Kërko

Shtegtim Apostolik në Kore, 2014: takim me të rinjtë në Shenjtëroren e Solmoe-s Shtegtim Apostolik në Kore, 2014: takim me të rinjtë në Shenjtëroren e Solmoe-s 

Mesazhi i Françeskut për koreanët: jini profetë të paqes

Në katedralen e Myeong-dong, në Seul, kardinali Lazzaro You Heung-sik lexoi të enjten, më 27, korrik një mesazh të Françeskut për përkujtimin e 70-vjetorit të armëpushimit të Luftës Koreane

R. SH. - Vatikan

Lajmet e Vatikanit

"Luftërat dhe konfliktet e shumta të armatosura, që sot prekin familjen njerëzore dhe veçanërisht vëllezërit dhe motrat tona më të ligshta, na kujtojnë tragjikisht nevojën për vigjilencë të vazhdueshme, për të mbrojtur dhe për të promovuar drejtësinë dhe bashkëpunimin miqësor brenda bashkësive e ndërmjet popujve".

Këto fjalë të Papës kumbuan në qendër të Seulit, në katedralen Myeong-dong, në një ditë të veçantë për jetën e koreano-jugorëve dhe koreano-veriorëve. Shtatëdhjetë vjet më parë u arrit armëpushimi i Luftës Koreane (27 korrik 1953), ndonëse tensioni i dukshëm vijoi të fryjë në gadishullin e ndarë me paralelen e 38-të.

Paqja bazohet mbi respektin për çdo njeri

Mesazhin e Françeskut, drejtuar kryetarit të Konferencës së ipeshkvijve koreanë, imzot Matthias Ri Iong-hoon, ipeshkëv i Suwon-it, e lexoi bashkatdhetari, Kardinali Lazzaro You Heung-sik, prefekt i Dikasterit për Klerin, gjatë Meshës për paqen, kremtuar në katedrale. Papa i ftoi "të gjithë koreanët të bëhen "profetë të paqes", duke kujtuar se paqja "bazohet mbi respektimin për çdo person, pavarësisht nga historia e tyre, mbi respektimin e ligjit, të së mirës së përbashkët, të krijimit, që i është besuar dhe të moralit, pasuri e trashëguar nga breznia në brezni”.

Pajtim për gadishullin Korean dhe për të gjithë botën

"Jam shpirtërisht pranë jush - pohoi Papa - Le të jetë ky përvjetor rast për ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët dhe laikët e vendit tuaj, që të përtërijnë angazhimin e tyre për ndërtimin e Mbretërisë së Zotit të Plotfuqishëm, e cila është plot "drejtësi, paqe dhe gëzim në Shpirtin Shenjt' (Rom 14:17)”. Dëshira përfundimtare e Françeskut, në përfundim të mesazhit, është që përkujtimi i Marrëveshjes së Armëpushimit të tregojë jo vetëm "ndërprerjen e armiqësive, por edhe një të ardhme të ndritur pajtimi, vëllazërie dhe harmonie të qëndrueshme, jo vetëm për gadishullin Korean, por edhe për pjesën tjetër të botës”.

Shtegtimi i Françeskut në Kore, më 2014

Më 18 gusht 2014, vetë Papa Françesku, gjatë shtegtimit të tij në Kore, pati kryesuar, në këtë Katedrale, një meshë për paqen dhe pajtimin, duke lënë këtë mesazh në predikimin e tij:

“Ju kërkoj të jepni dëshmi bindëse për mesazhin e pajtimit të Krishtit në shtëpitë tuaja, në bashkësitë tuaja dhe në çdo sferë të jetës kombëtare (…) Të lutemi, prandaj, që të krijohen mundësi të reja për dialog, për takime dhe për kapërcimin e dallimeve, për bujarinë e vazhdueshme të ndihmës humanitare e,  atje ku ndjehet nevoja, edhe për një njohje gjithnjë e më të gjerë të realitetit në të cilin jetojnë koreanët, vëllezër dhe motra, anëtarë të një familjeje dhe të një populli”.

29 korrik 2023, 13:26