Kërko

Papa: ta lejojmë Krishtin, që e takojmë në Eukaristi, të na e shndërrojë jetën

T’ia hapim zemrën Krishtit e botës: në videon me ndjetin e lutjes për muajin korrik, publikuar sot nga Rrjeti Botëror i Lutjeve, Papa Françesku e fton çdo të krishterë ta vendosë Eukaristinë në qendër të jetës. Eukaristia është prania e Jezusit, nënvizon, na jep forcën dhe guximin për të dalë nga vetvetja e për t’i takuar të tjerët me dashuri

R.SH. – Vatikan

         “Nëse dalim nga mesha njëlloj siç hymë në të, diçka nuk shkon”: e nis kështu Papa Françesku videomesazhin, me të cilin ia beson gjithë Kishës Katolike ndjetin e lutjes për muajin korrik, përmes Rrjetit Botëror të Lutjes. Ati i Shenjtë i fton besimtarët ta vendosin Eukaristinë në qendër të jetës. Kremtimi eukaristik nuk është detyrim ritual, por "takim me Jezusin e ringjallur", i cili dhuron vetveten për ne. "Eukaristia është prania e Krishtit", që na shndërron thellësisht, vijon Papa.

         “Sa herë që marrim pjesë në Eukaristi, Jezusi vjen dhe na jep forcën të duam ashtu siç deshi Ai. Sepse na jep guximin për t'u takuar me të tjerët, për të dalë nga vetvetja dhe për t'ua hapur zemrën të tjerëve me dashuri”.

         Eukaristia, vazhdon Françesku në video, është "nxitje për t'ia hapur zemrën edhe botës, siç na ka mësuar Krishti", është ushqim për jetën tonë dhe, përmes nesh, bëhet ushqim për të afërmit. Prej këtej, ndjeti i Papës për muajin korrik:

“Të lutemi që katolikët të vendosin në qendër të jetës kremtimin e Eukaristisë, e cila i shndërron marrëdhëniet njerëzore dhe i hap zemrat për takimin me Zotin e me vëllezërit”.

Ta dhurojmë dashurinë, që na është dhuruar

Në videon e këtij muaji shihen tre besimtarë, të cilët - në fund të meshës - u çojnë Eukaristinë vëllezërve dhe motrave në nevojë, jashtë kishës, duke u dhuruar atë dashuri, që morën në Sakrament. "Skenat e jetës së përditshme - shpjegon një notë e Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës - janë xhiruar në qytetin amerikan të Detroitit". Bashkëpunimi me atë kryedioqezë amerikane nuk është i rastësishëm. Kryeipeshkvi, imzot Allen H. Vigneron, nënvizon se “të gjitha dioqezat në SHBA-të impenjohen këto kohë për një rilindje eukaristike që të rifitohen njohuritë dhe përkushtimi për Jezu Krishtin në të Shenjtnueshmin Sakrament. Lutemi që kjo video të na shërbejë të gjithëve, në Kishën universale, si ftesë urgjente për ta takuar Jezusin dhe për ta falënderuar për dhurimin e çmuar të vetvetes në Eukaristi”.

03 korrik 2023, 16:02