Kërko

Papa dhe familjet e pengjeve: 'lirojini'!

Papa dhe diplomacia e Vatikanit po punojnë pa u lodhur për të ndihmuar në gjetjen e rrugëdaljes. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinal Parolin kërkon përsëri që "arsyet e paqes të mbizotërojnë mbi dhunën dhe luftën. Bën thirrje edhe për lirimin e pengjeve e për krizën humanitare të Gazës”. Parolin bëri të ditur se po punon për një takim të Papës me familjet e pengjeve izraelite, në duart e Hamasit. Prej ditësh Françesku shpreh dëshirën për ta dëshmuar personalisht afërsinë me këto familje.

R.SH. / Vatikan

Papa dhe diplomacia e Vatikanit po punojnë pa u lodhur për të ndihmuar në gjetjen e rrugëdaljes nga kriza ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. E angazhimi ecën me të njëjtin hap me lutjen. Edhe dje Papa Françesku, duke u lutur për paqen në Bazilikën e Shën Pjetrit, e quajti këtë orë, që po kalon njerëzimi "orë e errët", duke shtuar se ata të cilët inkurajojnë urrejtjet dhe konfliktet, duhet të bëjnë kthesë!

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinal Pietro Parolin kërkon përsëri që "arsyet e paqes të mbizotërojnë mbi dhunën dhe luftën. Bën thirrje edhe për lirimin e pengjeve e për krizën humanitare të Gazës”. Hirësia e Tij bëri të ditur edhe se po punon për një takim të Papës me familjet e pengjeve izraelite, në duart e Hamasit. Prej ditësh Françesku shpreh dëshirën për ta dëshmuar personalisht afërsinë me këto familje.

Rruga diplomatike e Selisë së Shenjtë kërkon hapjen prej treqind e gjashtëdhjetë gradësh të kontakteve, si kontakti i hapur me Presidentin amerikan Joe Biden. Kardinali Parolin përsërit se rrugëzgjidhja dy popuj, dy shtete “ka qenë gjithmonë” dhe vazhdon të jetë "qëndrimi" i Selisë së Shenjtë për Izraelin dhe Palestinën, ashtu si edhe “zgjidhja e vetme që mund të sigurojë ardhmërinë e paqes dhe të afërsisë së qetë".

Vatikani shqetësohet shumë edhe, e sidomos, për fëmijët: "Le të mendojmë për fëmijët që u mbytën mizorisht nga Hamasi, por edhe fëmijët e shumtë të cilët vdesin nën bomba, në Gaza”. Thirrja bëhet kryesisht për ta, për ta pasur parasysh pafajësinë e tyre, të ardhmen e tyre” - thekson Kardinali Parolin.

28 tetor 2023, 19:06