Kërko

 Kisha ortodokse e Shën Porfirit në Gaza, e shkatërruar nga sulmet izraelite Kisha ortodokse e Shën Porfirit në Gaza, e shkatërruar nga sulmet izraelite 

Françesku: lufta është gjithmonë humbje, ndaluni!

Papa, pas lutjes së Engjëllit, bëri thirrje për përfundimin e çdo konflikti, duke menduar Izraelin, Palestinën e Ukrainën. Bëri edhe thirrje që ndihma humanitare të arrijë në Gaza dhe të lirohen pengjet, duke kujtuar, më pas, edhe ditën e agjërimit e të lutjes, më 27 tetor. "Lufta është rrënim i vëllazërisë njerëzore"

R. SH. - Vatikan

Lufta, çdo luftë, është gjithmonë disfatë, shkatërrim i vëllazërisë njerëzore. Zëri i Françeskut është i rëndë, ndërsa u drejtohet besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për Engjëllin e së Dielës. Ndërsa mendon për tragjedinë që po luhet në Izrael dhe në Palestinë, Papës i duhet të bëjë përsëri thirrje që të heshtin armët:

“Jam shumë i shqetësuar dhe i pikëlluar, lutem dhe jam pranë të gjithë atyre që vuajnë, pengjeve, të lënduarve, viktimave dhe familjeve të tyre”.

Ashtu si ditët e fundit, për herë të fundit të mërkurën e kaluar gjatë audiencës së përgjithshme, mendimet e Françeskut kthehen e rikthehen tek "situata serioze humanitare në Gaza" si dhe tek dhuna, që ditët e fundit i ka prekur edhe vendet e krishtera:

“Më pikëllon lajmi sipas të cilit ditët e fundit  u goditën spitali anglikan dhe famullia ortodokse greke. Përsëris thirrjen time që të krijohen hapësirat e duhura, ndihma humanitare të vazhdojë të arrijë dhe pengjet të lirohen”.

Papa kujton edhe se 27 tetori i ardhshëm do të jetë  ditë agjërimi, lutje dhe pendese dhe se atë mbrëmje, në orën 18:00, në Shën Pjetër do të jetohet një orë lutjeje, për të kërkuar paqe në botë:

“Lufta, çdo luftë në botë, mendoj edhe për Ukrainën e martirizuar, është  disfatë. Ndaluni!”.

22 tetor 2023, 13:04