Kërko

Logoja e udhëtimit të Papës Françesku në Mongoli Logoja e udhëtimit të Papës Françesku në Mongoli

Papa në Mongoli: publikohet programi, logo dhe motoja e udhëtimit apostolik

Salla e Shtypit e Vatikanit njoftoi kalendarin e ngjarjeve dhe të takimeve të Papës gjatë vizitës së tij në vendin aziatik, nga 31 gushti deri më 4 shtator. “Shpresojmë së bashku” është motoja e zgjedhur

R.SH. – Vatikan

U publikua sot nga Salla e Shtypit e Vatikanit, programi i udhëtimit të Papës në Mongoli, nga 31 gushti deri më 4 shtator. Françesku është Papa i parë, që shkon në vendin aziatik. Ati i Shenjtë do të mbajë katër fjalime dhe një homeli. Ai do të niset më 31 gusht e do të mbërrijë më 1 shtator në kryeqytetin Ulan Bator, ku do të bëhet edhe pritja zyrtare.

Por, vetëm të nesërmen, më 2 shtator, do të fillojnë vërtet veprimtaritë e parashikuara, me ceremoninë e mirëseardhjes në Sukhbaatar, sheshin qendror të Ulan Batorit, pasuar nga vizita e kortezisë tek presidenti i Mongolisë, Ukhnaagiin Khürelsükh, në Pallatin e Shtetit. Paraditen e asaj date, Papa do t’u flasë autoriteteve, shoqërisë civile dhe Trupit diplomatik, si edhe do të takohet zyrtarisht me presidentin e me kryeministrin. Veprimtaritë e Atit të Shenjtë do të vijojnë pasdite, në orën 16:00, në takimin me ipeshkvijtë, meshtarët, misionarët, rregulltarët dhe punonjësit baritorë, në katedralen e Shën Pjetrit dhe të Shën Palit.

Të dielën, më 3 shtator, janë planifikuar dy ngjarje: në orën 10.00, takimi ekumenik dhe ndërfetar në “Teatrin Hun”, ndërsa në orën 16, mesha në “Steppe Arena”, ku Françesku do të mbajë homelinë.

E hëna, 4 shtator, dita e fundit e vizitës, fillon në orën 9.30 me takimin me vullnetarët e veprimtarët e bamirësisë dhe me përurimin e shtëpisë së mëshirës, ​​ku Françesku do të mbajë fjalimin e fundit. Në orën 11.30, ceremonia e lamtumirës në aeroportin ndërkombëtar "Chinggis Khaan" të Ulan Batorit e, në orën 12.00, nisja për në Romë, ku Papa duhet të mbërrijë në orën 17.20.

Motoja "Shpresojmë së bashku"

“Shpresojmë së bashku” është motoja e kësaj vizite, me të cilën, sqaron Salla e Shtypit e Vatikanit, “vihet në dukje kuptimi i dyfishtë i udhëtimit apostolik të Atit të Shenjtë në Mongoli, që është njëkohësisht vizitë baritore dhe vizitë shtetërore”. Për këtë arsye, u zgjodh një "virtyt tipikisht i krishterë si shpresa, por i pranuar gjerësisht edhe në ambientet jo-të krishtera, duke e lidhur edhe me fjalën ‘së bashku’, për të nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mongolisë”.

Prandaj, vazhdon nota, të shpresojmë së bashku është "një ideal i përbashkët, por edhe një element", që e karakterizon udhëtimin: "për këtë grigjë të vogël të Popullit të Zotit, prania e Atit të Shenjtë është shenjë shprese dhe inkurajimi të madh e, nga ana tjetër, Kisha në Mongoli, pavarësisht se e vogël dhe periferike, mund të jetë shenjë shprese për Kishën universale”.

Logoja

Logoja e udhëtimit papnor ka të shkruar moton e mbi të, hartën e Mongolisë, me ngjyrat kuq e blu të flamurit kombëtar. Brenda saj, shpjegon Salla e Shtypit e Vatikanit, "një ger (shtëpi tradicionale mongole), nga oxhaku i së cilës del tym i verdhë (ngjyra e Vatikanit). Në të djathtë të gerit ngrihet kryqi. Geri dhe kryqi gjenden ndërmjet dy shkrimeve vertikale, në gjuhën tradicionale mongole. Janë fjalët e motos ("shpresojmë së bashku").

06 korrik 2023, 14:21