Kërko

Papa: bota në luftë ka nevojë për gëzimin e Ungjillit

Videoja e Papës me ndjetin e lutjes për muajin gusht i kushtohet Ditës Botërore të Rinisë, tashmë fare pranë. Përmes shkëmbimit pyetje- përgjigje me të rinj nga vise të ndryshme të botës, Françesku ua beson shpresat e tij: nga DBR-ja do të më pëlqente të shikoja farën e botës të së ardhmes, ku dashuria është në qendër e ku mund të ndjehemi motra e vëllezër".

R.SH. / Vatican News

“Jemi në luftë, na duhet një botë që nuk ka frikë të japë dëshmi për Ungjillin. Një botë, në të cilën ka gëzim, mbasi nëse ne të krishterët nuk kemi gëzim, nuk na beson më askush”. Këto janë fjalët e Françeskut në videon e Papës, publikuar sot nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Atit të Shenjtë kushtuar Ditës Botërore të Rinisë: dialog ndërmjet Françeskut dhe të rinjve nga e gjithë bota.

Kisha ka nevojë për të rinjtë, që të mos plaket

Ndjeti i lutjes për muajin gusht i kushtohet, pra, Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë, që po afrohet. “Kisha nuk është klub për të moshuarit”, thekson Ipeshkvi i Romës, “ashtu siç nuk është klub as për të rinjtë. Po të bëhet klub për të moshuarit, është e paracaktuar të vdesë”. Një vajzë braziliane e pyet në portugalisht pse në lagjen e saj ka vetëm të moshuar në kishë. E Papa citon fjalët e Shën Gjon Palit II, "nëse jetoni me të rinj, edhe ju do të bëheni të rinj" dhe shpjegon: "Kisha ka nevojë për të rinjtë,  që të mos plaket kurrë".

Për udhë, për të ndihmuar të tjerët

Një tjetër pjesëmarrëse nga Filipinet në takimin e afërt të Lisbonës pyet për arsyen e  zgjedhjes së motos për DBR-në: "Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim". "Sepse Maria" - përgjigjet Françesku - "sapo e merr vesh se do të jetë nëna e Zotit, nuk është aty për të bërë një selfie, a për t'u dukur. Gjëja e parë që bën, është të niset, me nxitim, të shërbejë, të ndihmojë”. Prej këndej, ftesa e Papës drejtuar të rinjve nga e gjithë bota: “Edhe ju duhet të mësoni prej saj e të viheni për udhë, që t’i ndihmoni të tjerët”.

Një farë, për një botë dashurie

Në Ditën Botërore të Rinisë në Lisbonë - shpjegon përsëri Papa, duke iu përgjigjur këtë herë një vajze nga Bregu i Fildishtë - do të doja të shihja një farë të botës së së ardhmes. Një bote, ku dashuria është në qendër, ku ne mund të ndihemi si vëllezër dhe motra”. Videoja përfundon me zërin e të rinjve nga e gjithë bota të cilët luten që DBR-ja t'i ndihmojë të ecin në rrugë, duke e dëshmuar Ungjillin me jetën e tyre.

Videoja Papnore e gushtit u krijua nga ekipi i Videos së Papës i Rrjetit të Lutjeve, me mbështetjen e agjencisë La Machi dhe me bashkëpunimin e Vatikan Media, Fondacionit të Ditës Botërore të Rinisë (DBR-së) Lisbonë 2023 dhe Dicasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën.

Asgjë nuk është e mundur, pa të Ngjallurin

“Dita Botërore e Rinisë, sipas Américo Aguiar, Kryetar i Fondacionit DBR Lisbonë, 2023, "është takim i të rinjve me Papën, takim i të rinjve me të rinjtë e, sidomos, takim i çdo të riu me Krishtin e gjallë". “Në këtë udhëtim – deklaron Aguiar në një deklaratë të përhapur nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës – unë pres gjithçka, e nuk pres asgjë. Të presësh gjithçka, do të thotë të presësh që të gjithë të rinjtë të preken nga fjalët e Papës dhe që çdo i ri të takojë Zotin e Jetës. Të mos presësh asgjë, do të thotë të besosh plotësisht, të japësh gjithçka ke dhe të mos presësh asgjë në këmbim. Mbi të gjitha në këto ditët e fundit, kërkoj  shkëputje të plotë nga gjithçka tjetër, veç Jezusit, me bindjen se nuk është e mundur të kryhet kjo detyrë e pamasë pa praninë e Jezusit të Ngjallur”, përfundon ai.

Rast, për të përqafuar përsëri njëri-tjetrin pas pandemisë

Nga ana e tij, kreu i Zyrës Rinore të Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, At João Chagas, nënvizon bukurinë "e lutjes së bashku duke medituar mbi temën e dialogut ndërmjet brezave, aq të dashur për Papën". “Për ta jetuar këtë kulturë të takimit në 360 gradë” - vijon - “pas përvojës së tmerrshme të pandemisë, të izolimit social, le të jetë kjo DBR mundësi për të rinjtë nga e gjithë bota që të përqafojnë përsëri njëri-tjetrin, me shpresën se do të jetojnë kohë paqeje”.

Një aplikacion, për të marrë pjesë edhe në distancë

Si shenjë e pranisë së Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës në Ditën Botërore të Rinisë në Lisbonë, shpjegon drejtori At Frédéric Fornos S.J., "nga 30 korriku deri më 6 gusht, gjatë zhvillimit të ngjarjes, Click To Pray (Klikoni për t’u lutur), aplikacioni zyrtar i lutjes së Papës dhe i takimit të Lisbonës, më pas në dispozicion të pjesëmarrësve dhe atyre që nuk mund të jenë fizikisht të pranishëm,  do të ofrojnë tre meditime ditore, në format teksti dhe audio, në pesë gjuhë: spanjisht, portugalisht, anglisht, italisht dhe frëngjisht".

Edhe Lëvizja Eukaristike Rinore, seksioni ynë rinor”, ​​vijon Fornos, “do të jetë i pranishëm në Lisbonë. Kemi krijuar një ekip redaktues të korrespondentëve të MEG, që do të ndihmojë të rinjtë nga e gjithë bota të marrin pjesë, përmes ngjarjeve lokale, në vendet e tyre dhe në internet”.

Videoja e Papës është një nismë zyrtare globale për të shpërndarë ndjetet mujore të lutjes së Atit të Shenjtë. Realizohet nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës (Apostullimi i Lutjes). Që nga viti 2016, Videoja e Papës është ndjekur më se 203 milionë herë në të gjitha rrjetet sociale të Vatikanit. E   përkthyer në 23 gjuhë, botohet nga shtypi në 114 vende.

27 korrik 2023, 13:58