Kërko

Croazia. Jacopo Ligozzi: San Francesco detta la Regola Croazia. Jacopo Ligozzi: San Francesco detta la Regola

Papa dhe Rregulla Françeskane, dhuratë pa kohë e pa kufij

Françesku nënshkruan parathënien e librit të Zdzisław Józef Kijas "Përplot me jetë”, botuar nga Edizionet Messaggero të Padovës, kushtuar 800 vjetorit të rregullës së Shenjtit të Asizit. Me tekstin na njeh paraprakisht gazeta italiane La Stampa

R.SH. / Vatican News

Françesku i Asizit, vëlla i "të gjithëve", 800 vjet më parë donte t'u jepte bijve të tij një Rregull, që të ecnin së bashku drejt të njëjtit qëllim: të rroknin dhe të puthnin Krishtin e pranishëm në korpin e vuajtur të të përjashtuarve nga jeta. Ungjilli është "Rregulla dhe forma" e stilit të jetesës, që u propozon Françesku i Asizit shokëve të tij; atyre që i kërkojnë të shoqërohen me të, nuk u propozon si model vetveten; e atyre, që e pyesin, u gjegjet se Jezusi është i vetmi Mësues; ta zgjedhësh, do të thotë të "ndjekësh gjurmët e Zotit tonë, Jezu Krisht"; në marrëdhëniet me shokët e tij Françesku i Asizit është mjeshtër i jetëve njerëzore, të cilat i ndihmon të fitojnë pjekurinë e plotë të gëzimit dhe të dashurisë. Është mjeshtër i dallimit, siç e dëshmon Legjenda e Tre Shokëve: «Ngulte këmbë në lutje, që Zoti t'i tregonte cila ishte thirrja e tij. Askujt nuk ia besonte sekretin, as pranonte këshilla prej askujt, veç Zotit të vetëm, që kishte nisur t’i printe në rrugën e tij e, nganjëherë, edhe ipeshkvit të Asizit”.

Stili i tij transmeton cilësitë e vëllait, që shoqëron; thjeshtësinë dhe shpirtin e Rregullës, dhuratë universale për rrugën e Kishës së të gjitha kohërave. Kushdo mund të ecë si ai, pa hequr dorë nga ndryshimet e origjinës, të vendeve dhe të kulturave; arti i mikpritjes, i dëgjimit dhe i ruajtjes nuk i thyejnë pllakat e jetëve në situata të veçanta dhe nevoja të përcaktuara mirë, të cilat mund të bëhen mozaik i bukur me shumë ngjyra në  udhëtimin, me masën e Rregullës vëllazërore dhe mikpritëse. Françesku i Asizit e thith nga Ungjilli forcën dhe parfumin e një Rregulle për bashkësitë e hapura në një "të ardhme pa kufij". Ai na mëson historinë e një procesi jete të përbashkët, që ka në qendër zemrën e Ungjillit, thelbin, kerigmën e jetës së krishterë.

Rregulla françeskane nuk është rrugë me pengesa, por busull që drejton dhe shoqëron udhëtimin. Françesku i Asizit, me një tekst të mirëmenduar, dëshmon se nuk është aq ngulmimi pas hollësirave, që e bën njeriun të ecë; përkundrazi, dëshmon  se duke e pranuar sfidën e riinterpretimit të historisë së vet, fiton pjekurinë një projekt jete i gëzueshëm dhe solidar.

Në të, zbulimi i dashurisë universale të Jezusit është më i fortë dhe më tërheqës. Kështu, Rregulla nuk  ndan, nuk u kundërvihet dallimeve, por hap shteg udhëtimi të përbashkët. Secili prej nesh, me gjithë vështirësitë, majat dhe greminat e ndryshme, zbulon se nuk ecën kurrë vetëm, sepse të gjithë jemi të lidhur me njëri-tjetrin; jemi thirrur të jemi “skela”, që të formojmë një skelë të madhe, për të ndrequr shtëpinë e të gjithëve, Kishën, i njëjti mision i pranuar nga Ati serafik, Françesku, në emër të Zotit.

Rregulla françeskane nxit zemrën dhe mendjen për ta kultivuar humanizmin tonë, për të kultivuar marrëdhënie me Zotin dhe me të tjerët. Është pedagogji e kujdesit, që aktivizon proceset e dallimit  komunitar. Është Rregull me shpirt që progresivisht gjatë udhës nxjerr në pah gëzimin e njeriut të thirrur nga Dashuria - për të dashuruar. Është forca e shpirtit që na nxit të zhvishemi nga gjithçka që mund të na rëndojë: “Ai ishte tashmë krejtësisht i ndryshuar në zemër dhe fare pranë një ndryshimi si ky edhe në trupin e tij”, shkruante Tommaso da Celano.

Është trajektorja e Françeskut - i cili u bë formë e gjallë e Rregullës - për të takuar Zotin, për të takuar të mohuarit, të cilët i quajti "vëllezërit e krishterë", për të krijuar një vështrim të ri solidariteti dhe kujdesi të të gjithëve, për shtëpinë e përbashkët. Rregulla nuk na u dha për t'u lidhur me zinxhirë, as për t'u detyruar të mbartim mbi shpinë peshën e urdhrave abstrakte, që mund të na diktohen nga realiteti! Ajo ka parasysh korpin konkret të çdo njeriu! Përpiqet ta çlirojë nga ai fill i hollë dhe pothuajse transparent që na mban të burgosur, të mbyllur dhe të izoluar siç ndodh me një zog të vogël që, i lidhur në kyçin e këmbës, detyrohet të rrijë i mbyllur në një kafaz. Të shkelësh ngadalë mbi gjurmët e Krishtit, do të thotë të zhvillosh "prirjen për gjithçka të mirë". Është shtegtim, që të hap rrugën drejt Zotit dhe të tjerëve. Shtegtim që të jep flatra të fluturosh drejt Qiellit, i cili e mirëpret të gjithë familjen njerëzore, për të jetuar në paqe dhe në hare, me zemër të lirë e të hapur në shtigjet e botës, i kripur me kripën e dashurisë së Jezusit. Kjo kripë është fryti i vërtetë i Rregullës.

27 korrik 2023, 15:35