Kërko

DBR: Papa Françesku DBR: Papa Françesku 

Françesku ia beson Marisë të rinjtë e DBR-së

Dje, në përfundim të Engjëllit të Tënzot, vetëm pak ditë para Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë, Françesku mendoi për të rinjtë e shumtë që do të mblidhen në Portugali nga të gjitha kontinentet dhe kërkoi mbrojtjen e Virgjërës Mari për ata që, pas Shpalljes, "u ngritën dhe shkuan me nxitim".

R. SH. - Vatikan

“Ju kërkoj të më shoqëroni me lutjet tuaja në udhëtimin tim në Portugali, për ku do të nisem nga e mërkura e ardhshme”. Papa Françesku me zemër është tashmë në mesin e të rinjve të shumtë, që udhëtojnë për në Lisbonë, me rastin e Ditës Botërore të Rinisë. Janë "shumë" - vëren - dhe nisen nga "të gjitha kontinentet": "duke jetuar dëshirën për të takuar Zotin, vëllezërit dhe motrat e tyre, të cilëve u prin Virgjëra Mari, që u ngrit dhe shkoi me nxitim, pas Lajmërimit, yll i ndritshëm i rrugës së krishterë e tejet e nderuar në Portugali” - vijoi Ipeshkvi i Romës, “së cilës ia besoj shtegtarët e DBR-së dhe të gjithë të rinjtë e botës”.

Françesku: të mos humbim kohë me kotësi, por t’i kultivojmë ëndrrat e së mirës

Sipas programit të shtegtimit ndërkombëtar të 42-të, paraqitur  këto ditë në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, Papa do të niset nga aeroporti Fiumicino i Romës në orën 7.50 të së mërkurës, 2 gusht. Mbërritja në Lisbonë, në orën 10. Papa do të pritet në Pallatin Kombëtar të Belèm nga Presidenti i Republikës Marcelo Rebelo de Sousa. Në qendrën kulturore të Belèm do të mbahet takimi me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik. Pasdite, në Nunciaturën Apostolike, Françesku do të takohet me Presidentin e Kuvendit të Republikës dhe Kryeministrin. Më vonë në manastirin Jeronimos, i mirëpritur nga Patriarku i Lisbonës, do të kremtojë mbrëmësoret me ipeshkvijtë, priftërinjtë, diakonët, rregulltarët dhe rregulltaret, seminaristët dhe veprimtarët baritorë.

Të nesërmen, e enjte, 3 gusht, takimi me studentët do të zhvillohet në sheshin përballë Universidade Catòlica Portuguesa. Më vonë në Cascais aty pranë, Françesku do të përshëndesë të rinjtë e Scholas Occurentes, do të dëgjojë dëshmitë e të rinjve të feve të ndryshme, do të nënshkruajë një flamur artistik tre kilometra të gjatë dhe do të ndihmojë, së bashku me udhëheqës të tjerë fetarë, në mbjelljen e ullirit të paqes.

Programi i DBR-së në Lisbonë, ku oqeani bashkon të rinjtë e botës

Rikthimi në Lisbonë pritet pasdite, kur do të zhvillohet ceremonia e mikpritjes së DBR-së në parkun Edoardo VII. Në mëngjesin e së premtes,  4 gusht, në kopshtin Vasco da Gama, në Belèm, Papa do të rrëfejë disa të rinj. Menjëherë më pas, në qendrën e famullisë “da Serafina”, takimi me përfaqësuesit e qendrave të ndihmës dhe bamirësisë. Pasdite vonë, me dhjetë të rinj të kombësive të ndryshme, në nuciaturën apostolike, Papa Françesku do të mbërrijë në parkun Edoardo VII për të kryesuar me të rinjtë Via Crucis – Udhën e Kryqit.

Nata pa gjumë dhe Mesha

Në mëngjesin e së shtunës, 5 gusht, Ati i Shenjtë do të vizitojë Shenjtëroren e Zojës së Fatimës, ku do të flasë dhe do t’i prijë Rruzares me të rinjtë e sëmurë. Më pas, në Lisbonë, takimi privat me anëtarët e Shoqatës së Jezusit do të bëhet në orën 18:00 dhe mbrëmja pa gjumë me të rinjtë, në Tejo Park, në orën 20.45. Mëngjesin e së dielës, sërish në parkun Tejo, Mesha e shenjtë përfundimtare. Pas dorëzimit të kryqit dhe shpalljes së selisë së DBR-së së radhës ndërkombëtare, do të mbahet takimi me vullnetarët.

Më pas, ceremonia e lamtumirës në bazën ajrore Figo Maduro dhe kthimi në Vatikan. Nisja, në orën 18.15 - mbërritja në Fiumicino, në orën 22.15.

31 korrik 2023, 13:04