Kërko

Il Papa, Angelus Il Papa, Angelus

Papa: mbilleni pa u lodhur kurrë Fjalën e Zotit, edhe pse bota lundron kundra

Në lutjen e Engjëllit, Françesku shpjegoi kuptimin e metaforës së bujkut, sipas Ungjillit të sotëm. I ftoi prindërit, meshtarët, rregulltarët e laikët ta vijojnë me gëzim kumtimin, pa ndjekur modat e pa e humbur kurrë guximin. Posaçërisht i nxit të rinjtë të ecin në rrugën e lutjes e të kohës kushtuar njeriut që ka nevojë, sepse nuk është kohë e humbur kot, por “kohë e shenjtë”.

R.SH. / Vatican News

Vapë e madhe. Po besimtarët ishin përsëri aty, në Sheshin e Shën Pjetrit, si zakonisht, në pritje të Papës, me sytë ngulur te Dritarja e Engjëllit.  E ndërsa u duk, duartrokitjet e pushtuan Sheshin që digjej nën diellin e zjarrtë të kulmit të verës.

Papa Françesku e nisi lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot, duke komentuar faqen ungjillore të këlsa së diele të 15-të gjatë vitit kishtar sipas Mateut (Mt 13,1-25), që flet për "mbjelljen". Shëmbëlltyrë shumë e bukur, të cilën Jezusi e përdor për të përshkruar dhuratën e Fjalës së Tij. E i ftoi besimtarët, që e ndiqnin, ta përfytyrojnë “hedhjen e farës”. Ta përfytyrojmë, pra, farën e vogël, që pothuajse nuk shihet, por rritë bimë, që bëjnë fryte.

Fara e mirë lëshon rrënjë në kohën e duhur

Papa filloi me përshkrimin e "mbjelljes", figurë shumë e bukur ungjillore, të cilën Jezusi e përdor për të përshkruar dhuratën e Fjalës së tij Hyjnore. Le të përfytyrojmë - i ftoi besimtarët - një farë: është e vogël, vështirë se mund ta shohësh, por bën të rriten bimët, që japin fryte. Fjala e Zotit është si kjo; ta mendojmë Ungjillin, një libër i vogël, i thjeshtë, që mund ta shfletojnë të gjithë e që prodhon jetë të re tek ata që e mirëpresin: Prandaj, kujtoi…

“…. nëse Fjala është fara, ne jemi toka: mund ta marrim pranojmë ose jo. Megjithatë, Jezusi, ‘bujku i mirë’, nuk lodhet kurrë duke e mbjellë atë me bujari. E njeh truallin tonë, e di se gurët e paqëndrueshmërisë sonë dhe gjembat e veseve tona (krh. v. 21-22) mund ta fishkin Fjalën, megjithatë ai  vijon të shpresojë se ne mund të japim fryte të begata (krh. v. 8)”.

Të mbjellim Ungjillin në brazdat e jetës së përditshme

Këtë bën Zoti – kujtoi Papa në vijim - e këtë jemi të thirrur ta bëjmë edhe ne: të mbjellim pa u lodhur. Por si? Le të marrim disa shembuj - vijoi - duke kujtuar, para së gjithash, prindërit:

Ata mbjellin mirësi dhe besim tek fëmijët e tyre dhe thirren për ta bërë këtë pa u çkurajuar nëse nganjëherë duket se nuk i kuptojnë dhe nuk i vlerësojnë mësimet e tyre, ose nëse mendësia e botës ‘funksionon kundër’. Fara e mirë mbetet, kjo ka rëndësi. Mbetet dhe do të zërë rrënjë në kohën e duhur”.

Por nëse, duke iu dorëzuar mosbesimit, heqin dorë nga mbjellja dhe i lënë fëmijët e tyre në mëshirën e modës dhe të celularëve, pa u kushtuar kohë, pa i edukuar, atëherë toka pjellore do të mbushet me barërat e këqija.

Forca e lutjes

Le të shohim, pastaj, të rinjtë - tha Papa - edhe ata mund ta mbjellin Ungjillin në brazdat e jetës së përditshme. Për shembull me lutjen. Është një farë e vogël që nuk shihet, por me të cilën njeriu ia beson Jezusit gjithçka që jeton, dhe kështu Ai mund ta bëjë të mbijë, të rritet e të frytojë. Por mendoj edhe për kohën që u duhet kushtuar të tjerëve, atyre që kanë më shumë nevojë:

Mund të duket e humbur, por është kohë e shenjtë, ndërsa kënaqësitë e dukshme të konsumizmit dhe hedonizmit të lënë duarbosh. Mendoj edhe për studimin, i cili është i lodhshëm e nuk të shpërblen menjëherë, si fara e mbjellë, por është themelor për ndërtimin e një ardhmërie më të mirë për të gjithë”.

Ta mbjellim farën e Zotit në jetën tonë

Një shembull tjetër - vijoi Papa duke kujtuar mbjellësit e Ungjillit, shumë priftërinj të mirë, rregulltarë dhe laikë të angazhuar në predikim, të cilët jetojnë dhe predikojnë Fjalën e Zotit shpesh pa arritur suksese të menjëhershme. E duke porositur:

Të mos harrojmë kurrë, kur shpallim Fjalën, se edhe atje ku duket sikur asgjë nuk ndodh, në të vërtetë Shpirti Shenjt është në veprim dhe mbretëria e Zotit tashmë po rritet, përmes dhe përtej përpjekjeve tona. Prandaj, përpara me gëzim! Le të kujtojmë njerëzit që mbollën farën e Fjalës së Zotit në jetën tonë: ndoshta ajo mbiu vite pasi takuam shembujt e tyre, por gjithsesi kjo ndodhi falë tyre!”.

Në dritën e gjithë kësaj, le ta pyesim veten: a mbjell të mira? A shqetësohem vetëm për të korrur për veten time apo edhe për të mbjellë për të tjerët? A mbjell disa fara të Ungjillit në jetën e përditshme: studim, punë, kohë të lirë? A shkurajohem apo, si Jezusi, vazhdoj të mbjell, edhe nëse nuk shoh rezultate të menjëhershme?

Pas këtyre pyetjeve themelore për çdo jetë, lutja drejtuar Marisë Virgjër për të na ndihmuar të jemi gjithë jetën “bujq të mirë”:

“Na ndihmoftë Maria, të cilën ne e nderojmë sot si Virgjëresha e Bekuar e malit Karmel,  e të jemi mbjellës bujarë e të gëzuara të Lajmit të Mirë”.

16 korrik 2023, 12:40

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >