Kërko

Papa takon disa meshtarë në një famulli romake në lagjen Primavalle

Papa shkoi dje pasdite në famullinë e ‘Santa Maria della Salute’ në një lagje periferike të Romës për një takim me famullitarët e prefekturës së tridhjetë e katërt të dioqezës së Romës. Kështu njoftoi mbrëmje Zyra e Shtypit e Vatikanit. Gjatë takimit u trajtuan disa sfida baritore në lidhje me problemet e territorit

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku vizitoi dje pasdite, më 28 shtator, famullinë romake ‘Santa Maria della Salute’, në lagjen Primavalle, ku u prit nga zëvendës mëkëmbësi i Dioqezës së Romës", Imzot Baldo Reina, nga famullitari dhe zëvendësfamullitari, "për një shkëmbim mendimesh me rreth 35 meshtarët e territorit të prefekturës së dioqezës romake. Në fund të takimit, pak pas orës 18.00, Papa u kthye në Vatikan". Kështu bëri të ditur drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni.

Në një njoftim për shtyp Vikariati i Romës saktëson se priftërinjtë e mbledhur në famullinë ‘Santa Maria della Salute’ i përkasin prefekturës së tridhjetë e katërt dhe bashkë me ta ishin edhe prefektët e sektorit perëndimor të dioqezës së Romës. “Ishte një takim vëllazëror në emër të dialogut”, deklaroi imzot Reina në fund të takimit. Ipeshkvi saktësoi se "temat e trajtuara kishin të bënin me sfidat baritore edhe në lidhje me problemet e territorit. Një fushë në të cilën vështirësitë e të rinjve dhe përjashtimi social janë evidente, por jetojnë edhe shumë njerëz vullnet të mirë, që çdo ditë e dëshmojnë dashurinë e Zotit ndaj të afërmit”.

Në tekstin e Vikariatit të Romës lexojmë gjithashtu se “Papa Françesku bëri zgjedhjen për të vizituar këtë prefekturë pasi këtu kohëve të fundit ndodhën dy ngjarje të rënda: muajt e fundit u vranë Michelle Maria Causo dhe Rossella Nappini”. Michelle Maria Causo, 17 vjeç, u vra me thikë qershorin e kaluar nga një bashkëmoshatar i tij, ndërsa Rossella Nappini, një infermiere 52-vjeçare, u godit me thikë në shtator nga ish-partneri i saj në hyrje të një ndërtese në lagjen Primavalle, në Romë.

29 shtator 2023, 10:55