Kërko

Papa, të hapen shtigjet e paqes në Tokën Shenjte, lutje për Ukrainën

Pas lutjes mariane të Engjëllit Tënzot, Papa kujtoi ngjarjet që vijojnë ta gjakosin botën dhe shprehu dhimbjen për dhunën e re të shpërthyer në Lindjen e Mesme. Përsëriti edhe thirrjen për t'i dhënë fund armiqësive në Ukrainë!

R.SH. / Vatikan

Pas lutjes mariane të Engjëllit Tënzot, Papa Françesku kujtoi  sot edhe ngjarjet që vijojnë ta gjakosin botën dhe shprehu dhimbjen për dhunën e shpërthyer në Lindjen e Mesme, ndërsa bëri thirrje për një dialog të ri mes palëve:

"Me dhimbje mësova se është derdhur sërish gjak në Tokën Shenjte. Shpresoj se autoritetet izraelite dhe palestineze do të rifillojnë dialogun e drejtpërdrejtë, për t'i dhënë fund spirales së dhunës dhe për të hapur shtigjet e pajtimit dhe paqes".

Përsëri, lutje për Ukrainën

Në përfundim të Lutjes mariane, Papa përshëndeti tejet dashamirësisht një grup shtegtarësh ukrainas, duke kërkuar edhe një herë lutje për popullin "e vënë në një provë kaq të rëndë”, që "vuajti e vuan kaq shumë".  Në përfundim bekoi skautët dhe studentët e universitetit Lvivit, 'njerëz që vuajnë'.

 

09 korrik 2023, 14:29