Kërko

Takimi i fëmijëve me Papën Françesku Takimi i fëmijëve me Papën Françesku

Përqafimi i Papës me fëmijët e Kampit Veror të Vatikanit

Si të ishte një gjysh mes nipërve të vet, sot paradite, në Sallën Pali VI, Françesku u takua me rreth 250 fëmijë të moshës 5 deri në 13 vjeç, të cilët po marrin pjesë në edicionin 2023 të nismës verore të Vatikanit. Ndërmjet muzikës dhe valleve, Papa foli me të rinjtë dhe animatorët dhe mori prej tyre dhurata të këndshme

R.SH. - Vatikan

I pritur me këngë dhe valle, duartrokitje dhe buzëqeshje spontane, Papa Françesku takoi sot paradite rreth 250 fëmijët dhe të rinjtë e moshës 5 deri në 13 vjeç, që po marrin pjesë në edicionin e vitit 2023 të Kampit Veror në Vatikan. Është fjala për fëmijët e punonjësve të Selisë së Shenjtë, të cilët në Sallën Pali VI, kalojnë verën të ndjekur nga argëtues dhe edukatorë ekspertë. Një veprimtari "shumë e vlerësuar", siç pohoi vetë Françesku në Engjëllin e Tënzot të së dielës së kaluar. I shoqëruar nga Át Franco Fontana, drejtor i bashkësisë saleziane të Vatikanit, Papa foli me të rinjtë dhe fëmijët e ndarë në tre grupe dhe tre ngjyra, sipas moshës: nga 5 në 7 vjeç, nga 8 në 10 vjeç dhe nga 11 në 13 vjeç. Dy vogëlushë i dhuruan Papës një pankartë me një vizatim dhe me mbishkrimin " You help us to bee heroes", një lojë fjalësh në anglisht në të cilën folja "be", të jesh, zëvendësohet me "bee", bletë, e cila është tema e edicionit të sivjetëm të Kampit Veror, së bashku me atë të superheronjve. E fjala "Hero" ishte shkruar bukur në një medaljon prej kartoni, dorëzuar Papës, i cili e vuri menjëherë në qafë.

Para se të takohej me fëmijët, Papa bisedoi me animatorët dhe argëtuesit në Sallën Pali VI, si edhe me partnerët, që mbështetën projektin “Vera e Fëmijëve”, duke besuar menjëherë në të dhe duke kontribuar aktivisht përmes laboratoreve dhe nismave të tjera.

18 korrik 2023, 15:27