Kërko

Papa Françesku priti në audiencë, në Vatikan, rreth 200 pjesëmarrësit në Takimin e rektorëve të universiteteve publike dhe private në Amerikën Latine dhe Karaibe Papa Françesku priti në audiencë, në Vatikan, rreth 200 pjesëmarrësit në Takimin e rektorëve të universiteteve publike dhe private në Amerikën Latine dhe Karaibe

Papa, universiteteve të Amerikës Latine: kultura “përdor e hidh”, dëm për të gjithë

Titulli i Nxitjes së ardhshme apostolike të Françeskut do të jetë "Laudate Deum". Kështu deklaroi vetë Papa, ndërsa të enjten më 21 shtator, fliste me pjesëmarrësit e Takimit të rektorëve universitarë të Amerikës Latine, me të cilët reflektoi mbi tema të ndryshme si emigracioni, ndryshimet klimatike dhe përjashtimi shoqëror

R.SH. – Vatikan

Të enjten më 21 shtator, Papa Françesku priti në audiencë, në Vatikan, rreth 200 pjesëmarrësit në Takimin e rektorëve të universiteteve publike dhe private në Amerikën Latine dhe Karaibe, që u mblodhën më 20 dhe 21 shtator në Universitetin romak Augustinianum për të diskutuar mbi temën "Të organizojmë shpresën". Morën pjesë edhe disa prefektë dhe sekretarë të Dikastereve të Selisë së Shenjtë. Në reflektimin e tij, Papa njoftoi edhe emrin e Nxitjes së ardhshme apostolike: do të quhet “Laudate Deum” e do të botohet në festën e Shën Françeskut të Asizit, më 4 tetor. Është vazhdimi i enciklikës “Laudato si’”, temat ekologjike të së cilës do të thellohen më tej në këtë shkrim, që do të jetë – siç tha Ati i Shenjtë – “një vështrim mbi ç’ka ndodhur deri tani për të thënë ç’duhet bërë më tej”.

Edhe gjatë takimit me rektorët universitarë, Papa reflektoi mbi çështjet ambientale, sidomos mbi pasojat e ndryshimit klimatik, por preku edhe tema të tjera, që kanë të bëjnë me konceptin e tij të ekologjisë së gjithanshme, si emigracioni dhe kultura e hedhurinave.

Përdorimi i drejtë i natyrës

"Ka një kulturë ‘përdor e hidh’ – nënvizoi Françesku - gjithmonë e pranishme, mungon edukimi për t’i përdorur gjërat pa i hedhur, për t'i ribërë, për t'i zëvendësuar me pjesë këmbimi, duke pasur parasysh përdorimin e përbashkët të tyre. Kjo kulturë ‘përdor e hidh’ ka pasoja edhe mbi natyrën”. Papa nënvizoi rëndësinë e shfrytëzimit të drejtë të natyrës, duke përdorur një fjalë, “që ndoshta mund të duket e çuditshme – tha ai – por duhet të hyjmë në dialog me natyrën, në dialog”. Këtu kontributi i universiteteve mund të jetë shumë i rëndësishëm, vërejti Ati i Shenjtë, duke vënë në dukje temën e takimit, “të organizojmë shpresën” e duke nënvizuar se ajo duhet parë në kuadrin e ekologjisë së gjithanshme, pra, “në atë përmasë, që u jep të drejtën të rinjve të sotëm për një gjithësi të ekuilibruar, për shpresë. Ne – kërkoi Papa – duhet t’i ndihmojmë ta organizojnë këtë shpresë, të marrin vendime shumë serioze” për të përfshirë të gjithë në përfitimet nga pasuritë natyrore, pa e shkatërruar natyrën.

Degradimi njerëzor ecën paralel me degradimin e natyrës

 Françesku shprehu shqetësimin për disa universitete, që mbeten vetëm brenda teorive shkencore, pa u kujdesur për popuj të tërë, që lënë pas vetes, si të ishin hedhurina. I nxiti universitarët të gjejnë alternativa, për të kapërcyer krizën ambientale – si panelet diellore, për shembull, që përdoren edhe në Vatikan – për të mbrojtur natyrën, por edhe kushtet e jetës njerëzore, sepse zakonisht, degradimi i natyrës sjell edhe keqësimin e jetës së njerëzve e krijon pabarazi. Papa denoncoi vjedhjen e pasurive natyrore për interesa private, që çojnë në mungesën e sendeve më elementare për grupe të tëra njerëzish, si popujt indigjenë, ata afrikanë, gratë e njerëzit me aftësi të kufizuara, duke u mohuar atyre dinjitetin e duke i skllavëruar. “Ju lutem – u kërkoi Papa rektorëve universitarë – bëni që kjo t’u hyjë në kokë të rinjve, edukojini me vlera, në mënyrë që të dinë t’i vlerësojnë këto situata e të thonë qartë se është fjala për skllvaërim”.

Përgjigjja e krishterë për emigracionin

Papa i ftoi rektorët e profesorët e universitetit t’i ndihmojnë të rinjtë të hyjnë në politikë, e cila është thirrje fisnike e jo sëmundje, nënvizoi ai. Pastaj, foli për krizën e emigracionit. “Drama e emigracionit në Evropë është jashtëzakonisht serioze sot. E nuk mund të zgjidhet vetëm me ndihma. Çështja është njerëzore dhe kristiane”.

Duke u kërkuar ta trajtojnë këtë temë në universitete, Ati i Shenjtë nënvizoi se “emigrantët duhen mirëpritur, shoqëruar, promovuar dhe integruar. Nëse nuk arrijmë ta integrojmë emigrantin, kemi dështuar”, shtoi ai, duke theksuar se kthimi i tyre mbrapsht, pasi arrijnë me njëmijë probleme e vështirësi në Evropë, është krim.

Tri gjuhët: koka, zemra e duart

 Së fundi, Papa kujtoi se detyra e universitetit nuk është vetëm t’u mbushin kokat studentëve me njohuri shkencore. “Duhet t'i formoni të rinjtë që të përdorin të trija gjuhët njerëzore, atë të kokës, të zemrës dhe të duarve. Në mënyrë që të mësojnë të mendojnë për atë që ndiejnë e për atë që bëjnë, ta ndiejnë atë që bëjnë e mendojnë dhe, ta bëjnë çka ndiejnë e mendojnë”. Françesku falënderoi të pranishmit dhe i ftoi universitetet të veprojnë me krijimtari për t’i bërë ballë realitetit dhe sfidave, të jenë edukatorë e jo vetëm përhapës informacioni.

Rrjeti Universitar për Kujdesin e Shtëpisë së Përbashkët

Në takimin me Papën morën pjesë 216 rektorë të universiteteve publike dhe private nga e gjithë Amerika Latine dhe Karaibet. Ngjarja lindi nga një propozim që RUC (Red de Universidades por el Cuidado de la Casa Común - Rrjeti Universitar për Kujdesin e Shtëpisë së Përbashkët) i paraqiti Komisionit Papnor për Amerikën Latine. RUC lindi 7 vjet më parë si një bashkësi e organizuar universitetesh për të zbatuar sfidën e Enciklikës “Laudato Si'”. Rektorët morën pjesë në takim në emër të institucioneve arsimore fetare dhe jofetare, të cilat frekuentohen nga më se 4 milionë studentë, pa llogaritur profesorët, studiuesit dhe personelin administrativ.

26 shtator 2023, 11:02