Kërko

Papa: ëndërrojmë një Kishë që i shërben të gjithëve. Mëkat i rëndë të shfrytëzosh më të ligshtit

Papa Françesku e kremtoi në Shën Pjetër Meshën për mbylljen e Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Sinodit mbi sinodalitetin, mbledhur në Vatikan që nga 4 - 29 tetori. Të gjithë u mblodhën rreth Papës në Bazilikën e Vatikanit, mbushur përplot me rreth 5 mijë besimtarë, për të festuar përfundimin e një shtegtimi katërjavor. Në këtë kohë - kujtoi Françesku në predikim - ne mundëm të "zbulonim bukurinë e vëllazërisë", "dëgjuam njëri-tjetrin" dhe mbi të gjitha, "në shumëllojshmërinë e pasur "

R.H. / Vatikan

Papa kremtoi sot paradite Meshën përmbyllëse të Asamblesë Sinodale në Bazilikën e Shën Pjetrit: “Sot nuk e shohim frytin e plotë të këtij procesi, por Zoti do të na ndihmojë të jemi një Kishë më sinodale dhe më misionare, që i shërben grave dhe burrave të kohës sonë”. Kisha që ne ëndërrojmë është "Kishë që mirëpret, shërben, do dhe nuk kërkon kurrë raporte të 'sjelljes së mirë'".

Shërbëtore e të gjithëve, shërbëtore e më të fundmve. Një Kishë që mirëpret, që është “derë”, e hapur për të gjithë dhe “port” mëshire. Një Kishë që nuk kërkon marrëdhënie "mirësjelljeje”, në të cilën Zoti është në vendin e parë e, me Të, ata që i ka për zemër: të varfërit, të dobëtit, viktimat e "mizorive" të luftës, migrantët, njerëzit që bota i shfrytëzon "pas fjalëve të bukura dhe premtimeve bindëse":

“Është mëkat i rëndë të shfrytëzosh më të ligshtin, mëkat i rëndë, që gërryen vëllazërinë dhe shkatërron shoqërinë”.

Kisha, më sinodale e më misionare

Papa Françesku e kremtoi në Shën Pjetër Meshën për mbylljen e Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Sinodit mbi sinodalitetin, mbledhur në Vatikan që nga 4 - 29 tetori. Të gjithë u mblodhën rreth Papës në Bazilikën e Vatikanit, mbushur përplot me rreth 5 mijë besimtarë, për të festuar përfundimin e një shtegtimi katërjavor. Në këtë kohë - kujtoi Françesku në predikim - ne mundëm të "zbulonim bukurinë e vëllazërisë", "dëgjuam njëri-tjetrin" dhe mbi të gjitha, "në shumëllojshmërinë e pasur të tregimeve tona dhe të ndjeshmërive tona, dëgjuam Shpirtin Shenjt".

“Sot nuk e shohim frytin e plotë të këtij procesi, por me largpamësi mund të shikojmë horizontin që na hapet: Zoti do të na prijë dhe do të na ndihmojë të jemi kishë më sinodale dhe më misionare, e cila adhuron Hyjin dhe i shërben grave dhe burrave të kohës sonë, duke dalë për të çuar kudo, gëzimin ngushëllues të Ungjillit për të gjithë”. 

Zoti në vendin e parë

T’i shërbeni dhe ta kumtoni, por edhe ta mirëpritni, ta adhuroni, ta dashuroni. Mbi të gjitha "ta doni", thotë Papa në reflektimin e tij të pasuruar me citate nga Kardinali Martini dhe Shën Gjon Gojarti, sepse "dashuria" është urdhërimi i parë, "qendra lëvizëse", "parimi frymëzues". "Nuk janë strategjitë tona, as llogaritjet njerëzore, as moda e botës", nuk është as "idhujtaria" që duket se ofron jetë, ndërsa në vend të kërkojnë jetë në këmbim: "Të duash Zotin me gjithë jetën tënde dhe të duash të afërmin tënd si veten", ky - theksoi Papa - është "parimi dhe themeli nga i cili fillon e rifillon gjithçka".

Idhujtaritë të bëjnë skllav

Por me ç’fjalë ta përkthesh këtë shpërthim dashurie? Para së gjithash me adhurimin, përgjigja e parë ndaj dashurisë "të lirë dhe befasuese" të Zotit. Të adhurosh do të thotë të pranosh se Zoti "është kuptimi i të jetuarit". Duke e adhuruar, ne rizbulojmë lirinë e vetvetes. Për këtë arsye, dashuria për Zotin në Shkrimin Shenjt lidhet me luftën kundër çdo idhujtarie:

“Kush e adhuron Zotin, i refuzon idhujt sepse, ndërsa Zoti çliron, idhujt robërojnë. Ata na mashtrojnë dhe nuk e realizojnë kurrë çka premtojnë, sepse është vepër e duarve të njeriut”.

“Ne duhet të luftojmë gjithnjë kundër idhujtarive”, theksoi Papa Françesku; atyre të botës, që shpesh rrjedhin nga kotësia personale, si dëshira për sukses, vetëvlerësimi me çdo kusht, lakmia për para - djalli hyn nga xhepat, të mos harrojmë - joshjen e karrierizmit; por edhe idhujtaritë e maskuara si shpirtërore: idetë e mia fetare, aftësia ime baritore...”. “Duhet të jemi vigjilentë – nxiti Papa - që të mos na ndodhë të vendosim veten në qendër në vend të Zotit”. Por, "të kthehemi tek adhurimi":

“Kisha qoftë adhuruese: në çdo dioqezë, në çdo famulli e Zoti u adhuroftë në çdo bashkësi! Sepse vetëm kështu do t'i drejtohemi Jezusit dhe jo vetvetes..”..

Nuk ka përvojë fetare që është e shurdhër ndaj britmës së botës

Folja e dytë, që përdori Papa, ishte "të shërbesh", domethënë të duash Zotin dhe të tjerët. “Nuk ka asnjë përvojë të mirëfilltë fetare që është e shurdhër ndaj britmës së botës. Nuk ka dashuri për Zotin pa përfshirje në kujdesin e të tjerëve, përndryshe rrezikojmë fariseizmin”, shprehet ipeshkvi i Romës.

“Ndoshta kemi vërtet shumë ide të bukura për reformimin e Kishës, por le të kujtojmë: të adhurojmë Zotin dhe t'i duam vëllezërit tanë me dashurinë e tij, kjo është reforma e madhe dhe e përhershme”.

Viktima të e luftës emigrantët, të varfërit, të ligshtit

Një "kishë në shërbim", pra, është ajo që dëshiron Pasardhësi i Pjetrit, një Kishë që "lan këmbët e njerëzimit të plagosur, shoqëron udhëtimin e të brishtëve, të dobëtëve dhe të flakurve, i takon butësisht më të varfërit".

Mendimet tona shkojnë “tek ata që janë viktima të mizorive të luftës; tek vuajtjet e mërgimtarëve, dhimbja e fshehur e atyre që ndjehen vetem dhe në kushte varfërie; atyre që janë dërrmuar nga barrët e jetës; atyre që nuk kanë më lot, atyre që nuk kanë zë". E “unë mendoj - shton Papa - se sa herë pas fjalëve të bukura dhe premtimeve bindëse favorizohen forma shfrytëzimi ose nuk bëhet asgjë për t’i parandaluar”. Është turp, mëkat i rëndë:

“Ne, dishepujt e Krishtit, duam të sjellim në botë një maja tjetër, atë të Ungjillit: Zotin në radhë të parë dhe, së bashku me Të, ata që i ka për zemër, të varfërit dhe të ligshtit”.

Shërbëtore e të ligshtëve

“Kjo, vëllezër dhe motra, është Kisha për të cilën jemi thirrur të ëndërrojmë: një Kishë që është shërbëtorja e të gjithëve, shërbëtore e më të voglit” - përsëriti Françesku. - Një Kishë që “mirëpret, shërben, do, fal”. Një Kishë, pra, "më sinodale dhe misionare".

Prandaj Papa i falënderoi të gjithë ata, që morën pjesë në asamble:

“Ju falënderoj - u tha - për  gjithçka bëtë në Sinod dhe vazhdoni të bëni”,  “për rrugëtimin së bashku, për dëgjimin dhe për dialogun”. Dhe njëheresh me falënderimet, edhe urimi “që të rritemi në adhurimin e Zotit dhe në shërbim të afërmit”.

Përpara, me gëzim!

29 tetor 2023, 16:30