Kërko

Françesku: Fjala e Zotit na flet ende me pyetjet e Tij

Libri me parathënien e Papës “Pyetjet e Zotit, pyetje Zotit”, në dialog me Biblën, shkruar nga etërit domenikanë Timothy Radchlifte dhe Lukaz Popko. I botuar nga Libraria Editrice Vaticana, shqyrton 18 nga pyetjet e ndryshme që i bën Zoti burrit e gruas në Bibël e që njerëz të ndryshëm i drejtojnë Hyjit e Jezusit. Në libër, tri thirrje: që ne, besimtarët të mbetemi gjithnjë të shqetë, gjithnjë të aftë për të bërë pyetje, e edhe pakëz specialistë të humorizmit!

R.SH. - Vatikan

Del të martën, më 31 tetor, libri me parathënien e Papës “Pyetjet e Zotit, pyetje Zotit”, në dialog me Biblën, shkruar nga etërit domenikanë Timothy Radchlifte dhe Lukaz Popko. I botuar nga Libraria Editrice Vaticana, shqyrton 18 nga pyetjet e ndryshme që i bën Zoti burrit e gruas në Bibël e që njerëz të ndryshëm i drejtojnë Zoti e Jezusit. Në libër, tri thirrje: që ne, besimtarët të mbetemi gjithnjë të shqetë, gjithnjë të aftë për të bërë pyetje, e edhe pakëz specialistë të humorizmit!

Papa Françesku

Jezusi bënte pyetje. Një nga frazat e tij të para, sipas Ungjillit të Gjonit, ishte pyetja: "Çfarë po kërkoni?" drejtuar dy dishepujve të Pagëzuesit, që e ndiqnin pas. Sipas Shën Lukës ungjilltar, fjala e parë e Jezusit ishte  pyetje drejtuar prindërve të tij, Jozefit dhe Marisë: "Pse më kërkonit?". E në kryq, në fund të jetës tokësore të kaluar duke shpallur butësinë e Zotit, e pyeti Atin: "Zoti im, Zoti im, pse më braktise?". E edhe pasi ngjallet së vdekuri, i drejtohet Marisë Magdalenë me një pyetje të dyfishtë dhe të drejtpërdrejtë: «Grua, pse qan? Kë po kërkon?".

 Jezusit i pëlqente të bënte pyetje. Sepse i pëlqente të dialogonte me burrat dhe gratë e kohës së tij që grumbulloheshin rreth këtij rabini të çuditshëm i cili fliste për Zotin e mbjelljen, për Mbretërinë e Perëndisë dhe për thesaret e arës, për mbretërit që shkojnë në luftë dhe për bankete të pasura me ushqime. Ata, që e dëgjuan Jezusin, e kuptuan se biseda e tij nuk ishte  inskenim retorik, por thirrje për zemrën e tyre, mënyrë për të vënë në dyshim zemrën e secilit. E edhe përpjekje për ta shpuar guaskën e egos e për të lënë balsamin e dashurisë të filtrojë.

Ky libër, për të cilin falënderoj autorët, shqyrton tetëmbëdhjetë nga pyetjet e ndryshme që Zoti i bën burrit dhe gruas në Bibël, e edhe ato, që i bëjnë personazhe të ndryshme Hyjit dhe Jezusit.

Pyetja, gjest njerëzor

Pyetja është një gjest njerëzor, shumë njerëzor: e bën të dukshme  dëshirën për të ditur, për të shkëlqyer. Natyra e secilit prej nesh nuk duhet jetë e kënaqur me atë që ekziston, por duhet të shkojë përtej, të arrijë diçka, të thellohet në një temë. Ata që bëjnë pyetje nuk janë të kënaqur. Ata që bëjnë pyetje janë të ngacmuar nga një shqetësim, që shkëlqen si simptomë vitaliteti.

E vërteta nuk mund të pushtohet

Zemrat e plogshta nuk bëjnë pyetje. Kush ka përgjigje për gjithçka, nuk vë në dyshim asgjë. Mendon se e ka të vërtetën në xhep, ashtu si stilolapsën, gati për ta përdorur. Të Lumit Pierre Claverie, ipeshkëv në Algjeri, Domenikan, si autorët e këtij teksti, martir i miqësisë dhe dialogut me vëllezërit tanë myslimanë, i pëlqente të përsëriste: «Unë jam besimtar, besoj se Zoti ekziston. Por nuk pretendoj ta zotëroj atë, as nëpërmjet Jezusit, i cili ma zbulon, as nëpërmjet dogmave të besimit tim. Zoti nuk  pushtohet. E vërteta nuk mund të pushtohet!”.

Filozofia lindi nga pyetjet e mëdha të ekzistencës

Këtu, ky kërkim, kjo dëshirë, ky mall konkretizohen duke pyetur, duke dëgjuar pyetjet e të tjerëve. Ne e dimë mirëfilli: filozofia lindi nga pyetjet e mëdha të ekzistencës: "Kush jam unë?", "Pse ka diçka dhe jo asgjë?", "Nga vij?", "Ku po shkon jeta ime?" . Për këtë arsye Krishterimi ka qenë gjithmonë pranë atyre që pyesin veten, sepse - jam i bindur - Zoti i do pyetjet, i do vërtet. Mendoj se atij i pëlqejnë më shumë pyetjet, sesa përgjigjet. Për shkak se përgjigjet janë të mbyllura, pyetjet mbeten të hapura. Ashtu si Zoti – pati shkruar një poet – është presje, jo pikë: presja i referohet diçkaje më shumë, e çon bisedën përpara, e lë të hapur mundësinë e komunikimit. Pika mbyll diskutimin, i jep fund diskutimit, ndalon dialogun. Po, Zoti është presje. Edhe Atij i pëlqejnë pyetjet.

Ky libër na edukon për rëndësinë që ka shqyrtimi i pyetjeve tona. Ato në Bibël janë të bukura, provokuese dhe na shqetësojnë. Zoti e pyet Adamin: "Ku je?". I Tejetlarti e pyet Kainin: "Ku është vëllai yt?". Maria e pyet engjëllin: "Si do të ndodhë?". Jezusi pyet ithtarët e tij: "Kush thoni se jam unë?". E në fund, e vë në provë Pjetrin, me pyetjen: "A më do më shumë se këta?". Këtu, të bësh pyetje do të thotë ta kërkosh diçka, për ta mirëpritur. Ndërsa të japësh vetëm përgjigje, do të thotë të qëndrosh i ankoruar në vizionin tënd për gjërat.

Cilësia dhe sinqeriteti i pyetjeve tona

Pyetjet që autorët hetojnë mes faqeve të Shkrimit na përcjellin edhe një mësim tjetër: cilësinë dhe sinqeritetin e pyetjes sonë. Ka nga ata që bëjnë pyetje për ta vënë në vështirësi bashkëbiseduesin dhe nga ata që, si një fëmijë që flet me prindërit e tij, e dëgjojnë sinqerisht bashkëbiseduesin, duke e ditur se nuk e di. Ndonjëherë ne i pyesim njerëzit me dashakeqësi, duke u përpjekur ta vëmë në rrezik bashkëbiseduesin - nëse përgjigjet në një mënyrë, rrezikon reputacionin e tij, nëse përgjigjet në një tjetër, tradhton veten. Ja pra pse autorët bëjnë disa pyetje biblike që nuk janë aq të sinqerta, sa duhet të jetë çdo pyetje.

Fjala e Zotit është mësues i madh sepse - siç thotë Shën Pali - është  shpatë me dy teha, që zbulon të vërtetën e zemrës. E ndërsa na zbulon shpirtin, Fjala tregohet e aftë për të qenë aktuale, gjithmonë: Zoti, në Bibël, nuk flet dhe nuk komunikon vetëm me burrat dhe gratë e kohës në të cilën u shkrua Libri, por u flet të gjithëve, edhe ne. I flet zemrës sonë të shqetë, nëse dimë ta dëgjojmë. Pyetjet që autorët analizojnë dhe diskutojnë janë ende aktuale sot, na tronditin deri në palcë edhe në shoqërinë tonë të dixhitalizuar, sepse janë fjalët që çdo zemër e pa anestetizuar mund t'i kuptojë si vendimtare për jetën e vet: në ç’pikë është jeta ime? Çfarë kam bërë me vëllezërit dhe motrat e mia, njerëz si unë? Si mund të ndodhë që Zoti të hyjë në jetën time? Kush është Jezusi për mua? Çfarë më intereson mua për atë njeri, që  e quajti veten Zot e dha jetën edhe për mua?

 Njeriu, në komunikim me hyjnoren

Fjala e Zotit na flet ende. Na drejton rishtas pyetje. Por ajo nuk është e vetmja. Siç e tregon mirë ky libër, çdo fjalë njerëzore, vërtetësisht njerëzore, është e mbushur me fjalë hyjnore. Karl Rahner shkruan se «autori, si i tillë, është nën ndikimin e thirrjes së hirit të Jezu Krishtit dhe prandaj duhet të jetë i krishterë; të jetë autor për një burrë është një fakt i rëndësishëm kristian”.

Faqet e këtij libri e dëshmojnë këtë: pasuria e referencave letrare, poetike dhe kinematografike të tij e pasurojnë këndvështrimin tonë ndaj besimit. Na bëjnë të kuptojmë më mirë thënien e teologut gjerman: kur është vërtet njerëzore, kur është shprehje e brendësisë së vërtetë të qenies njerëzore, shprehja artistike bëhet teofanike, sepse di të kuptojë themeloren, di të japë zë për hirin, është e aftë të komunikojë misterin. Ashtu si përballë një nate plot yje ose para perëndimit të diellit, zemra jonë nuk mund të mos lavdërojë Zotin, a përballë një sonate të Bach ose një faqeje të Dostojevskit sigurohemi se bota është e mirë dhe se jeta jonë ka kuptim! Kjo është fuqia e imagjinatës njerëzore: të na vendosë në komunikim me hyjnoren.

Një libër ku nuk mungon humori

Së fundi, një shënim. Ky libër është plot humor. Mendoj se është një element i rëndësishëm, për të cilin duhet t'u jemi dyfish mirënjohës autorëve. Së pari, sepse humori është shprehje njerëzore që i afrohet shumë hirit. Humori është zemërlehtë, i ëmbël, ta gëzon shpirtin dhe të ngjallë shpresat. Ata që kanë humor, rrallë herë i shikojnë me sy të shtrembët të tjerët, ka të ngjarë të jenë bujarë e deri të aftë për të vënë në lojë vetveten. Dikush shkroi me zgjuarsi: "Lum ata që dinë të qeshin me vetveten, sepse do të argëtohen pambarimisht". E njëkohësisht, humori, kur jetohet nga besimtari, tregon se besimi i krishterë nuk është diçka e zymtë apo pedante, nuk është i mbrapambetur, as poshtërues. Feja i mbush me shkëlqim fytyrat e atyre, që e jetojnë. Ungjilli u jep gëzim, gëzim të vërtetë, jo kalimtar sigurisht: ata që besojnë, nuk kanë çehre funerali, përkundrazi, u shndrit fytyra. Janë njerëz të lumtur, gjë që mund ta shihni në fytyrat e tyre!

Tri thirrje

Nga ky libër, pra, jehojnë tri thirrje: ne besimtarëve na bëhet thirrje të jemi të shqetësuar, gjithnjë të aftë për t'i bërë vetes pyetje, e edhe për të qenë paksa specialistë në humorizëm.

29 tetor 2023, 09:40