Kërko

Françesku për të rinjtë e Scholas: kultivoni gjithmonë vlerën e bujarisë

Takimi i VI Botëror i Rinisë organizuar nga shoqata papnore, u mbajt në Brazil më 23 deri më 26 tetor. Në një video, përshëndetja dhe urimet e Papës Françesku për organizatorët.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku i drejton, përmes një videoje, fjalë vlerësimi dhe mirënjohjeje takimit ndërkombëtar, që sapo përfundoi në Sao Paulo të Brazilit. Falënderoi, për punën e tyre, edhe autoritetet e Word ORT që e organizuan, së bashku me Scholas Occurrentes dhe Fondacionin Leo Werthein. "Vepër reflektimi e dëshmie - shprehet Ati i Shenjtë, duke vënë më pas theksin mbi tri fjalë kyçe: lëvizje, falas dhe takim. Për të qenë vërtet njerëzor dhe jo tregtar, takimi duhet të jetë falas. E, që të jetë takim, duhet të jetë lëvizje”. Këto tri fjalë - vijon - “tregojnë diçka shumë njerëzore”.

Françesku u shprehu mirënjohjen autoriteteve të shkollës ORT për bashkëpunimin e tyre me Scholas. "Intuitë - vëren - që nuk e ka arritur ende potencialin e saj të plotë, ndonëse ka kohë që ekziston. Është diçka që i përket të ardhmes, diçka shumë e madhe". Në vijim Papa falënderon edhe autoritetet braziliane "që e lejuan dhe e mbështetën këtë lloj nisme".

Scholas: përvojë për të mësuar tolerancën dhe paqen

Fjalët e Papës, lexojmë në një komunikatë të Scholas Occurrentes, mbyllën takimin duke pohuar se "ngjarja ndërkombëtare është shembull i punës së reflektimit dhe dëshmisë në mënyrë që qindra të rinj nga vende të ndryshme të botës, pas kthimit në bashkësitë e tyre, të kenë vullnetin dhe misionin për ta përsëritur mësimin e tolerancës dhe të paqes, që e përjetuan përmes dialogut me bashkëmoshatarët e tyre”.

Më shumë se 100 të rinj, nga tetëdhjetë qytete, në 25 vende - vazhdon deklarata - u mblodhën për katër ditë në Sao Paulo, "në një situatë tronditëse ndërkombëtare, me sulmet e fundit terroriste në Lindjen e Mesme", për të festuar "bashkëjetesën, dialogun ndërkulturor dhe larminë, me synimin për të kontribuar në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më të bashkuar”.

Bashkëpunim për një botë më të mirë

Nisma lindi nga bashkëpunimi i filluar rreth 10 vjet më parë, pasi "José María del Corral, teolog, edukator, themelues dhe drejtor aktual botëror i Scholas Occurrentes dhe biznesmeni nga Amerika Latine, Darío Werthein, që merret me fushën e arsimit, bashkuan forcat për t’i zgjeruar këto takime, me besimin se arsimi është çelësi për një botë më të drejtë dhe paqësore".

"Këtë javë, këta të rinj e kuptuan - tha del Corral në fund të takimit - se ne nuk duhet t’i fshehim dallimet tona, ne jemi ata që jemi dhe duhet të jemi krenarë që jemi ata që jemi. Dhe nëse duam një botë globale, siç thotë Papa Françesku, ajo botë përbëhet nga shumë identitete. Kështu  vazhdojmë të besojmë se mund të ndërtojmë një botë më të mirë".

Nga ana tjetër, Werthein komentoi: "Dëgjimi i fëmijëve që flasin për arsimin, racizmin, përkushtimin, hyrjen në komunitetet e tyre për të ndryshuar nevojat që kanë, lëviz zemrat, i inkurajon ata të vazhdojnë, forcon emocionet e tyre, në një botë kaq të tronditur nga Lufta në Ukrainë e nga problemet në Izrael e në Gaza. Është e mrekullueshme të kontribuosh edhe me pak dritë në botë, sepse këta njerëz rrezatojnë dritë".

Një mundësi për të vlerësuar unitetin në larmi

Ngjarja u quajt me interes publik nga prefekti i Jaguriúna, Gustavo Bernardes Reis, si mundësi për t'i afruar të rinjtë tek përvoja transformuese që rrit diversitetin, unitetin dhe kolektivitetin, pasi i kishte ftuar ata të zhvillojnë aktivitete në bashkësinë e tyre, me mbështetjen nga Vrio Corp, kompania që menaxhon SKY Brazil dhe DIRECTV Amerikë Latine, e cila përmes programit të saj gjithëpërfshirës të qëndrueshmërisë Propósito Vrio zhvilloi paralelisht dhe në të njëjtin vend Kongresin V Escuela Plus, i cili mblodhi së bashku mësues, ekspertë të arsimit dhe autoritete nga Brazili, Argjentina, Kili, Uruguai, Peruja, Ekuadori dhe Kolumbia.

27 tetor 2023, 12:15