Kërko

Papa me emigrantin Bentelo Papa me emigrantin Bentelo   (© Nello Scavo - Avvenire)

Papa përqafon Bentolon, emigrant që shpëtoi nga dhuna e mbytjet

Në mëngjesin e së premtes, 21 korrik, një delegacion i Mediterranea Saving Humans u prit nga Françesku në Shën Martë. I pranishëm, edhe refugjati i ri nga Kameruni, i burgosur i kampeve libike të përqendrimit, ku i ngushëlloi shokët e tij që po vdisnin, duke i ndihmuar të luten me një celular të gjetur fshehurazi, me kapelanin e OJQ-së, don Mattia Ferrari. Meshtari: "Bentolo realizoi një ëndërr, duke takuar Papën"

R. SH. - Vatikan

“Si është e mundur që njeriu më i rëndësishëm mbi dhe, dëshiron të më takojë mua, që tani për tani nuk i kam as ‘letrat’, domethënë, dokumentet?”. Bentolo është një i ri kamerunian i cili, në vitin 2020, jetonte në kushtet e konfliktit në vendin e tij. E edhe në udhëkryq: të luftonte, apo të ikte. Zgjodhi udhën e dytë: të mos dorëzohej para logjikës së urrejtjes. Arratisja e tij, si për mijëra emigrantë afrikanë, u pasua nga dhuna, burgosja, mbytja e anijeve. E edhe nga dhimbja, duke parë sesi shokët e tij i nënshtroheshin torturave.

Audienca me Mediterranea Saving Humans

Mëngjesin e 21 korrikut, Bentolo u prit në një audiencë private në Shtëpinë e Shën Martës, nga Papa Françesku së bashku me një delegacion nga Mediterranea Saving Humans, OJQ-ja e themeluar nga Luca Casarini (i pranishëm në audiencë) e cila i siguroi djalit fillesën e një jete të re. Jetë ndryshe, jetë më e mirë ose thjesht, jetë. Jetë, që Samiu dhe refugjatët e tjerë që mbetën në Libi, nuk kanë mundësi ta jetojnë sot.

Për audiencën e djeshme, për historinë e emigrantit të ri dhe emocionin e tij përpara bekimit të Papës, na flet Don Mattia Ferrari, kapelan i Mesdheut, i cili publikoi në Facebook edhe një foto të grupit në Shën Martë, ku shohim njerëzit, që shoqërojnë Bentolon, si Kátia Lôbo Fiterman; motër Adriana, kapelane e Spin Time Labs, një nga bazat romake të Mesdheut dhe gazetari i Avvenire-s, Nello Scavo, të cilin Françesku e falënderoi për punën e tij si korrespondent në zonat më të nxehta të botës.

Udha e kryqit e Bentolo-s

Pikërisht Scavo, në gazetën CEI, përshkon Udhën e Kryqit të Bentolos në Libi, kapur nga trafikantët dhe shitur te gardianët e shtetit, të cilët e çuan atë në një kamp burgu zyrtar në Zawiyah, nën kontrollin e milicisë al-Nasr dhe grupit të rojes bregdetare, major Abdurahman al-Milad e, më pas, në Zuara. Në një nga qendrat e paraburgimit, djali kamerunian gjeti refugjatë të tjerë të krishterë sub-Saharianë, disa prej të cilëve vdisnin pas muajsh torture dhe mungesash.

Pranë shokëve, që shuhen

Nga Libia, djali arriti të lidhet me disa aktivistë të të drejtave të njeriut, të cilët mundi t’i kontaktojë përmes një celulari, të fshehur nga të burgosurit. Nëpërmjet aktivistëve u lidh me Don Mattia Ferrarin, nga i cili kërkoi “një fjalë ngushëllimi për këta vëllezër që po vdesin”. Prifti modenez arriti të lutej me djemtë e burgosur, duke e shoqëruar njërin prej tyre deri në vdekje. "Në këtë mënyrë - kujton Bentolo në Avvenire - Samiu vdiq i ngushëlluar nga bekimi, e kjo e qetësoi, para se të largohej nga ne e të niste një rrugë edhe më të largët se jona".

Më pas gjurmët e Bentolo-s humbën. "Ne kishim frikë se ai ishte gëlltitur nga sistemi kriminal libian - shpjegon Don Mattia Ferrari - ose se ishte mbytur në det". Pastaj një ditë anija e shpëtimit e organizatës humanitare gjermane Sea Watch ndërhyri në Mesdheun Qendror, duke shpëtuar dhjetëra refugjatë që kishin rënë në ujë nga një varkë. Ndërmjet tyre ishte edhe Bentolo, i cili, sapo zbarkoi në Itali, u përpoq sërish të takohej me Don Ferrarin. Tani ai është mysafir në një qendër pritjeje.

“I shëruar” nga përqafimi i Papës

Bentolo tha se ishte "shëruar" nga të gjitha këto plagë kur u gjend në krahët e Papës, i cili javët e fundit ishte informuar për historinë e dhimbshme të djalit. “Po prisja të të takoja. Gjesti juaj më emocionoi”, i tha i riu Papës. E, duke ia shtrënguar ëmbëlsisht duart, e siguroi: "Tani do të thërras miqtë e mi që janë ende të burgosur në Libi dhe do t'u çoj bekimin e Tuaj".

“Kur më shumë se një vit më parë Bentolo na kontaktoi nga Libia, nuk e mendoja se do ta shihja ndonjëherë”, thotë Don Ferrari në postimin e tij në rrjetet sociale. "Shumë njerëz më kanë mësuar se kur dashuron, duhet të luftosh deri në fund dhe nëse shkojmë deri në fund, ose vjen fundi, ose ndodhin mrekulli". Bentolo luftoi dhe përfundimisht arriti në Evropë. “E jo vetëm arriti deri këtu, por sot ai realizoj ëndrrën për të takuar Papën Françesku. Dukej një ëndërr e pamundur, e tani është realitet”.

Françesku në dëgjim

Françesku - kujton kapelani - jo vetëm që donte të takohej me të riun kamerunian, "por sidomos ta dëgjonte, atë, përvojën e tij, dëshirat e tij". Ajo që e preku më shumë Papën, ishte fakti se Bentolo - nënvizon Ferrari, "deshi të qëndronte pranë shokëve të tij në vështirësi edhe kur ishte në Libi, në një situatë të tmerrshme", "situatë çnjerëzore" në Tunizi dhe Libi.

Një tragjedi, që duket në një fotografi, qarkulluar orët e fundit në internet, ku shikojmë një grua me vajzën e saj 5-vjeçare në krah, duke vdekur në shkretëtirë nga uria, vapa dhe etja. Një pamje që e shikoi edhe Papa, përballë së cilës shprehu dhimbjen e thellë për këto njerëz, për vuajtjet e për vdekjen e tyre.

22 korrik 2023, 13:37