Kërko

Fushë me grurë Fushë me grurë

Papa për FAO-n: uria në botë shtohet, e pashmangshme ndërhyrja

Në një mesazh, lexuar nga imzot Chico Arellana, vëzhgues i Selisë së Shenjtë në institucionet e Kombeve të Bashkuara, që merren me sigurinë ushqimore dhe shpërndarjen e barabartë të ushqimit në botë, Papa nënvizon nevojën e impenjimit të koordinuar për t'u dhënë të gjithëve dinjitet njerëzor, duke zgjidhur problemin e mungesës së ushqimit

R.SH. – Vatikan

         “Miliona njerëz vazhdojnë të vuajnë nga varfëria dhe mungesa e ushqimit në mbarë botën, për shkak të konflikteve të armatosura, të ndryshimeve klimatike dhe të fatkeqësive natyrore që pasojnë”. Për këtë arsye, është “i pashmangshëm”, “impenjimi vendimtar dhe kompetent për të zhdukur plagën e urisë në botë, e cila po përhapet në vend që të pakësohet". Kështu deklaron Papa Françesku në një mesazh për sesionin e 43-të të Konferencës së FAO-s (Organizatës së OKB-së për Ushqimin e Bujqësinë), lexuar nga imzot Fernando Chica Arellano, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në FAO, IFAD dhe WFP.

Fyerje e rëndë për dinjitetin njerëzor

“Varfëria, pabarazia, mungesa e elementeve bazë si ushqimi, uji i pijshëm, kujdesi shëndetësor, arsimi, strehimi, janë cënim serioz i dinjitetit njerëzor”, thekson Papa, duke nënvizuar se “shpërnguljet masive, të kombinuara me pasojat e tjera të tensioneve politike, ekonomike dhe ushtarake në shkallë globale, dobësojnë përpjekjet e bëra për të siguruar përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve”.

Jo kolonizimit ideologjik

Objektivi “Zero Uri” i OKB-së, e cila ka caktuar vitin 2030 si afatin përfundimtar për arritjen e sigurisë ushqimore së mbarë njerëzimit, sipas ekspertëve, nuk do të plotësohet në afatin e parashikuar. Megjithatë, kjo paaftësi për të marrë përsipër përgjegjësitë, nuk duhet të çojë në shndërrimin e synimeve fillestare në programe të reja të rishikuara, që nuk marrin parasysh nevojat reale të bashkësive lokale. Duhet të shmanget "kolonizimi ideologjik", që nuk pyet për larminë kulturore dhe traditat, "në emër të një ideje dritëshkurtër për përparimin njerëzor".

Impenjimi i Selisë së Shenjtë që të mos i mungojë askujt “buka e përditshme”

Prandaj, është i domosdoshëm impenjimi i përbashkët i gjithë familjes së kombeve dhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve, sidomos ndërmjet "qeverive, ndërmarrjeve, botës akademike, institucioneve ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe individëve", për të "koordinuar masa parandaluese në të mirën e të gjithëve, veçanërisht për më të varfërit". Selia e Shenjtë, nga ana e saj, përfundon Papa, do të vazhdojë të kontribuojë, "që askush në botë të mos privohet nga buka e përditshme dhe planetit t'i jepet mbrojtja e duhur, në mënyrë që të kthehet në kopshtin e bukur të duarve të Krijuesit, për gëzimin e qenieve njerëzore”.

03 korrik 2023, 15:48