Kërko

Presidenti i Ganës Nana Addo Dankowa Akufo-Addo Presidenti i Ganës Nana Addo Dankowa Akufo-Addo  (Vatican Media)

Françesku pret në audiencë Presidentin e Ganës

Nana Addo Akufo-Addo me Papën për rreth 20 minuta. Në qendër të bisedimeve në Sekretarinë e Shtetit, disa aspekte mbi situatën politike dhe socio-ekonomike të vendit, veçanërisht mbi bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe shkëmbimi i pikëpamjeve mbi problemet e paqes dhe të sigurisë botërore në vendet e Afrikës Perëndimore.

R. SH. - Vatikan

Zgjati rreth 20 minuta mëngjesin e sotëm biseda e Papës Françesku me Nana Addo Akufo-Addo, President i Republikës së Ganës, që u prit në audiencë në studion e Sallës Pali V. Pas takimit me Papën, lideri ganez u takua edhe me kardinalin Pietro Parolin, sekretar i Shtetit, i shoqëruar nga imzot Paul Richard Gallagher, sekretar i Shtetit për marrëdhëniet dhe organizatat ndërkombëtare.

Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit

"Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit - njofton një notë nga Salla e Shtypit e Vatikanit - u theksuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Ganës dhe u diskutuan disa aspekte të situatës politike dhe socio-ekonomike të vendit, veçanërisht lidhur me bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë". “Në vazhdim të bisedës - vijon komunikata - pati edhe shkëmbim mendimesh për aktualitetin ndërkombëtar, me theks të veçantë mbi problemet e paqes në botë dhe të sigurisë në vendet e Afrikës Perëndimore.

Dhuratat

Pas bisedës me Papën dhe paraqitjet e delegacionit ganez, u bë shkëmbimi i zakonshëm i dhuratave. Françesku i dhuroi Presidentit Akufo-Addo një vepër bronzi titulluar "Dashuria shoqërore": një fëmijë, që ndihmon një tjetër të ngrihet, me mbishkrimin "Duaj e ndihmo”. Përveç kësaj, Papa i dhuroi edhe Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2023, Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore dhe librin mbi Statio Orbis të 27 marsit 2020, redaktuar nga LEV.

Në fund të audiencës, me kërkesë të presidentit dhe të delegacionit, Papa Françesku u dha të pranishmëve bekimin e tij.

22 korrik 2023, 13:34