Kërko

Papa të rinjve të El Salvadorit: nëse një i ri nuk lëviz, ndryshket!

Në një video-mesazh të shkurtër drejtuar të rinjve të El Salvadorit që do të marrin pjesë në Ditën e ardhshme Kombëtare të Rinisë, më 25 nëntor, në qytetin e Santa Ana, Papa i fton ata të mos qëndrojnë në shtëpi dhe të ndajnë së bashku besimin e tyre.

R.SH. / Vatikan

"Shkoni, lëvizni, sepse nëse një i ri nuk lëviz, ai ndryshket dhe është shumë e trishtueshme të shohësh një të ri të ndryshkur". Këto janë fjalët e Papës Françesku, i intervistuar në sallën Pali VI në Vatikan për të dërguar një video-mesazh të shkurtër për më shumë se 15 mijë të rinjtë që priten të marrin pjesë në Ditën Kombëtare të Rinisë në El Salvador, e cila do të zhvillohet të shtunën, më nëntor të ardhshëm, në qytetin e Santa Ana. Grupet, komunitetet dhe famullitë kishtare të të rinjve salvadoranë e kanë bërë virale mesazhin e Papës në rrjetet sociale, me një nxitje "Ndalohet qëndrimi në shtëpi".

Një festival kushtuar thirrjeve të shenjta, faljes dhe adhurimit

“Të gëzuar në shpresë, Maria na shoqëron në rrugëtim” është motoja e Ditës së Rinisë Kombëtare të El Salvadorit. Faqja zyrtare e Ditës Rinore Kombëtare 2023 e El Salvadorit njofton se, në këtë festë feje, të rinjtë salvadoranë do të mund të marrin pjesë në Panairin Vokacional, Panairin e Faljes, në Eukaristinë e Shenjtë, në Adhurimin Eukaristik, për të përfunduar në një koncert të ndërthurur me dëshmitë e disa anëtarëve të baritorisë rinore. Përveç kësaj, tashmë është publikuar edhe himni i Ditë Rinore Kombëtare, me titullin: María na shoqëron!

Tre mbrojtësit a pajtorët qiellor të nderit

Për këto ditë rinore janë zgjedhur tre mbrojtësit a pajtorët qiellor të jashtëzakonshëm: Shën Gjon Pali II, Shën Oscar Romero dhe i Lumi Carlos Acutis të cilët së bashku me Virgjrën Mari Mbretëreshë e Paqes, pajtore qiellore e El Salvadorit, do të ndërmjetësojnë për këtë punë të palodhur dhe për frytet e rrugëtimit të të rinjve në fe dhe në mision.

Shën Gjon Pali II – shpjegojnë organizatorët – sepse përveç udhëtimeve nëpër botë duke përcjellë një mesazh paqeje dhe pajtimi, “dashuria e tij për të rinjtë e shtyu atë të niste Ditët Botërore të Rinisë në vitin 1985, me një thirrje të përhershme: Mos kini frikë të ndiqni Krishtin!

Shën Oscar Romeros, i ngritur në nderimet e altarit në tetor 5 vjet më parë, të rinjtë do t'i drejtojnë lutjet e tyre duke kërkuar ndërmjetësim pranë Zotit për vendlindjen dhe për Ditën Kombëtare të Rinisë, sepse siç thotë lutja kushtuar Shenjtit, Shën Oscar Romero ishte Bari shembullor në shërbim të Kishës; dhe përmes saj ishte në krahun e të varfërve dhe të nevojtarëve.

Mbrojtësi a pajtori i tretë qiellor për Ditën Rinore Kombëtare 2023 të El Salvadorit është i Lumi Carlo Acutis, jeta e shkurtër e të cilit, posa kishte mbushur 15 vjet, ishte e përshkuar nga devocioni i madh marian dhe eukaristik e, mbi të gjitha, nga aftësia e tij për të përhapur fenë e tij në mesin e të rinjve nëpërmjet internetit dhe rrjeteve sociale. I Lumi Carlo Acutis ishte një i ri katolik që kërkoi të jetonte gjithë jetën e tij në bashkim dhe miqësi të thellë me Jezusin, kjo është arsyeja pse të rinjtë salvadoranë do t'i kërkojnë atij t'i shoqërojë në këtë festë: na jep inkurajon të jemi të krishterë të vërtetë edhe ndërmjet celularit, kompjuterit dhe në jetën tonë të përditshme!

24 tetor 2023, 12:42