Kërko

Papa priti kryeministrin e Portugalisë António Luís Santos da Costa

Françesku priti në Vatikan kryeministrin e Portugalisë i cili më pas u takua me kardinalin Parolin dhe Imzot Gallagher. Ditët e fundit Botërore të Rinisë që u mbajtën në Lisbonë dhe vizita e Papës në Portugali, situata në Ukrainë dhe fenomeni i migrimit ishin në qendër të bisedimeve

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku priti në audiencë, sot më 28 shtator, Kryeministrin e Republikës së Portugalisë, António Luís Santos da Costa, i cili më pas u takua me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i shoqëruar nga Imzot Paul Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Takimi me Kard. Parolin dhe Imzot Gallagher

Gjatë diskutimeve të përzemërta në Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, siç njofton Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, u vlerësua bashkëpunimi konkret dhe i mirë në organizimin e Ditës Botërore të Rinisë 2023 dhe vizita që Shenjtëria e tij Papa Françesku bëri në Portugali nga data 2 deri në 6 gusht 2023. Më pas bisedimet u fokusuan në kontributin pozitiv të Kishës katolike në shoqërinë portugeze në kontekstin aktual socio-politik dhe në disa çështje me interes të përbashkët”.

Ukraina dhe migrimi ndër temat e bisedimeve

Gjatë bisedimeve, vijon deklarata e zyrës së shtypit të Vatikanit, ka pasur edhe "një shkëmbim pikëpamjesh mbi situatën ndërkombëtare, me vëmendje të veçantë për pasojat e luftës në Ukrainë dhe fenomenin e migrimit".

28 shtator 2023, 15:42