Kërko

Papa Françesku me drejtuesit e Real Club Celta Vigo Papa Françesku me drejtuesit e Real Club Celta Vigo

Papa me Celta Vigo: ngjyrat e skuadrës të mos përdoren për të përjashtuar të tjerët

Futbollistëve të skuadrës spanjolle Real Club Celta të Vigos, Ati i Shenjtë u nënvizoi vlerën e mirëpritjes së të huajve që luajnë me ta, të lojës që nuk është individualizëm vetmitar e të ngjyrave të skuadrës, që nuk përfaqësojnë përjashtime, por dashuri

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite në audiencë skuadrën spanjolle Real Club Celta të Vigos. Futbollistëve u nënvizoi vlerën e mirëpritjes së të huajve që luajnë me ta, të lojës që nuk është individualizëm vetmitar e të ngjyrave të skuadrës, që nuk përfaqësojnë përjashtime, por dashuri.

Ngjyrat e Virgjërës Shenjte e kryqi i Shën Jakut

         Duke u kujtuar se ngjyrat e flamurit të tyre bardh e kaltërt janë të njëjta me ngjyrat e Virgjërës Shenjte, por edhe me ato të flamurit të Argjentinës, Papa vuri në dukje historinë e emigrantëve, që nga Spanja shkuan për në Argjentinë. Zemra e njerëzimit, vërejti ai, përbëhet nga copëzat e zemrës, që emigrantët lënë pas e që rrahin ende në tokën e tyre të origjinës. E gjithë bota është e bashkuar nga këto copëza. Ngjyrat e flamurit, si ngjyrat e Shën Marisë, bashkojnë Spanjën me Argjentinën e me anë të tjera të botës, ashtu si edhe kryqi i Shën Jakut – tjetër simbol në emblemën e skuadrës Celta Vigo – që, përmes shenjtërores së Kompostelës, e bashkon Spanjën me Evropën e me gjithë krishtërimin. Pikërisht, duke u nisur nga ngjyrat e flamurit, Françesku i ftoi që, duke e mbrojtur atë, të mos ia harrojnë kuptimin e vërtetë.

Armët tuaja janë gjestet e vogla, është puna në skuadër

Vini nga "një tokë, që nuk ia mbyll dyert vëllait, i cili mbërrin si shtegtar, si edhe njerëzve të aftë të lënë gjithçka për të përballuar ndërmarrje më të larta. Frymë aventure e shëndoshë e frymë mikpritjeje vëllazërore”.

“Si në stadium, ashtu edhe në jetë, armët tuaja, si kryqi i Shën Jakut që e keni në krye, janë ato gjeste të vogla, të cilave nganjëherë nuk u kushtojmë rëndësi: - u theksoi Papa anëtarëve të skuadrës spanjolle të futbollit – per shembull, të fitosh me përvujtëri, të punosh si ekip pa u mbështetur vetëm në forcat vetjake, duke e kuptuar se fitorja u përket të gjithëve. Kjo punë në skuadër është e rëndësishme: kur në botën e sportit nuk punohet si skuadër, të gjithë humbasin”.

Shiheni tjetrin si mik

Papa i këshilloi futbollistët të mësojnë edhe të flijohen për tjetrin, kur është e nevojshme e ta shohin ndeshjen me skuadrat e tjera si rast për ta përmirësuar vetveten. Kështu,

“…tjetri, më shumë se kundërshtar i denjë për respekt, është gjithnjë mik i mirëpritur. Nëse loja dhe jeta jonë, koherente ndërmjet tyre, do të japin këtë shembull, do të jemi në gjendje të transmetojmë jo pasionin për ngjyrat e skuadrës, që përjashtojnë, por dashurinë për atë, që përfaqësojnë”.

Së fundi, Papa përmendi përmasën amatoriale të sportit, e cila nuk duhet humbur, përndryshe, vetë sporti kthehet në tregti, pa pasion.

10 korrik 2023, 12:54