Kërko

Papa me të rinjtë aziatikë Papa me të rinjtë aziatikë

Papa, të rinjve të Azisë: ndërtoni ura, jo mure

Dialog virtual i Françeskut me dymbëdhjetë studentë nga universitetet katolike në Indi, Nepal dhe Pakistan, falë nismës "Ndërtimi i urave" të Komisionit Papnor për Amerikën Latine dhe të Universitetit Loyola të Çikagos. Një diskutim sinodal mbi lirinë fetare dhe dëshminë, bullizmin dhe vetëvrasjen e të rinjve, rrjetet shoqërore dhe alfabetizimin mediatik. "Kemi nevojë për harmoninë që gjendet në bukurinë e larmive, të cilat dini t’i krijoni kaq mirë në Azi"

R.SH. – Vatikan

Një orë e gjysmë në internet me studentët universitarë nga Azia. Dje pasdite, Papa Françesku, në një takim online me të rinjtë nga India, Pakistani dhe Nepali, u kërkoi atyre “të ndërtojnë ura miqësie ndërmjet burrave dhe grave me kultura të ndryshme, ura që janë të kundërta me muret, të cilat i ndajnë njerëzit”. Dialogu i gjatë është i treti i këtij lloji i nismës “Building Bridges”, organizuar nga Komisioni Papnor për Amerikën Latine dhe nga Universiteti Loyola i Çikagos.

Papa u tha të rinjve se duhet të ketë “harmoni ndërmjet gjuhës së kokës, të zemrës dhe të duarve" dhe se “harmonia nuk do të thotë standardizim, por aftësi për të krijuar bukuri në larmi". "Ideologjia e redukton gjithçka në nivelin e mendjes”, por harmonia është e mundur nëse kombinohen me të edhe gjuha e zemrës dhe ajo e duarve”. E shtoi: “Kam frikë nga specializimet. Duhet të specializoheni, pa dyshim, - u shpjegoi Françesku të rinjve - por nuk duhet ta harroni të tërën, harmoninë”.

 Papa i paralajmëroi studentët kundër “lajmeve të rreme, që janë e kundërta e së vërtetës” dhe kundër “lajmeve të pjesshme, që secili mund t'i interpretojë si të dojë”. Ati i Shenjtë bëri thirrje edhe për ruajtjen e rrënjëve, duke treguar: “Im atë ka qenë emigrant dhe gjyshërit më kanë përcjellë kulturën e Italisë së Veriut: si fëmijë kam dëgjuar poezi në dialekt. Mos i harroni rrënjët, lulet pa rrënjë nuk kanë aromë”.

Gjatë nëntëdhjetë minutave me pyetje e përgjigje, Papa foli edhe për arsimin, i cili “duhet të jetë falas e politikanët duhet ta sigurojnë këtë, sepse çdo njeri duhet ta ketë këtë të drejtë. Kur arsimi është falas shumë më tepër studentë mund të ndjekin shkollën dhe universitetin”.

Duke folur për ambientin shkollor, Papa Françesku preku plagën e bullizmit: “Sot vlen vetëm dukja e jo kush je në të vërtetë”, denoncoi ai, duke përmendur aktoren e mirënjohur italiane Anna Magnani, e cila u kërkonte fotografëve të mos ia hiqnin rudhat, sepse iu deshën shumë vite për t’i formuar. Problemet, që trajtoi Françesku, prekën edhe shtimin e vetëvrasjeve tek të rinjtë, “një realitet tragjik - komentoi Papa - sepse ata nuk arrijnë t’u bëjnë ballë dështimeve, sidomos kur nuk gjejnë punë”. E, së fundi, ftesa: “Mos e humbni sensin e humorit, sepse humori është shenjë e shëndetit mendor”.

27 shtator 2023, 11:02