Kërko

ARMENIA-AZERBAIJAN-KARABAKH-CONFLICT ARMENIA-AZERBAIJAN-KARABAKH-CONFLICT  (AFP or licensors)

Nagorno-Karabakh, shqetësimi i Papës për njerëzit e zhvendosur dhe vendet e kultit

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi të shpërngulurit në rajon, duke shpresuar se të gjithë banorët mund të mbrohen, parë si pjesë e kulturës vendase. Nis edhe një thirrje për mbrojtjen e manastireve. Refugjatët që u larguan pas sulmeve të Azerbajxhanit, rreth 100 mijë, kanë frikë se nuk do të mund të kthehen kurrë më në shtëpitë e tyre. Gayané Khodaveerdi, sekretar i Bashkimit të Armenëve pohon: "mbështetja psikologjike është themelore".

R. V. Vatikan

Kriza në Nagorno-Karabakh e shqetëson përsëri Papën. Në Engjëllin e Tënzot, pas lutjes mariane, Françesku shprehu shqetësimin "për situatën humanitare të të zhvendosurve, e cila është tejet e rëndë". Mijëra armenë u zhvendosen, të detyruar të lënë shtëpitë e tyre, pasi Azerbajxhani rimori kontrollin e territorit më 19 shtator, duke shkaktuar rënien e qeverisë separatiste. Papa kërkoi edhe mbrojtjen e bashkësive fetare dhe të vendeve të shenjta.

“Dëshiroj të bëj edhe një thirrje të veçantë në favor të mbrojtjes së manastireve dhe vendeve të kultit në rajon. Shpresoj se, duke filluar nga autoritetet, të gjithë banorët do të mund të respektohen dhe mbrohen si pjesë e kulturës së përgjithshme e edhe e asaj vendase, shprehje besimi dhe shenjë vëllazërimi, që na mundëson të jetojmë së bashku në ndryshime”.

Më se njëqind mijë refugjatë në Armeni

Në Armeni, më shumë se 100 mijë refugjatë kanë mbërritur javët e fundit, nga Nagorno-Karabakh, praktikisht e gjithë popullsia e rajonit. Jerevani ka lehtësuar hyrjen e njerëzve të zhvendosur brenda kufijve të tij, por dyndja masive është jashtëzakonisht e ndërlikuar. Gayané Khodaveerdi, sekretar i Unionit të Armenëve dhe president i Unionit të Përgjithshëm Armen të Dashamirësisë së Milanos shpjegon për Vatican News - Vatican Radio se "refugjatët u vendosën jo vetëm në kryeqytetin Jerevan, por edhe në qytete dhe fshatra: kush kishte të afërm në Armeni, u prit prej tyre, ndërsa të tjerët u vendosën përkohësisht në shkolla e palestra. Ne po mundohemi të rivendosim disa ndërtesa të vjetra në kushte të pranueshme jetese, por do të duhet kohë”- pohon sekretar i Unionit të Armenëve.

Nevojat e refugjatëve

“Me përfundimin e fazës fillestare të emergjencës, gjëja më e rëndësishme tani është të gjejmë zgjidhje për strehimin për refugjatët që nuk janë të përkohshme - vazhdon Khodaveerdi - e për ta bërë këtë, nevojitet një organizim i madh. Ka ende nevojë për fonde që këta njerëz të kenë një jetë dinjitoze”. Një tjetër pikë e rëndësishme, shpjegon aktivisti armen, është ajo që ka të bëjë me shëndetin mendor: “Shumica e këtyre njerëzve janë të traumatizuar, nën rrethim për më shumë se 9 muaj, me ushqim të paqëndrueshëm, pa kujdes shëndetësor dhe energji elektrike. Më pas u bombarduan dhe u dëbuan nga tokat e tyre stërgjyshore”. Një nga vështirësitë më të mëdha për njerëzit që mbërrijnë në Armeni është të pajtohen me ndryshimin rrënjësor që do të pësojë jeta e tyre, duke pasur parasysh se shumë pak kanë shpresa për t'u kthyer në shtëpitë e tyre. “Shumë prej tyre janë të hutuar, nuk dinë e gati-gati as ta vazhdojnë jetën. Jo të gjithë kanë mundësinë të mbështeten te familjet dhe njerëzit e dashur dhe duhet të shpikin vetë një jetë të re diku tjetër - vazhdon Khodaveerdi - prandaj prania e psikologëve është tejet e kërkuar dhe e rëndësishme”. Unicef, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, bëri një thirrje të veçantë për shëndetin psikologjik të të miturve në Nagorno-Karabakh.

Solidaritet ndërkombëtar

OKB-ja dërgoi misionin e saj të parë të ndihmës në rajon në tridhjetë vitet e fundit. I gjithë rrjeti i Caritas-it, i udhëhequr nga Caritas Armenia, po punon për të ndihmuar refugjatët, si dhe shoqata e Khodaveerdi, Unioni i Përgjithshëm Armen Mirëdashës i Milanos. “Në këto çaste - përfundon pohon sekretar i Unionit të Armenëve  - ne po bashkëpunojmë me një OJQ të madhe ndërkombëtare, World Central Kitchen, e cila po bashkëpunon me projektin për të ndihmuar refugjatët në Armeni. Së bashku me të, kemi organizuar më shumë se 25,000 dreka e darka - pohon sekretar i Unionit të Armenëve.

15 tetor 2023, 15:19