Kërko

Papa: kush pretendon se është i madh, nuk do ta kuptojë kurrë dashurinë e Zotit

Në Engjëllin e Tënzot, duke komentuar faqen ungjillore sipas Mateut (Mt 11,25), Papa i këshilloi besimtarët t’i fotografojnë veprat e Zotit në mendje, që të nguliten në zemër, dhe pastaj t'i zhvillojnë në jetë, përmes shumë gjesteve të mira, në mënyrë që "fotografia" e dashurisë për Zotin të bëhet gjithnjë e më e ndritshme në ne dhe përmes nesh

R.SH. / Vatikan

Lutja e Jezusit drejtuar Atit në Qiell, ishte sot në qendër të vëmendjes së Ungjillit - e edhe të Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga Papa në praninë e turmës së zakonshme, që nuk mungon kurrë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Krishti - kujtoi Papa në fillim të lutjes mariane, i ndjekur nga qindra besimtarë e shtegtarë nga mbarë bota në këto ditë pushimesh verore, kur Roma është përplot me njerëz të ardhur nga të katët anët - i drejtohet Atit me fjalët: "Të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto gjëra të urtëve dhe të diturve dhe ua zbulove të vegjëlve". (Mt 11:25).

Por për cilat gjëra po flet Jezusi në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu? Dhe pastaj, kush janë këta të vegjël, të cilëve u zbulohen këto gjëra? – këtyre pyetjeve retorike  iu përgjigj Papa, duke i ftuar besimtarët të ndalen e të kujtojnë gjërat, për të cilat Jezusi lavdëron Atin, si dhe tek të vegjlit, që dinë t'i mirëpresin.

Pse e lavdëron Jezusi Atin?

Pak më parë - vijoi Papa - Zoti kujtoi disa nga veprat e tij: "Të verbërve u kthehet shikimi [...] lebrozët pastrohen, [...] Ungjilli u shpallet të varfërve", (Mt 11:5) e ua zbuloi edhe kuptimin, duke shpjeguar se janë shenja të veprimit të Zotit në botë. Atëherë mesazhi është i qartë:

“Zoti zbulohet duke e çliruar dhe duke e shëruar njeriun, me një dashuri të lirë, që shpëton. Prandaj Jezusi e lavdëron Atin, sepse madhështia e tij qëndron në dashuri e kurrë nuk vepron jashtë dashurisë”.

Të mëdhenjtë nuk dinë të presin

Por këtë madhështi nuk e kuptojnë një lloj të gjithë - vijoi Françesku -  disa besojnë se janë të mëdhenj dhe e krijojnë zotin sipas vetes: të fuqishëm, të papërkulur, hakmarrës. Me fjalë të tjera, ata që janë plot me vetveten, krenarë, të shqetësuar vetëm për interesat e tyre, të bindur se nuk kanë nevojë për askënd, ndaj nuk janë në gjendje ta mirëpresin Zotin si Atë. Lidhur me këtë, Jezusi përmend banorët e tre qyteteve të pasura të kohës, Korazinin, Betsaiden dhe Kafarnaun, ku kreu shumë shërime, por banorët e të cilëve qëndruan indiferentë ndaj predikimit të tij:

“Për ta, mrekullitë ishin thjesht ngjarje spektakolare, të nevojshme për të dhënë lajme dhe për të nxitur thashetheme: e sapo mori fund interesi kalimtar, i arkivuan, ndoshta për t'u marrë me ndonjë lajm tjetër të çastit. Nuk munden t’i mirëpresin punët e mëdha të Zotit”.

Të vegjlit dinë ta presin Zotin

Nga ana tjetër - vijoi të kujtojë Papa në lutjen e Engjëllit - të vegjlit dinë ta presin, ndaj Jezusi e lavdëron Atin për ta:

"Unë të bekoj" - i thotë - sepse ua zbulove të vegjëlve Mbretërinë e Qiellit!”.

 Ai e lavdëron Zotin për të thjeshtët - theksoi Papa - për ata që kanë zemër të lirë nga pretendimet e nga vetëdashja. Nuk e njohin fodullëkun. Të vegjlit janë ata që, si fëmijët, e ndjejnë veten nevojtarë e jo zotër të vetvetes, ia hapin zemrat Zotit e mahniten nga veprat e tij; dinë t’i lexojnë shenjat e tij e mrekullohen me mrekullitë e dashurisë së tij!

T’i ngulitim në zemër veprat e Zotit

Vëllezër dhe motra - vijoi Papa - nëse mendojmë për këtë, jeta jonë është plot me mrekulli: plot me gjeste dashurie, me shenja të mirësisë së Zotit, por përballë tyre, edhe zemra jonë mund të mbetet indiferente dhe e ftohtë, kureshtare, por e paaftë të mahnitet, të “preket”:

“Të prekesh është folje e bukur, që të sjell ndërmend filmin e fotografit. E ky është qëndrimi i duhur para veprave të Zotit: të fotografohen veprat e tij në mendje, që ato të nguliten në zemër, dhe pastaj t'i zhvillojmë ato në jetë, përmes shumë gjesteve të mira, në mënyrë që "fotografia" e dashurisë për Zotin të bëhet gjithnjë e më e ndritshme në ne dhe përmes nesh”.

Pyetje të domosdoshme për të përditshmen tonë

E tani - theksoi në përfundim të lutjes Papa - le ta pyesim veten:

“Në valën e vërshimit të lajmeve, që na përmbyt, siç na tregon Jezusi sot, a di të ndalem tek gjërat e mëdha, që bën Perëndia? A e lë veten të mahnitem si fëmijë nga e mira, që e shndërron në heshtje botën? Dhe a e bekoj Atin çdo ditë për veprat e Tij?”.

Pyetje që presin, të gjitha përgjigje! Përgjigje e vështirë, që mund të na e mësojë vetëm Zoja e Bekuar. E pikërisht me uratën drejtuar Nënës së Zoti, si zakonisht, e përfundoi edhe sot Papa lutjen e Engjëllit:

“Maria, e cila u gëzua në Zotin, na ndihmoftë të mahnitemi nga dashuria e Tij dhe ta lëvdojmë me thjeshtësi”.

09 korrik 2023, 12:54

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >