Kërko

Historia e DBR-së: fjalë, figura, muzikë, emocione

Ditët Botërore të Rinisë janë shtegtim i nisur nga Shën Gjon Pali II: përgjigje dhënë dëshirës së të rinjve për takim, paqe, vërtetësi. Rrugëtim feje, që vijon të përshkojë shtigjet e historisë.

R. SH. - Vatikan

"Gjithmonë gati për ta dëshmuar shpresën, që e keni në shpirt" është tema e DBR-së së parë. Në Sheshin e Shën Pjetrit, më 23 mars 1986, të Dielën e Larit, Gjon Pali II kishte në zemër sytë e të rinjve nga e gjithë bota:

"Sot jeni përsëri këtu, të dashur miq të rinj, për të filluar në Romë, në Sheshin e Shën Pjetrit, traditën e Ditës së Rinisë, në kremtimin e të cilës ftohet mbarë Kisha. Ju mirëpres me gjithë zemër dhe i përshëndes të gjithë ata që erdhën këtu jo vetëm nga Roma dhe Italia, por edhe nga larg".

"Dita e Rinisë - shpjegoi - do të thotë pikërisht këtë: të takosh Zotin, i cili hyri në historinë njerëzore përmes misterit të Pashkëve të Jezu Krishtit. Ai hyri në të në një mënyrë të pakthyeshme. E dëshiron t’ju takojë ju, së pari, ju të rinj, dhe secilin prej jush. Dëshiron e ju bën thirrje: “Më ndiq, Unë jam Udha, e Vërteta, Jeta”.

Foto të DBR-së 1986
Dëgjoni himnin e DBR të vitit 1986

Janë 900 mijë të rinjtë që, në prill 1987, në Buenos Ajres të Argjentinës luten me Papën, dyfishi i një viti më parë. Motoja e DBR-së është "Ne e njohëm dhe besuam në dashurinë që Zoti ka për ne". Gjon Pali II u drejtohet të rinjve nga Amerika e Jugut, "kontinenti i shpresës": "Rinia, Krishti, Kisha, bota presin dëshminë e jetës suaj, bazuar në të vërtetën që na zbuloi Krishtin! Të rinj, Papa ju falënderon për dëshminë tuaj dhe ju inkurajon të jeni gjithmonë dëshmitarë të dashurisë së Zotit, mbjellës të shpresës dhe ndërtues të paqes!”.

Foto të DBR-së 1987
Dëgjoni himnin e DBRtë vitit 1987

Tre muaj para rënies së Murit të Berlinit, më 1989, të rinjtë e DBR  takohen në Santiago të Kompostelës, në Spanjë. Nga 15 deri më 20 gusht  luten për paqe. Motoja është: "Unë jam udha, e vërteta, jeta". Në vigjilje, në malin e Gozos, janë mbi 600 mijë të rinj. "Erdhët për të rizbuluar këtu, në Santiago, rrënjët e fesë sonë – u kujton Gjon Pali II – për t’u angazhuar, me zemër bujare, për "ungjillëzimin e ri", tani në pragun e mijëvjeçarit të tretë". Më pas  shton: “I krishteri është thirrur t'u shërbejë vëllezërve, motrave dhe shoqërisë, të promovojë dhe të mbështesë dinjitetin e çdo qenieje njerëzore, të respektojë e të mbrojë të drejtat e njeriut, të jetë arkitekt i jetës së vërtetë, i paqes së bazuar në vëllazëri, në liri, në drejtësi, në vërtetësi”.

Foto nga DBR 1989
Dëgjoni himnin e DBR së vitit 1989

Evropa e DBR-së 1991 ka kufij dhe horizonte të reja, pas shembjes së regjimit komunist. Papa polak fton të rinjtë e botës të besojnë në Krishtin. Në Czestochowa mblidhen 1.5 milionë besimtarë. Në sheshin përballë mureve të Shenjtërores së Jasna Góra, në solemnitetin e Ngjitjes së Zojës në Qiell, Gjon Pali II ripohon se kjo Ditë Botërore e Rinisë bie shumë në sy sepse: "Është hera e parë që mblidhet një numër kaq i madh të rinjsh ardhur nga Evropa Lindore”. "Si mund të mos shikojmë në të një dhuratë të madhe të Shpirtit Shenjt? - pohon - Së bashku me ju, sot dua ta falënderoj. Pas një periudhe të gjatë kufijsh praktikisht të pakapërcyeshëm, Kisha në Evropë tani mund të marrë frymë lirisht me të dyja mushkëritë”.

Foto nga DBR 1991
Dëgjoni himnin e DBR të vitit 1991

Në DBR-në e Denverit, në Shtetet e Bashkuara, në gusht 1993,  kremtohej për herë të parë Udha e Kryqit. Gjatë vigjiljes me të rinjtë në Parkun Shtetëror Cherry Creek, Gjon Pali II mediton mbi jetën, që na dhuron Jezusi: "Unë ju kërkoj të keni guximin t'i kushtoheni së vërtetës. Të keni guximin të besoni në Lajmin e Mirë, në Jetën që Jezusi na e mëson në Ungjill. Hapini mendjet dhe zemrat tuaja për bukurinë e gjithçkaje që bëri Zoti dhe për dashurisë së tij të veçantë e personale për secilin prej jush". "Jezu Krishti është gjithnjë 'porta e deleve'. Pavarësisht se historia njerëzore mëkaton kundër jetës, Ai nuk pushon kurrë së përsërituri me të njëjtën forcë e me të njëjtën dashuri: "Erdha që të kenë jetë dhe ta kenë me begati”.

Foto nga DBR 1993
Dëgjoni himnin e DBR të vitit 1993

Në janar 1995 Papa shtegton në Filipine, Papua Guinea e Re, Australi dhe Sri Lanka. Takimi i DBR është në Manila. Pesë milionë të rinj janë mbledhur në lutje në Rizal Park. Dita Botërore e Rinisë hyn në Librin e Rekordeve Guinness. Tema e zgjedhur është: "Ashtu siç më dërgoi mua Ati, ashtu po ju dërgoj ju". Gjatë vigjiljes Gjon Pali II përsërit: "Çfarë presin Kisha dhe Papa nga ju, të rinj të Ditës së Dhjetë Botërore të Rinisë? Që ta shpallni Jezu Krishtin. E edhe të mësoni të shpallni gjithçka që përmban mesazhi i Krishtit për çlirimin dhe përparimin e vërtetë të mbarë njerëzimit. Këtë pret Krishti nga ju! Këtë kërkon Kisha nga të rinjtë e Filipineve, të Azisë, të botës".

Foto nga DBR 1995
Dëgjoni himnin e DBR 1995

Më shumë se një milion besimtarë morën pjesë në DBR-në e Parisit, në gusht 1997. Numër, që i tejkaloi katër herë parashikimet. Motoja është: "Rabbi, ku banon? Ejani e do ta shikoni". Në hipodromin e Longchamp, në meshën e 24 gushtit, Gjon Pali II i nxit të rinjtë për besnikërinë ndaj pagëzimit dhe përsërit mandatin: "Udhëtimi juaj nuk ndalet këtu. Koha nuk ndalet sot. Shkoni në rrugët e botës, në rrugët e njerëzimit, duke qëndruar të bashkuar në Kishën e Krishtit! Vazhdoni të sodisni lavdinë e Zotit, dashurinë e Perëndisë dhe do të ndriçoheni për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë, për të ndihmuar njeriun të shohë botën e shpërfytyruar nga dija dhe dashuria e amshuar”.

Foto nga DBR 1997
Dëgjoni himnin e DBR-së së vitit 1997

Himni Emmanuel është kolona zanore e DBR-së 2000, në Romë, Itali. Tema është: "E Fjala u bë njeri dhe erdhi të banojë mes nesh". Drita e Jubileut të Madh, e shpallur me bulën Tertio Millennio Adveniente, u prin shtegtimeve drejt Krishtit nga e gjithë bota. Në Tor Vergata, më 19 gusht, në vigjiljen e lutjes të kryesuar nga Gjon Pali II, të pranishëm, mbi dy milionë të rinj. "Të dashur të rinj të shekullit, që po fillon - pohon Papa në fund të një dialogu të zjarrtë - duke i thënë "po" Krishtit, ju i thoni "po" idealeve tuaja më fisnike. Unë lutem që Ai të mbretërojë në zemrat tuaja dhe në njerëzimin e shekullit e të mijëvjeçarit të ri. Mos kini frikë t'i besoni atij. Ai do t'ju prijë, do t'ju japë forcën ta ndiqni në çdo ditë dhe në çdo situatë".

Foto nga DBR 2000
Dëgjoni himnin e DBR 2000

Në fund të korrikut 2002, Gjon Pali II u nis në një udhëtim apostolik që e çoi në Toronto, Guatemala City dhe Mexico City. Në Kanada e prisnin rreth 800 mijë të rinj. Ishte DBR-ja e tij e fundit. Për këtë takim ndërkombëtar qe  zgjedhur tema: “Ti je kripa e tokës…je drita e botës”. Më 28 korrik në Downsview Park në Toronto, Papa, si gjithmonë, u hap zemrën zemrave: "Ju jeni i ri e Papa është plak! Të kesh 82 ose 83 vjet jetë nuk është si të kesh 22 ose 23. Por Papa vijon të jetë një me pritshmëritë  tuaja, me shpresat tuaja! Edhe nëse jetova në errësirë të dendur, nën regjime të ashpra totalitare, pashë mjaft, sa për t'u bindur në mënyrë të palëkundur se asnjë vështirësi, asnjë frikë nuk është aq e madhe sa të jetë e aftë ta mbysë plotësisht shpresën që buron përjetësisht në zemrat e të rinjve. Ju jeni shpresa jonë, të rinjtë janë shpresa jonë. Mos lejoni që kjo shpresë të vdesë! Vini bast me jetën tuaj! Ne nuk jemi shuma e dobësive dhe e dështimeve tona, përkundrazi, jemi shuma e Dashurisë së Atit për ne dhe e aftësisë sonë reale për t'u bërë shëmbëlltyra e Birit të tij".

Foto nga DBR 2002
Dëgjoni himnin e DBR 2002

Benedikti XVI është shtegtar në vendin e tij për  DBR-në 2005. Rasti është shtegtimi apostolik në Këln. Gjermania e pret ngrohtësisht: ai ecën në gjurmët e Pjetrit me stafetën, që ia besoi Gjon Pali II. Vlerësimet e pjesëmarrësve i kalojnë edhe një herë parashikimet: në qytetin përballë lumit Rhein, mbi një milion të rinj luten me Papën gjerman. Motoja është: "Erdhëm për ta adhuruar". Gjatë Meshës kremtuar në sheshin Marienfeld, të dielën më 21 gusht, Benedikti XVI tregon Eukaristinë, nxit për falje, afërsi, e më pas këshillon: "Unë e di se si të rinj ju ëndërroni gjëra të mëdha, se dëshironi të angazhoheni për një botë më të mirë Tregojani njerëzve, tregojani botës, e cila pret pikërisht këtë dëshmi nga dishepujt e Jezu Krishtit e që, posaçërisht përmes dashurisë suaj, do të jetë në gjendje ta zbulojë yllin, që ne e ndjekim".

Foto nga DBR 2005
Dëgjoni himnin e DBR 2005

Australia hap dyert për DBR-në 2008. Është takimi i parë multimedial në botë: në ballë, rrjeti social. E tema është: "Ju do të merrni forcë nga Shpirti Shenjt, i cili do të zbresë mbi ju dhe do të jeni dëshmitarët e mi". Më 20 korrik, gjatë Meshës me të rinjtë në stadiumin Randwick në Sidnei, Benedikti XVI paralajmëroi të këqijat e shoqërisë dhe i quajti të rinjtë  profetë të epokës së re: "Të dashur të rinj, Zoti ju kërkon të jeni profetët e kësaj të reje! Ky ështe mesazhi i dashurisë së Tij për t’i tërhequr njerëzit tek Ati dhe për të ndërtuar një ardhmëri shprese për mbarë njerëzimin. Edhe Kisha ka nevojë për këtë përtëritje! Ka nevojë për fenë tuaj, idealizmin tuaj, bujarinë tuaj, që kështu të jetë gjithnjë e re në Shpirt”

Foto nga DBR2008
Dëgjoni himnin e DBR 2008

 "Të rrënjosur dhe të themeluar në Krishtin, të vendosur në fe" është tema e DBR-së që, në gusht 2011, shtegtoi drejt Madridit, Spanjë. Rreth 2 milionë të rinj festojnë dhe luten me Benediktin XVI. E Papa nënvizon: "Të dashur miq, Zoti më do. Kjo është e vërteta e madhe e jetës sonë dhe i jep kuptim çdo gjëje tjetër. Nuk jemi fryt i rastësisë, as i irracionalitetit! Në zanafillën e ekzistencës sonë është plani i dashurisë së Zotit, prandaj të jesh në dashurinë e tij do të thotë të jetosh i rrënjosur në fe, sepse feja nuk është pranim i thjeshtë i disa të vërtetave abstrakte, por marrëdhënie intime me Krishtin, që na nxit t’i hapim zemrat tona për këtë mister dashurie dhe të jetojmë si njerëz që Zoti i njeh e i do”.

Foto nga DBR 2011
Dëgjoni himnin e DBR 2011

DBR-ja e parë e Papës Françesku ishte ajo e Rio de Zhaneiro-s, Brazil, në vitin 2013. Rreth 4 milionë të rinj luten me Papën argjentinas "që vjen nga periferitë e botës". Tema e takimit është: "Shkoni dhe bëjini dishepuj të gjithë popujt ". Të dielën më 28 korrik, gjatë meshës në Copacabana, Papa shqipton tri fjalë: "Shkoni, pa frikë, për të shërbyer". Duke ndjekur këto tri fjalë, do të përjetoni se kushdo që ungjillëzon, ungjillëzohet, kush e transmeton gëzimin e fesë, merr më shumë gëzim. Të rinj të dashur, kur të ktheheni në shtëpitë tuaja, mos kini frikë të tregoheni bujarë me Krishtin, ta dëshmoni Ungjillin e Tij. "Ta çosh kudo forcën e Zotit, do të thotë të çosh forcën e Zotit për ta shrrënjosur, për ta zhdukur dhe për ta shkatërruar të keqen e dhunën, për t’i rrënuar dhe për t’i zhdukur muret e hipokrizisë, të intolerancës dhe të urrejtjes, për të ndërtuar një botë të re".

Foto nga DBR 2013
Dëgjoni himnin e DBR 2013

Në vitin 2016, Polonia jeton përsëri hovin rinor të DBR-në. Motoja është: "Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë". Në vendin e Shën Gjon Palit II dhe Shën Faustina Kovalskas, Papa Françesku lutet së bashku me mbi një milion e gjysmë të rinj. Në vigjiljen pranë Campus Misericordiae, në Krakov, më 30 korrik, Françesku flet me të rinjtë, të cilët i quan "mundësi për të ardhmen", duke i nxitur të kenë "guximin" për t'u mësuar të rriturve "se është më e lehtë të ndërtosh ura, sesa të ngresh mure!" Papa nis këtë sfidë: "Sot Jezusi, që është rruga, të thërret ty, ty, ty, që të lësh gjurmë në histori. Ai, që është jeta, të fton të lësh një gjurmë, që e mbush me jetë historinë tuaj dhe atë të shumë njerëzve të tjerë. Ai, që është e vërteta, të fton të largohesh nga rrugët e ndarjes, të përçarjes së pakuptimësisë. A je gati? A je?".

Foto nga DBR 2016
Dëgjoni himnin e DBR 2016

Në janar 2019 mbi 700,000 të rinj të mbledhur në Panama për DBR-në me Papën Françesku e për takimin e parë pas Sinodit Rinor të Tetorit. Tema e zgjedhur është: “Ja shërbëtorja e Zotit; u bëftë mbi mua sipas fjalës sate".   Tubimi zhvillohet në një vend ku ka probleme të rënda sociale, ekonomike, politike, migrime të detyruara, dhunë, trafik droge. Të pranishëm, edhe një mijë të rinj, që marrin pjesë në Takimin e parë Botëror të Rinisë. Papa kujton "po"-në e Marisë dhe i nxit të rinjtë të ndërgjegjësohen për forcën e tyre që mund ta ndryshojë botën. Në Campo San Juan Pablo II - Metro Park, pas Meshës së Shenjtë me të rinjtë, Papa përsërit: "Jemi për rrugë: vazhdoni të ecni, vazhdoni ta jetoni fenë dhe ta ndani bashkë. Mos harroni se nuk jeni e nesërmja, nuk jeni “e ndërkohshmja”, por e tashmja e Zotit”.

DBR 2019 në një minut
Dëgjoni himnin e DBR 2019
14 korrik 2023, 14:22