Kërko

2022.10.27 croce - fede 2022.10.27 croce - fede 

Papa themelon Komisionin e Martirëve të Rinj, dëshmitarë të fesë

Me rastin e Jubileut të vitit 2025, Françesku vendosi të krijojë pranë Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, një grup pune për të hartuar katalogun kushtuar të gjithë atyre që derdhën gjakun për të dëshmuar Krishtin, në çerek shekullin e fundit: "Nuk mund t'i harrojmë!"- pohoi. Kërkimi i heroizmit të tyre do të shtrihet në të gjitha konfesionet e krishtera, e jo vetëm ndër katolikët.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, me një Letër, që u bë e njohur të mërkurën, 5 korrik, krijoi pranë Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, "Komisionin e Martirëve të Rinj - Dëshmitarë të Fesë". Rasti, Jubileu i vitit 2025. Synimi kryesor i grupit të punës do të jetë hartimi i një Katalogu, i cili do të përjetësojë emrat e të gjithë atyre që derdhën gjakun për të dëshmuar Krishtin dhe Ungjillin e Tij.

Papa: Martirët, dëshmitarë të shpresës!

“Martirët në Kishë - shkruan Françesku - janë dëshmitarë të shpresës, që buron nga besimi në Krishtin dhe nxit dashurinë e vërtetë. Shpresa e mban gjallë bindjen e thellë se e mira është më e fortë se e keqja, sepse Zoti, në Krishtin, e mundi mëkatin dhe vdekjen”.

Komisioni do të vazhdojë kërkimin, tashmë të filluar me rastin e Jubileut të Madh të vitit 2000, për të identifikuar Dëshmitarët e Fesë në këtë çerek shekulli të parë e për ta vazhduar më pas punën edhe në të ardhmen.

Martirët - shpjegon Françesku - shoqëruan jetën e Kishës në çdo epokë, ndaj edhe sot e kësaj dite lulëzojnë si 'fryte të pjekura të hardhisë së Zotit'... Janë më të shumtë në kohën tonë, se në shekujt e parë: ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë e rregulltare, laikë e familje. Në vende të ndryshme të botës, me dhurimin e jetës së tyre, dhanë provën më të lartë të bamirësisë”.

Shën Gjon Pali II në Letrën e tij Tertio Millennio Adveniente pati pohuar se duhej bërë gjithçka e mundur që trashëgimia e "ushtarëve të panjohur të kauzës së madhe të Zotit" të mos humbasë. Më 7 maj 2000 këta martirë u kujtuan gjatë një kremtimi ekumenik në Koloseum, ku u mblodhën përfaqësues të kishave dhe bashkësive kishtare nga e gjithë bota, për t’i përkujtuar “të martirizuarit” së bashku me ipeshkvin e Romës, që e quajti këtë "ekumenizmi i gjakut".

Kritere të reja për vlerësimin kanonik të martirizimit

 “Në jubileun e ardhshëm - shton Papa - do të mblidhemi përsëri së bashku për një kremtim të tillë. Me këtë nismë nuk synohet të vendosen kritere të reja për vlerësimin kanonik të martirizimit, por të vazhdojë kërkimi i  nisur i atyre që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të vriten vetëm pse janë të krishterë”. “Është fjala për vazhdim, prandaj - shpjegoi Papa – për sondazh historik, që synon të mbledhë dëshmitë e jetës, deri në dhurimin e gjakut, të këtyre motrave dhe vëllezërve tanë, në mënyrë që kujtimi i tyre të ruhet si thesar në bashkësinë e krishterë. Kërkimi nuk ka të bëjë vetëm me Kishën Katolike, por do të shtrihet në të gjitha konfesionet e krishtera”.

05 korrik 2023, 12:43