Kërko

Papa grave që u larguan nga mafia: faleminderit për guximin, vazhdoni të luftoni

Papa Françesku priti në audiencë disa gra të rebeluara kundër klanit mafioz, si përfaqësi e madhe grash, të cilat kanë vendosur t’i thyejnë kodet mijëvjeçare të bazuara mbi dhunën dhe kërcënimin, të shoqëruara nga themeluesi i shoqatës "Libera" , don Luigi Ciotti, meshtar italian: në momente frike dhe çorientimi, qëndroni me Jezusin, kryqi i tij i jep kuptim jetës sonë

R.SH. / Vatikan

“Emocion dhe mirënjohje e thellë për Papën Françesku që deshi të priste, në Vatikan, një përfaqësi të madhe grash, të cilat kanë vendosur t’i thyejnë kodet mijëvjeçare të bazuara mbi dhunën dhe kërcënimin. Gratë kërkojnë vetëm një dorë, kërkojnë vetëm shoqërim, për t'u larguar nga jeta e padëshiruar mafioze.

“Gra që, duke u bërë nëna, kujdesen për fëmijët e tyre, djemtë dhe vajzat, e nuk duan ta pranojnë idenë se një ditë këto jetë do të jenë pengje të lojës së pushtetit, dhunës, burgut”. Kështu shkruante meshtari italian Don Luigi Ciotti, president i Libera dhe Gruppo Abele, në një shënim, pas takimit në një audiencë private të Papës Françesku, me një delegacion grash të rebeluara kundër mafies. “Mafiet ua kanë ‘konfiskuar’ jetën”. E femrat rebelohen kundër "ligjit" të klanit dhe kërkojnë rrugëdalje. Është rebelim zemrash, kryengritje ndërgjegjesh - shtonte Don Ciotti – Gratë,  pavarësisht kodeve të konsoliduara kulturore, thonë MJAFT! Mjaft, respektit të shenjtë absurd për rolin kokulur të grave.

Të vetëdijshme se shkelja e këtij zakoni shpesh paguhet me vdekje. Sot, falë këtyre grave, rritet një ferment nëntokësor. Rritet ndërgjegjësimi i arsyetuar si një mekanizëm i vënë në lëvizje të pandalshme. Nuk është vetëm dëshira për të ndryshuar drejtim, por edhe, e sidomos, nevoja për të rigjetur çka “u vodhën” mafiozët: lirinë, jetën, dinjitetin. Është shkëputje nga e keqja, shkëputje kulturore, përpjekje për 'dobësimin' e pushtetit të mafies nga brenda. Këto janë Nënat që vendosin të largohen e kërkojnë ndihmë".

 “Për shumë prej tyre është i nevojshëm ndryshimi i të dhënave personale. Një emër i ri do të thotë të marrësh përgjegjësinë për përtëritje të vërtetë të jetës. Do të thotë - përfundon ai - të jesh në gjendje të rindërtosh miqësinë, lidhjet emocionale dhe profesionale, pa frikë se mund të njihesh e, për këtë arsye, të ndiqesh hap pas hapi nga ata, që të kërkojnë, për të bërë ta paguash lirinë e fituar me guxim! Kërkimin e një jete të lirë. E liria është bijë e drejtësisë, që do të dimë gjithnjë e më shumë ta pushtojmë e edhe solidaritet, që do të dimë ta zhvillojmë”.

30 tetor 2023, 17:13