Kërko

Papa Françesku dhe imzot Luigi Bettazzi Papa Françesku dhe imzot Luigi Bettazzi

Papa: imzot Bettazzi, dëshmitar i patrembur i Koncilit

Në një telegram ngushëllimi, me firmën e Sekretarit të Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalit Pietro Parolin, Papa Françesku shpreh ngushëllimet për vdekjen e imzot Luigi Bettazzi-t, të fundmit prej etërve italianë të Koncilit II të Vatikanit, zë i fuqishëm në favor të paqes

R.SH. – Vatikan

Do të kishte mbushur 100 vjeç në nëntor, imzot Luigi Bettazzi, i fundmi prej etërve italianë të Koncilit II të Vatikanit, që ndërroi jetë të dielën, më 16 korrik. Papa Françesku e kujton sot, kur iu kremtua funerali, me një telegram ngushëllimi drejtuar ipeshkvit të Ivreas e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin.

Telegrami i Papës

Duke u shprehur afërsinë shpirtërore familjarëve dhe miqve të atij, që shërbeu për 33 vite pikërisht si ipeshkëv i Ivreas e për 17 vite si kryetar i “Pax Christi”-t, lëvizjes katolike të impenjuar për drejtësinë e paqen në botë, Papa “e kujton si të apasionuar të madh të Ungjillit, i cili u dallua për afërsinë me të varfërit, duke u bërë shenjë profetike e drejtësisë dhe e paqes në kohë të veçanta të historisë së Kishës”. Gjithashtu, Ati i Shenjtë e përmend si “njeri të dialogut e pikë referimi për eksponentë të shumtë të jetës publike e politike” të Italisë. Falënderon Zotin “për këtë dëshmitar të patrembur të Koncilit” dhe i kërkon të Gjithpushtetshmit “shpërblimin e amshuar, premtuar për shërbëtorët besnikë”, duke u dhënë të gjithëve, që e njohën dhe e deshën, bekimin e tij apostolik.

Imzot Luigi Bettazi, i ri, në Koncilin II të Vatikanit
Imzot Luigi Bettazi, i ri, në Koncilin II të Vatikanit

Kush ishte imzot Bettazzi

Lindur në Treviso të Italisë, më 26 nëntor 1923, shuguruar meshtar njëzet e tri vjet më vonë, Bettazzi u diplomua për teologji në Universitetin Papnor Gregorian dhe më pas për filozofi në Universitetin Alma Mater të Bolonjës. Në kryedioqezën e Bolonjës, u bë ipeshkëv ndihmës i kardinalit Giacomo Lercaro dhe, krah tij, mori pjesë në vitin 1963, në Koncilin II të Vatikanit, ku vetë kardinali ishte një nga protagonistët.

Pakti i Katakombeve

 Më 16 nëntor 1965, disa ditë para mbylljes së Koncilit, imzot Bettazzi zbriti me rreth dyzet etër konciliarë – kryesisht latino-amerikanë – në katakombet e Domitilla-s në Romë për të kremtuar një meshë, gjatë së cilës iu kërkua Hyjit besnikëri ndaj Shpirtit të Jezusit. Në fund, të gjithë ipeshkvijtë nënshkruan Paktin e famshëm të Katakombeve, me të cilin i nxisnin "vëllezërit e tyre ipeshkvij" të impenjoheshin në një "jetë të varfër", për një Kishë "shërbëtore dhe të varfër", siç pati këshilluar Papa shenjt Gjoni XXIII.

Imzot Luigi Bettazzi
Imzot Luigi Bettazzi

Në krye të “Pax Christi”-t

Nga viti 1966 deri në vitin 1999, imzot Bettazzi udhëhoqi si ipeshkëv dioqezën e Ivreas; në vitin 1968, u emërua fillimisht kryetar kombëtar e, më pas, më 1978, president ndërkombëtar i lëvizjes katolike për drejtësi e paqe “Pax Christi”. Kujtohen mirë thirrjet e vazhdueshme të tij për paqe, sidomos ftesa e prerë për t’iu kundërvënë nga pikëpamja fiskale shpenzimeve ushtarake, si edhe mbështetja e "Edukimit për Paqen", për të cilën u nderua me Çmimin Ndërkombëtar të UNESCO-s, në vitin 1985. Ai përkrahu lëvizjet pacifiste e mori pjesë në marshimin e Sarajevës, në vitin 1992, në mes të luftës civile në Bosnjë-Hercegovinë, krah për krah don Tonino Bello-s, të sprovuar rëndë nga sëmundja. Edhe majin e kaluar, në Ivrea, imzot Bettazzi 99 vjeçar mori pjesë në Stafetën e Humanizmit për paqen në Ukrainë. Funerali i tij u kremtua sot në Duomon e Ivreas, ku edhe u varros, në praninë e gjithë qytetarëve, në këtë ditë zie shpallur nga autoritetet.

18 korrik 2023, 15:02