Kërko

Papa Françesku: ndjeti i lutjes për tetorin kërkon të përfshihen të gjithë në procesin sinodal

Videoja e ndjetit të lutjes së Atit të Shenjtë për muajin tetor i fton besimtarët katolikë të luten për Sinodin, që fillon javën e ardhshme asamblenë e tij të përgjithshme e të zakonshme. Muaji karakterizohet edhe nga Dita Misionare Botërore. Videoja do të projektohet në Vigjiljen e Lutjes Ekumenike, në Sheshin e Shën Pjetrit, më 30 shtator

R.SH. – Vatikan

 Videoja e Papës, me të cilin Françesku paraqet ndjetin e tij të lutjes për muajin tetor, përmban kësaj radhe një mesazh, që e përqendron vëmendjen e besimtarëve katolikë në Sinodin mbi Sinodalitetin, proces që filloi më 2021 dhe do të vazhdojë deri në vitin 2024. “Të lutemi për Kishën – fton Ati i Shenjtë – që ta kthejë dëgjimin dhe dialogun në stil jetese në çdo nivel, duke e lënë forcën e Shpirtit Shenjt ta udhëheqë drejt periferive të botës”.

Sesioni i parë i Asamblesë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme do të mbahet nga data 4 deri më 29 tetor . "Është rrugë që e përshkojmë si dishepujt e Emausit - shpjegon Papa - duke dëgjuar Zotin, që vjen gjithmonë ndërmjet nesh". Këtë muaj, për më tepër, e gjithë Kisha kremton Ditën e 97-të Misionare Botërorë, ngjarje e lidhur me dinamikën sinodale: “Misioni është në zemër të Kishës. E, edhe më shumë. Kur një Kishë është në Sinod, kjo dinamikë sinodale ushqehet vetëm nga thirrja misionare”, shprehet Papa në video.

Dëgjimi dhe shoshitja në një rrugëtim, që vazhdon

Videomesazhi i këtij muaji - i cili u realizua në bashkëpunim me Veprat Misionare Papnore në SHBA dhe me Sinodin mbi Sinodalitetin - është ftesë për t'u gjunjëzuar para Zotit në qëndrim dëgjimi dhe dialogu. Koncepti i Kishës "në lëvizje" dhe thirrja e saj misionare vihet në dukje përmes pamjeve në formën e një filmi xhiruar në rrugë: nga dritarja e një makine shihen vende dhe njerëz nga shtete të ndryshme në jetën e tyre të përditshme - nga Vatikani në Kamboxhia, duke kaluar nëpër Afrikë, në Lindjen e Mesme, në Amerikën e Veriut. Ajo makinë përfaqëson Kishën; lënda djegëse e saj është "forca e Shpirtit të Shenjtë", e cila - sipas fjalëve të Papës - duhet ta çojë "drejt periferive të botës".

Të udhëhiqesh nga Shpirti Shenjt do të thotë të dëgjosh njëri-tjetrin. Për këtë arsye, Papa sqaron edhe se gjatë kësaj Asambleje të Zakonshme të Sinodit “nuk përfundon asgjë, por vazhdon një rrugëtim kishtar”, nga i cili mund të korren frytet e dëgjimit të ndërsjellë ndërmjet vëllezërve e motrave, të gjithë së bashku në shërbim të misionit të Krishtit. Françesku kujton shembullin e dishepujve të Emausit dhe, si ata, u kërkon gjithë të krishterëve të ecin "duke dëgjuar Zotin, që vjen gjithmonë ndër ne".

Ç’është Sinodi mbi sinodalitetin?

Më 10 tetor 2021, Papa Françesku thirri Sinodin mbi Sinodalitetin me temë "Për një kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje, mision". Sinodi i Ipeshkvijve është organ konsultativ, që u kërkon ipeshkvijve të mbarë botës të marrin pjesë në qeverisjen e Kishës, duke e këshilluar Atin e Shenjtë për çështje, që prekin Kishën universale. Fjala "sinod" vjen nga greqishtja dhe shpreh idenë: "të ecim së bashku".

Me një kohëzgjatje  3-vjeçare (nga tetori 2021 deri në tetor 2024), Sinodi për sinodalitetin ka kaluar nëpër disa faza dëgjimi dhe shoshitjeje. Françesku dëshiron që e gjithë Kisha të reflektojë mbi sinodalitetin: i gjithë Populli i Zotit - ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, laikë, burra, gra, të rritur, të rinj - të konfrontohen për të kuptuar nëse dhe si po ecin së bashku.

Më 4 tetor hapet seanca e parë e Asamblesë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme, ku ipeshkvijtë dhe pjesëmarrësit e tjerë mblidhen për të korrur frytet e proceseve të mëparshme dëgjimore. Edhe kjo fazë ndahet në dy etapa: e para nga 4 deri më 29 tetor 2023 dhe e dyta, në tetor 2024.

Dita e 97-të Botërore e Misionit

Seanca e parë e Asamblesë sinodale përkon me Ditën e 97-të Botërore të Misionit. Lidhur me këtë, imzot Kieran Harrington, drejtor i Veprave Misionare Papnore në SHBA, deklaron: “Papa Françesku, duke i bërë jehonë frymës së Shën Françesk Saverit, nënvizon udhën e Kishës drejt periferive të shoqërisë. Në riorganizimin e përpjekjeve të Kishës për t'u dhënë përparësi të mënjanuarve dhe të varfërve, na kujton shërbesën e Krishtit të përqendruar në përhapjen e Lajmit të Mirë ndër të harruarit dhe të anashkaluarit. Kjo është detyra kryesore e Veprave Misionare Papnore në mbarë botën: 120 zyra kombëtare punojnë së bashku për të mbështetur mijëra misionarë, që u çojnë mesazhin e Ungjillit të gjithëve. Duke reflektuar mbi ndjetin e lutjes së Papës për këtë muaj, jemi të thirrur të dëgjojmë e të dialogojmë, duke lëvizur drejt periferive, të udhëhequr nga Shpirti Shenjt".

29 shtator 2023, 16:02