Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Një Kishë “shenjtorësh, jo e kësaj bote”, dy reflektime të Papës Françesku

Françesku nënshkruan parathënien e vëllimit të Shtëpisë Botuese të Vatikanit, në të cilin publikohen dy nga ndërhyrjet e tij, një artikull i vitit 1991, titulluar "Korrupsioni dhe mëkati" i ribotuar më 2005, kur ai ishte kryeipeshkëv në Buenos Aires, si edhe një tjetër i këtij viti, "Letra për meshtarët e dioqezës së Romës": ftesa "për të qenë vigjilentë dhe, me forcën e lutjes, për të mos e lënë shpirtin në dorën e mendësisë së kësaj bote”

R.SH. – Vatikan

Doli në librari sot (6 tetor), i publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, vëllimi me titull “Shenjtorë, jo të kësaj bote”, me parathënie të Papës Françesku. Në të gjenden dy tekste të shkruara nga Jorge Mario Bergoglio: një artikull i vitit 1991, titulluar "Korrupsioni dhe mëkati" i ribotuar më 2005, kur ai ishte kryeipeshkëv në Buenos Ajres, si edhe një tjetër i këtij viti, "Letra për meshtarët e dioqezës së Romës".

Siç shkruan vetë Ati i Shenjtë në hyrje, qëllimi i publikimit të librit është: “Shqetësimi, të cilin e ndjej si thirrje të fuqishme të Zotit për gjithë Kishën, për të qenë vigjilentë dhe, me forcën e lutjes, për të mos e lënë shpirtin në dorën e mendësisë së kësaj bote”. Ja teksti i plotë:

Feja e krishterë është luftë, betejë shpirtërore për të fituar mbi tundimin e mbylljes në vetvete dhe për ta lënë dashurinë e Atit të banojë në ne, pasi Ai dëshiron lumturinë tonë – e fillon Papa parathënien e librit. - Është betejë e bukur, sepse, kur e lëmë Zotin të fitojë, zemra na gëzohet plotësisht dhe jeta na shndritet nga një rreze amshimi.

Beteja, për të cilën luftojmë si ndjekës të Jezusit është, para së gjithash, kundër mendësisë së kësaj bote, që është paganizmi i maskuar me petkun kishtar. Edhe pse i maskuar e, në dukje, i shenjtë, është qëndrim idhujtar, sepse nuk e njeh praninë e Hyjit si Zot e çlirimtar të jetës sonë dhe të historisë së botës. Na lë në mëshirën e tekave dhe të dëshirave tona boshe – vijon reflektimin Ati i Shenjtë.

Pra, duhet të luftojmë. Por e jona, nuk është luftë e kotë apo e pashpresë, sepse beteja e ka fitimtarin e saj: Jezu Krishtin, që e mundi mëkatin me vdekjen e tij. Dhe me ringjalljen, na dha mundësinë të bëhemi njerëz të rinj.

Sigurisht, - vë në dukje Papa - fitorja e Jezusit e ka një emër, kryqin, i cili, në shikimin e parë, na bën ta refuzojmë e ta largojmë. Por ai është shenjë e dashurisë pa kufi, të përvuajtur dhe këmbëngulëse. Jezusi na deshi deri në një vdekje kaq poshtëruese si ajo e kryqit, që ne të mos dyshonim më se krahët e tij mbeten të hapura edhe për më të fundmin prej mëkatarëve. E kjo dashuri e amshuar sfidon dhe orienton rrugët e të krishterëve e të vetë Kishës. Kryqi i Jezu Krishtit bëhet kriteri i çdo vendimi për fenë.

I Lumi Pierre Claverie, ipeshkëv i Oranit, - përmendi Françesku ipeshkvin francez, që shërbeu në Algjeri, ku edhe u vra më 1996, gjatë luftës civile algjerine, së bashku me martirë të tjerë, edhe ata të lumë - në një nga homelitë e tij, e pohonte këtë me fjalë shumë të bukura, të cilat – shkruan Papa - dua t'i përmend këtu: "Unë besoj se Kisha vdes nëse nuk është mjaft afër kryqit të Zotit të saj. Sado paradoksale të duket, forca, gjallëria, shpresa, frytshmëria e krishterë, frytshmëria e Kishës vijnë prej andej. Jo nga vend tjetër. Gjithçka mbetet s’është tjetër, veçse hi syve, iluzion i kësaj bote. Kisha mashtrohet e mashtron edhe botën kur paraqitet si fuqi mes fuqive, ose si organizatë, qoftë edhe humanitare, ose si lëvizje ungjillore për spektakël. Mund edhe të shkëlqejë, por nuk i djeg zemra nga zjarri i dashurisë së Zotit, “i fuqishëm si vdekja” – thotë Kënga e Këngëve”.

Pikërisht për këtë arsye – pranon Ati i Shenjtë - desha të mbledh në këtë vëllim dy tekste të botuara në kohë të ndryshme: njëri, i shkruar në vitin 1991, më pas i ribotuar në vitin 2005 kur isha kryeipeshkëv i Buenos Ajresit, kushtuar korrupsionit dhe mëkatit; tjetri, një letër drejtuar meshtarëve të Romës. Çfarë i bashkon? Shqetësimi, të cilin e ndjej si thirrje të fuqishme të Zotit për gjithë Kishën, për të qenë vigjilentë dhe, me forcën e lutjes, për të mos e lënë shpirtin në dorën e mendësisë së kësaj bote.

Kjo luftë ka një emër: quhet shenjtëri – vazhdon reflektimin Françesku. - Shenjtëria nuk është gjendje lumnie e arritur një herë e përgjithmonë, përkundrazi, është dëshirë e pandërprerë, e palodhur, për të qenë të bashkuar me kryqin e Krishtit, duke u plazmuar nga logjika, që vjen nga dhurimi i vetvetes dhe nga rezistenca ndaj atij armiku, i cili na bën lajka, duke na rrënjosur bindjen se i mjaftojmë vetvetes. Do të na bëjë mirë të kujtojmë çka thoshte Jezusi: "Pa mua nuk mund të bëni asgjë" (Gjn 15,5). Prandaj, shenjtëri do të thotë ta hapim zemrën, për atë "më shumë", që Zoti kërkon prej nesh dhe që duket në jetën e përditshme. Át Alfred Delp – përmendi Papa jezuitin gjerman, që mori pjesë në rezistencën kundër regjimit nazist dhe u vra në burg, në Berlin, pasi nuk pranoi të dilte nga urdhri i jezuitëve - shkruante: "Zoti na përqafon nëpërmjet realitetit". Ja pra, jeta e përditshme është vendi, ku i lëmë hapësirë ​​Zotit, që na shpëton nga mendësia se i mjaftojmë vetvetes dhe na kërkon atë “magis”, për të cilin flet Shën Injaci i Lojolës: atë diçka "më tepër”, që na shtyn drejt lumturisë jo kalimtare, por të plotë dhe të qetë.

Po i ofroj lexuesit këto tekste – përfundon Papa Françesku - si rast reflektimi për jetën personale dhe për jetën e Kishës, me bindjen se Zoti na kërkon të jemi të hapur ndaj risive të Tij, na kërkon të jemi të shqetë e të mos kënaqemi kurrë, të jemi në kërkim dhe të mos rehatohemi në mendësi të mjegullta, të mos ngulitemi në siguri të rreme, por të vihemi për udhë drejt shenjtërisë.

06 tetor 2023, 13:45