Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot Papa në Engjëllin e Tënzot

Papa: me dëgjim e dëshirë të sinqertë për t’u kuptuar, kështu zgjidhen konfliktet

Në Engjëllin e Tënzot Papa kujtoi se të gjithë jemi profetë e dëshmitarë të Krishtit, secili sipas gjendjes, thirrjes e mjedisit ku jeton. “Është mirë t’i dëgjosh të gjithë” e të dialogosh me besimin se secili “e ka diçka të rëndësishme për ta thënë, një dhuratë profetike për ta ndarë me të tjerët. Saktësoi edhe se profeti nuk është magjistar e se i krishteri nuk i ndjek bestytnitë”.

R.SH. - Vatikan

Papa, që nuk pushon kurrë, këto ditë vere është me pushime. Gjë që nuk e pengon aspak të kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot, të dielave, kur Sheshi i mbushur plot e pret padurim, si priste dikur profetët! E çuditërisht Ungjilli i kësaj së dieleje përkonte pikërisht me temën e profecisë! Në Ungjillin e sotëm Jezusi na thotë: “Kushdo që pret një profet sepse është profet, do të ketë shpërblimin e profetit” (Mt 10:41).

Po kush janë profetët?

Flitet për profetin, por kush është profeti? - pyeti Papa, për t’iu përgjigjur sakaq pyetjes retorike, tipike për predikimet e Tij. - Ka nga ata që e përfytyrojnë si një lloj magjistari, i cili parashikon të ardhmen; kjo është  ide supersticioze, por i krishteri nuk beson në bestytni, si magji, letra, horoskopë apo parafolje të ngjashme. Të tjerë e pikturojnë profetin vetëm si figurë që vjen mes nesh nga e kaluara, parafolës që jetoi para Krishtit, për të paralajmëruar ardhjen e Tij. Megjithatë - vijoi Papa - vetë Jezusi sot na kujton nevojën për t’i mirëpritur profetët; pra ata ende ekzistojnë! Po kush janë? Profet, vëllezër e motra, është secili prej nesh: me Pagëzimin të gjithë morëm dhuratën dhe misionin e profecisë (shih Katekizmi i Kishës Katolike, 1268):

“Profet është ai që, me anë të Pagëzimit, i ndihmon të tjerët të lexojnë të tashmen nën veprimin e Shpirtit Shenjt, të kuptojnë planet e Zotit dhe t'u përgjigjen atyre. Me fjalë të tjera, është ai që ua vë në dukje Jezusin të tjerëve, që e dëshmon, që të ndihmon për ta jetuar të sotmen dhe për ta ndërtuar të nesërmen sipas planeve të Tij”.

Ne jemi të gjithë profetë

 Pra - kujtoi Papa - ne jemi të gjithë profetë, dëshmitarë të Jezusit "që fuqia e Ungjillit të shkëlqejë në jetën e përditshme, familjare dhe shoqërore"(Lumen Gentium, 35):

“Profeti është shenjë e gjallë, që ua tregon Zotin të tjerëve, është  pasqyrim i dritës së Krishtit në rrugën e vëllezërve”.

Këtë theksoi Papa, pasuar nga një mori pyetjesh, që presin gjegje: “Unë, që u ‘zgjodha profet’ në Pagëzim, a flas e, mbi të gjitha, a jetoj si dëshmitar i Jezusit? A sjell pak nga drita e Tij në jetën e ndokujt? A e pyes veten: si është dëshmia ime, profecia ime?

Ta mirëpresim njëri-tjetrin!

Në Ungjill - kujtoi në vijim Papa - Zoti kërkon edhe të mirëpriten profetët; prandaj është e rëndësishme ta mirëpresim njëri-tjetrin si të tillë, si bartës të një mesazhi që vjen nga Zoti, secili sipas gjendjes dhe thirrjes së tij, dhe ta bëjmë këtë ku jetojmë: në familje, në famulli, në bashkësitë fetare, në fusha të tjera të veprimtarisë së Kishës dhe të shoqërisë. Shpirti Shenjt ia shpërndan dhuratat e profecisë Popullit të Zotit: për këtë arsye është mirë të dëgjojmë të gjithë. Për shembull, kur duhet të merret një vendim i rëndësishëm, është mirë para së gjithash të luteni, ta thërrisni Shpirtin Shenjt, por më pas të dëgjoni dhe të dialogoni, me besimin se secili, edhe më i vogli, e ka diçka të rëndësishme për ta thënë, e ka një dhuratë profetike për ta ndarë:

“Kështu kërkohet e vërteta dhe përhapet atmosfera e dëgjimit të Zotit dhe vëllezërve e motrave, e njerëzit nuk ndihen të mirëpritur vetëm nëse thonë çka na pëlqen, por ndihen të pranuar dhe të vlerësuar si dhuratë, ashtu siç janë”.

Ta mirëpresim dhe ta kuptojmë njëri tjetrin!

Pas këtij shpjegimi, Papa i ftoi dëgjuesit të mendojnë sa shumë konflikte mund të shmangen dhe të zgjidhen në këtë mënyrë, duke dëgjuar të tjerët me dëshirën e sinqertë për ta kuptuar njëri-tjetrin! E së fundi, edhe të pyesin veten:

“A di t'i mirëpres vëllezërit dhe motrat si dhurata profetike? A mendoj se kam nevojë për to? A i dëgjoj me respekt e me dëshirën për të mësuar? Sepse secili prej nesh duhet të mësojë nga të tjerët”.

Si zakonisht, në përfundim, Françesku i drejtoi Zojës së bekuar lutjen, në përkim të plotë me porositë që u dha besimtarëve e që nuk vlejnë vetëm për javën e ardhshme, por për gjithë jetën:

“Mari, Mbretëreshë e Profetëve, na ndihmo ta shohim dhe ta pranojmë të mirën, që Shpirti Shenjt e ka mbjellë tek të tjerët”.

02 korrik 2023, 12:33

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >