Kërko

Padre  Paolo Dall'Oglio e la comunità di deir mar musa COP Padre Paolo Dall'Oglio e la comunità di deir mar musa COP

Papa: nga Atë Dall'Oglio, një trashëgimi dashurie dhe dialogu me Islamin

Papa nënshkruan parathënien e librit "Testamenti im" (Centro Ambrosiano Editrice) vepër e Atë Paolo Dall'Oglio, botuar në dhjetëvjetorin e zhdukjes së tij pa gjurmë, në Siri, më 29 korrik. Në vëllim, jezuiti komenton Rregullën e bashkësisë murgare të Deir Mar Musa, themeluar prej tij. Shkruan Françesku: "Është prekëse sot të rilexosh disa fragmente profetike të një teksti, që i ngjan shumë testamentit shpirtëror". Teksti i Papës u publikua nga Sole24Ore

R.SH. / Vatikan

"Është prekëse sot të rilexosh disa nga faqet e këtij libri, që i ngjan shumë testamentit shpirtëror, në të cilin atë Paolo Dall'Oglio komenton Rregullën e bashkësisë murgare të Deir Mar Musa, dmth, rrëfen synimet e thella që e nxitën ta ringjallte manastirin tejet të lashtë sirian të shekullit të 6-të pas Krishtit, duke ringjallur, kështu, traditën e madhe shpirtërore të etërve të shkretëtirës e duke i dhënë njëkohësisht, kuptim të ri të dëshmisë së dashurisë së Krishtit, në kontekstin arabo-mysliman". Kështu shkruan Papa Françesku në të përditshmen italiane Il Sole 24 Ore duke kujtuar At Dall'Oglio

PAPA FRANÇESKU

Shfletohen me emocion faqet e këtij libri, në të cilin At Paolo Dall'Oglio, jezuit, komenton Rregullën e bashkësisë murgare të Deir Mar Musa, dmth rrëfen synimet e thella që e nxiten ta ringjallte manastirin e lashtë sirian të shekullit të 6-të pas Krishtit, duke ringjallur, kështu, traditën e madhe shpirtërore të etërve të shkretëtirës e duke i dhënë njëkohësisht, kuptim të ri të dëshmisë së dashurisë së Krishtit, në kontekstin arabo-mysliman.

Mar Musa al-Habashi (Shën Moisiu Abisin) ishte krijesa e tij, e themeluar me një dashuri të papërshkrueshme: bisedat me sivëllezërit e tij - rreth kuptimit të Rregullës – shquhen nga një pasion të madh. Një shpirt i lirë, që nuk i pranon formalitetet as frazat e rrethanave; ndonjëherë ekstrem, siç e pranon edhe ai vetë, e jo pa një dozë të hollë autoironie. Këto biseda zbulojnë edhe thellësinë e vizionit të tij. Pikësynimin e tij. “Një manastir në shkretëtirë - shpjegon me këtë figurë prekëse - është dritë që shihet nga larg, ndalesë në rrugë, stacion shtegtimi; për ne është si lisi i Mambres ku Zoti është mysafiri ynë e ne, të  Tijtë».

Kanë kaluar dhjetë vjet që kur nuk kemi më asnjë lajm  nga Atë Paolo. Me guxim të madh kishte kërkuar takim me rrëmbyesit e dy ipeshkvijve, njëri ortodoks sirian dhe tjetri ortodoks grek, të zhdukur disa javë më parë në veri të Sirisë. Pastaj mbi të ra errësira e dendur. Familjes dhe miqve të tij deri tani u është mohuar edhe gjesti i mëshirshëm i një trupi të kthyer, mbi të cilin mund të shfresh lotët e palotuar, duke i bërë edhe një varrim dinjitoz. Nuk gjenden fjalë për ta shprehur këtë dhimbje, as nuk mund t'i japim emër e arsye urrejtjes së përndjekësve të tij të mundshëm.

Ndërkaq, dimë atë, që ai nuk do ta kishte dëshiruar: ta fajësonte Islamin për zhdukjen e tij misterioze dhe dramatike; të hiqte dorë nga ai dialog i pasionuar, në të cilin besoi gjithmonë, duke dashur t’i "shpëtonte Islamin dhe myslimanët", siç thuhet në një nga nenet e Rregullës së Tij. Në këtë pikë At Paolo ishte shumë i qartë. Nuk i anashkalonte problemet, dëgjonte rrëfimet ngarkuar me vuajtjet e vëllezërve të tij të krishterë arabë, të koptëve, të kaldeasve, të maronitëve, të asirianëve... Por e ndjente si thirrje të veçantë të tijën e të bashkësisë së tij murgare të ecte në rrugën e vëllazërisë.  "Prandaj - pohonte - sido që të jetë situata, e duke pasur parasysh edhe më të keqen që mund të ndodhë, për ata të krishterë që thirren nga Zoti mbetet roli i dashurisë për të gjithë myslimanët".

Nuk bëhej fjalë për taktika politike, por për vështrimin e një misionari që provon sidomos mbi vetveten, fuqinë e mëshirës së Krishtit. Nuk ishte vështrim fondamentalist ky, por i ëmbël, përplot me atë shpresë, që nuk të zhgënjen, sepse mbështetet në Zotin. Gjithmonë i gatshëm për një buzagaz. Ndaj sot të emocionon në thellësi të shpirtit rileximi i disa fragmenteve profetike të këtij teksti, që i ngjan aq shumë testamentit shpirtëror. Në veçanti, kur Atë Paolo flet për ditën e mblatës të tij përfundimtare për Jezusin: «Unë them: thirrja jonë ndërmjet myslimanëve duhet stolisur me buzagaze gëzimi. E ditë gëzimi do të jetë, në dashtë Zoti, dita në të cilën do të shijojmë flijimin përfundimtar për Jezusin dhe do ta kërkojmë këtë hir; sepse është hir që askush nuk mund t'ia dhurojë vetvetes".

07 korrik 2023, 12:37