Kërko

Koncistori Koncistori

Françesku, kardinajve të rinj: të jeni harmonia, që përfaqëson sinodalitetin në Kishë

Në sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, u kremtua sot koncistori, me të cilin Papa krijoi 21 kardinaj të rinj, 18 me të drejtë vote e 3 të tjerë jo. Në Kolegjin e ri Kardinalor, ndër jo zgjedhësit është edhe kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani. Si në ditën e Rrëshajëve, larmia e gjuhëve tuaja, tha Ati i Shenjtë në homelinë e meshës së rastit, është frymë e re për Kishën: "të jeni ungjillëzues të ungjillëzuar e jo funksionarë"

R.SH. – Vatikan

Kolegji i Kardinajve u shtua sot me 21 kardinaj të rinj, nga të cilët 18 me të drejtë vote e 3 të tjerë jo zgjedhës. Papa kremtoi paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, koncistorin për krijimin e tyre, ndër të cilët mungonte kardinali 96-vjeçar, Luis Pascual Dri, rrëfyes në shenjtëroren e Zojës së Pompeit në Buenos Aires. Pikërisht në ta, siç nënvizoi gjatë homelisë së meshës, Françesku sheh Kishën shenjte, apostolike, “Kishën mëmë, që flet në të gjitha gjuhët, që është një e vetme dhe katolike”, lindur në Rrëshajët, kur apostujt u takuan në Jeruzalem me hebrenjtë që banonin atje, por edhe me partianët, popullin iranik madai, elamitët dhe me shumë popuj nga vende të ndryshme, secili me gjuhën e vet. Në sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga një diell i ngrohtë i fund-shtatorit, me rreth 12 mijë besimtarë, ipeshkvij, meshtarë e rregulltarë, ndër të cilët edhe përfaqësues të Kishës në Shqipëri, si Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore, imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit, spikasnin kësulat e kuqe kardinalore nga e gjithë bota e Papa nënvizoi origjinën e ndryshme të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, duke përdorur imazhin e orkestrës.

“Kolegji Kardinalor – pohoi ai - është i thirrur t'i ngjajë një orkestre simfonike, e cila përfaqëson harmoninë simfonike dhe sinodalitetin e Kishës”.

Koncistori
Koncistori

Një Kishë simfonike dhe sinodale

 Për Françeskun, "karakteri sinodal i Kishës" është si një simfoni, në të cilën instrumentet e ndryshme japin secili kontributin e vet, "herë vetëm, herë të bashkuar me dikë tjetër, herë me gjithë ansamblin". Por "larmia është e nevojshme, është e domosdoshme", megjithëse, shpjegon Papa, "çdo tingull duhet të kontribuojë në partiturën e përbashkët", prandaj, "dëgjimi i njëri-tjetrit është thelbësor: çdo muzikant duhet t’i dëgjojë të tjerët". Ndërsa “drejtori i orkestrës është në shërbim të kësaj lloj mrekullie, që është, çdo herë, ekzekutimi i një simfonie”. Ai e ka për detyrë “të dëgjojë më shumë se gjithë të tjerët” dhe të “ndihmojë secilin e gjithë orkestrën të zhvillojë në maksimum besnikërinë krijuese, besnikërinë ndaj veprës, që po ekzekuton”. Pikërisht imazhi i orkestrës na mëson "si të jemi Kishë simfonike dhe sinodale", nënvizoi Papa Françesku, i cili ia propozoi këtë imazh kolegjit kardinalor "me besimin ngushëllues se kemi si dirigjent e mjeshtër Shpirtin Shenjt: mësues shpirtëror i secilit dhe mësues i udhës së përbashkët”, që “krijon larmi dhe unitet” dhe “është vetë harmonia”.

Koncistori
Koncistori

Jini ungjillëzues të ungjillëzuar dhe jo funksionarë

Disa herë, Papa përmendi fragmentin ungjillor, që tregon për "pagëzimin në Shpirtin Shenjt", për dhuratën e Ungjillit, marrë në gjuhë të ndryshme, gjë që duhet të zgjojë mahnitje dhe mirënjohje për Lajmin e Mirë, i cili na ka ardhur "në gjuhët tona, në buzët e në gjestet e gjyshërve dhe të prindërve tanë, të katekistëve, të meshtarëve, të besimtarëve”, transmetuar edhe “në dialekt, nga nënat e gjyshet”.

“Jemi ungjillëzues në masën me të cilën ruajmë në zemra mahnitjen dhe mirënjohjen se jemi ungjillëzuar. Madje, që ungjillëzohemi përherë, sepse në të vërtetë, kjo është dhuratë gjithnjë aktuale, që ka nevojë të përtërihet vazhdimisht në kujtesë e në fe. Ungjillëzues të ungjillëzuar dhe jo funksionarë”.

Pjesëmarrja në Koncistor
Pjesëmarrja në Koncistor

Rrëshajët, akt krijues, që Zoti e rinovon vazhdimisht

Ati i Shenjtë i ftoi të pranishmit të shohin Rrëshajët, ngjarje, që nuk i përket së shkuarës, por "akt krijues, të cilin Zoti e rinovon vazhdimisht", "mister gjithmonë aktual", nga i cili jeton "Kisha dhe secili prej anëtarëve të saj”. Sepse Kisha "nuk jeton 'nga të ardhurat' - shtoi Françesku - dhe aq më pak, nga ndonjë trashëgimi arkeologjike", por "rron në të sotmen e Zotit, për vepër të Shpirtit Shenjt”.

“Sot, në dritën e Fjalës së Hyjit, ne mund ta kuptojmë këtë realitet: ju kardinaj të rinj keni ardhur nga anë të ndryshme të botës dhe i njëjti Shpirt Shenjt që e bëri të frytshëm ungjillëzimin e popujve tuaj, tani përtërin në ju thirrjen dhe misionin tuaj në Kishë dhe për Kishën”.

Pasi përfundoi homelinë, Françesku krijoi dhe shpalli kardinajtë e rinj, duke ua shqiptuar emrat e duke i ftuar, më pas, të deklarojnë besimin e tyre në Zotin dhe besnikërinë ndaj Kishës. “Premtoj dhe betohem se do të qëndroj, tani e përgjithmonë, sa të jem gjallë, besnik ndaj Krishtit dhe Ungjillit të tij, duke iu bindur vazhdimisht Kishës Shenjte Apostolike Romake...” deklaruan ata, duke u përkulur para Papës. Njëri pas tjetrit morën kësulën dhe kapelën kardinalore. Nga dita e sotme, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 242 kardinaj, prej të cilëve 137 zgjedhës dhe 105 pa të drejtë vote, që do të thotë se nuk mund të zgjedhin Papën e ardhshëm në Konklav. Ndër ata pa të drejtë vote është edhe kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani.

30 shtator 2023, 11:27