimi i ministrit iranian dhe liderit të Hamasit

“Askush nuk mund të garantojë se situata në rajon do të mbetet e njëjtë nëse sionistët vazhdojnë krimet e tyre të luftës”, tha Ministri i Jashtëm i Teheranit, Hossein Amirabdollahian, në një takim, në Doha, me Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani. Edhe Amirabdollahian u takua me liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh, sipas agjencisë iraniane Irna: ata ranë dakord të "vazhdojnë bashkëpunimin për të arritur të gjitha objektivat e rezistencës dhe të popullit palestinez".

Propozimi rus në OKB për armëpushim

Në këtë skenar, përfaqësuesi rus në OKB, Vasili Nebenzia, njoftoi se Moska i ka propozuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara një rezolutë për të kërkuar armëpushim në Rripin e Gazës dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare.

“Ne kërkojmë nga të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare që të mbështesin projektin tonë”, pohoi Nebenzia. Besohet se Teksti përfshin edhe një klauzolë, që bën thirrje për lirimin e qytetarëve izraelitë të arrestuar nga grupi islamik Hamas, në Rripin e Gazës.

15 tetor 2023, 16:01