Kërko

Rifiuti alimentari (REUTERS) Rifiuti alimentari (REUTERS)

Papa: shpërdorimi i ushqimit është një fyerje për të varfërit

Një thirrje për të kaluar nga deklaratat në vendime konkrete për një rishpërndarje të drejtë të të mirave të tokës dhe për të luftuar kundër plagës së shkatërrimit të ushqimit. Kështu pohon Papa në mesazhin për Ditën e sotme Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Ushqimin. Nga Papa thirrja për të ringjallur vetëdijen e përkatësisë tonë në një familje të vetmen njerëzore universale, sepse "kushdo që shkon të flejë me barkun bosh është vëllai ynë"

R.SH. / Vatikan

"Ushqimi i hedhur është një fyerje për të varfërit". Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin drejtuar drejtorit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Qu Dongyu, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për humbjen dhe çuarjen dëm të Ushqimit, që kremtohet sot.

“Hedhja e ushqimit, një nga format më të rënda të prodhimit të mbeturinave, tregon – nënvizon Papa – një përbuzje arrogante për gjithçka që, në aspektin shoqëror dhe njerëzor, fshihet pas prodhimit të ushqimit. Të hedhësh ushqimin në plehra do të thotë të mos vlerësosh sakrificat, punën, mjetet e transportit dhe kostot e energjisë që përdoren për të sjellë në tryezë një ushqim cilësor. Do të thotë përçmim i atyre që punojnë çdo ditë në sektorin e bujqësisë, industrisë dhe shërbimeve për të siguruar ushqime të cilat, duke i çuar dëm apo tretur, nuk mjaftojnë për të realizuar cakun e lavdërueshëm".

Për Françeskun, për t'i dhënë fund humbjes dhe shpërdorimit të ushqimit, duhet të "investojmë burime financiare, të bashkojmë vullnetin tonë, të kalojmë nga deklaratat e thjeshta në vendimet e qarta dhe konkrete. Por mbi të gjitha është thelbësore të forcojmë brenda nesh bindjen se ushqimi i hedhur poshtë është një fyerje për të varfrit. Është ndjenjë e drejtësisë ndaj atyre që janë në nevojë, e cila duhet t'i shtyjë të gjithë drejt një ndryshimi kategorik të mentalitetit dhe të sjelljeve. 

Kjo bëhet gjithnjë e më urgjente, pasi duhet të pranojmë, dhe dua ta nënvizoj këtë, se ushqimet që hedhim në plehrat, ne ua rrëmbejmë padrejtësisht nga duart atyre që nuk e kanë, të atyre që e kanë të drejtën e bukës së përditshme në saje të dinjitetit të tyre të pacenueshëm njerëzor”.

"Bollëku i disave duhet të kompensojë mungesën që kanë të tjerët. Prandaj zhvillimi duhet të jetë i lidhur ngushtë me maturinë e jetës. Zhvillimi e maturia janë të pandashëm. Është po ashtu e nevojshme të ringjallim brenda nesh vetëdijen për përkatësinë tonë të përbashkët në një familje universale njerëzore. Kushdo që shkon në shtrat me stomakun bosh është vëllai ynë". Me pak fjalë, "ushqimi siguron jetën dhe nuk mund të konsiderohet problem".

Papa flet edhe për strategji praktike, si sigurimi ushqimor, duke pasur mirë parasysh se të gjithë njerëzit kanë nevojë për bukë ditë për ditë. Ashtu si kanë nevojë edhe për ujin e përditshëm. Që të arrihen rezultate në këtë drejtim, Papa u bën thirrje kryesisht vendeve të industrializuara, duke i ftuar të japin pa ngurrim ndihmesen e tyre, domethënë t’ua hapin dyert edhe të vendeve të varfëra, në se dëshirojnë ta kapërcejnë krizën.

Kriza nuk mund të kapërcehet me dyer të mbyllura, duke menduar vetëm për vete e duke i harruar milionat, që presin një kafshatë bukë e një pikë ujë. Fao ka për detyrë t’i nxisë shtetet anëtare për t’i dhënë përgjigje pozitive kërkesës, gjithnjë në rritje, për ushqim.

29 shtator 2023, 18:23