Kërko

 Lewiston, Maine Lewiston, Maine  (ANSA)

Dhimbja e Papës për masakrën në Maine: me ndihmën e Zotit, e mira do të fitojë mbi të keqen

Në një telegram dërguar ipeshkvit të Portlandit, nënshkruar nga kardinali Parolin, Françesku shpreh keqardhjen për viktimat dhe afërsinë shpirtërore me familjet e tyre, pas të shtënave në Lewiston. Vrasësi u gjet i vetëvrarë

R. SH. - Vatikan

Dhimbje për viktimat dhe afërsi shpirtërore me familjet e tyre. Këto janë ndjenjat e shprehura në telegramin e Papës, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, drejtuar ipeshkvit të Portlandit në Shtetet e Bashkuara, Imzot Robert Deeley, dërguar pas të shtënave masive dramatike në Lewiston - Maine, ku një burrë vrau 18 vetë.

E keqja mundet nga e mira

Papa - lexohet në tekst - pasi "mori me dhimbje të thellë lajmin për humbjen e tmerrshme të jetëve njerëzore, shkaktuar nga të shtënat masive në Lewiston, shpreh afërsinë e tij shpirtërore me të gjithë ata që vuajnë nga kjo tragjedi e papërshkrueshme, veçanërisht me familjet që humbën të dashurit e tyre”. Ati i Shenjtë - vazhdon telegrami - “ia beson shpirtrat e të vdekurve mëshirës dhe dashurisë së Zotit të gjithëpushtetshëm dhe lutet për shërimin e të plagosurve e të personelit mjekësor, që i ndihmon ata. Vlerëson, gjithashtu, përpjekjet fisnike të ndihmës së shpejtë nga njerëz që vënë veten në rrezik për të mbrojtur bashkësinë". Françesku, duke cituar më pas Letrën e Shën Palit drejtuar Romakëve, shpreh "besimin e tij të patundur se, të ndihmuar nga hiri i Zotit", “mund të fitojmë mbi të keqen, me të mirën".

Vetëvrasja e vrasësit

Trupi i Robert Card, njeriut që shkaktoi masakrën, ish-ushtar dhe gjuajtës i zgjedhur, u gjet mbrëmë në pyll, jo shumë larg Lewistonit. Burri, me sa duket, vrau veten.

28 tetor 2023, 16:48