Kërko

 Katedralja e Zojës së Arabisë në Awali të Bahreinit Katedralja e Zojës së Arabisë në Awali të Bahreinit  

Jubileu në Vikariatet Apostolike të Arabisë

Papa Françesku jep ndjesën e plotë nga 24 tetori i këtij viti, deri më 23 tetor 2024, në kujtim të rreth 4000 të krishterëve, ndërmjet të cilëve, shën Areta dhe shokët e tij, vrarë gjatë persekutimeve të shekullit të 6-të në Arabinë paraislamike. Dyert e shenjta në Bahrein dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe do t’i hapin dy vikarët apostolikë, Aldo Berardi dhe Paolo Martinelli

R. SH. - Vatikan

Kisha Katolike në Gadishullin Arabik kremton 1500-vjetorin e martirizimit të Shën Aretës dhe shokëve të tij martirë, vrarë gjatë një persekutimi antikristian në vitin 523, në Najran, në Arabinë paraislamike. Për të kremtuar këtë përvjetor historik, u shpall Jubileu i jashtëzakonshëm në Vikariatet Apostolike të Arabisë Veriore dhe Jugore, me mundësinë e marrjes së ndjesës së plotë nga 24 tetori i këtij viti, deri më 23 tetor 2024, dhënë Papa Françesku nëpërmjet një Dekreti të Pendestarisë Apostolike.

Hapja e Portave Shenjte

Mesha solemne e hapjes së Jubileut do të kremtohet në orën 11.00 me orën lokale, më 4 nëntor, nga Imzot Aldo Berardi, vikar apostolik i Arabisë Veriore, në Katedralen e Zojës së Arabisë, në Awali, Bahrein, pikërisht një vit pas shtegtimit të Papës Françesku në këto troje. Para Meshës do të kremtohet ceremonia e hapjes së Portës Shenjte.

Më 9 nëntor, në orën 18.00 me orën lokale, Porta e Shenjtë do të hapet nga Imzot Paolo Martinelli, vikar apostolik i Arabisë Jugore, ashtu edhe në Katedralen e Shën Jozefit në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku Papa ishte në shkurt 2019. Pritet të mbërrijë në Bahrein, në nëntor, një relike e Shën Aretës, dhuratë nga Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I.

Martirizimi i Shën Aretës dhe shokëve

Shën Areta, i lindur në vitin 427, ishte guvernatori i qytetit të lashtë të krishterë të Najranit, në Arabinë jugore. Besohet se në këtë kohë Mbreti i Himyarit (në Jemenin e sotëm), Dhu Nuwas, u kthye në judaizëm dhe nisi persekutimin sistematik të të krishterëve, duke djegur kisha, duke i detyruar njerëzit të ktheheshin në judaizëm dhe duke i ekzekutuar ata, që refuzonin të hiqnin dorë nga besimi i krishterë.

Pasi pushtoi Nexhranin, Dhu Nuwas urdhëroi që priftërinjtë, diakonët, murgeshat dhe laikët të hidheshin në një gropë të përbashkët dhe të digjeshin të gjallë. Burra e gra, të rinj e të vjetër, u mbytën pa dallim: një fëmijë pesëvjeçar vdiq duke u hedhur në flakë, për të mos u ndarë nga e ëma. Shën Areta ishte 95 vjeç në vitin 523, kur iu pre koka, atij dhe njëqind të krishterëve të tjerë. Gjatë këtij persekutimi u mbytën më se 4 mijë martirë "për besimin e tyre të patundur në Krishtin e kryqëzuar", pohohet në një deklaratë të Vikariatit Apostolik të Arabisë së Veriut.

Imzot Berardi: tani është radha jonë të jemi dëshmitarë të Krishtit të Ngjallur

"Kemi paraardhës të krishterë në këto troje, që na japin shembull - pohon Imzot Berardi për Agjencinë Fides - Tani është radha jonë për të qenë dëshmitarë të të Ngjallurit në kohën e sotme. Të frymëzuar nga martirët arabë, të krishterët e Gadishullit Arabik sot thirren të jenë 'dëshmorë të përditshëm', të japin dëshmi të gjalla për Krishtin dhe mesazhin e tij, në gjërat e vogla të çdo dite të jetës”. Jetës, që është shtegtim. E shton: “Shtegtimi ynë shpesh nuk është i lehtë, për shkak të vështirësive të jetës, ambientit dhe shoqërive, në gjirin e të cilave jetojmë. Por është gjithmonë e mundur ta ndjekim Jezusin dhe Ungjillin e Tij, kur shprehim dashurinë tonë për Atin dhe kur e lëmë Shpirtin Shenjt të na prijë. Nëse kjo ndodh, shtegtimi ynë bëhet bekim. E Jubileu - përfundon imzot Berardi - na ofron mundësinë për ta kuptuar më mirë thirrjen tonë si kishë katolike në këto vise”.

Kujtojmë se Vikariati Apostolik i Arabisë Veriore përfshin Bahreinin, Katarin, Kuvajtin dhe Arabinë Saudite, ndërsa Vikariati Apostolik i Arabisë së Jugut, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemenin dhe Omanin.

20 tetor 2023, 14:21