Kërko

Pio XII  gjatë bombardimit të Romës Pio XII gjatë bombardimit të Romës 

Françesku: Zoti e çliroftë familjen njerëzore nga tmerri i luftës

Pas lutjes së Engjëllit, Papa kujtoi bombardimin, tetëdhjetë vjet më parë, në lagjen romake San Lorenzo. E edhe se sot këto tragjedi përsëriten, për të pyetur më pas veten: “Si është e mundur? E kemi humbur kujtesën?”. Më pas u lut për "popullin e dashur ukrainas, që vuan kaq shumë"

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes mariane të Engjëllit, Papa Françesku kujtoi "se tetëdhjetë vjet më parë, më 19 korrik 1943, disa lagje të Romës, veçanërisht San Lorenzo, u bombarduan". Përvjetori tragjik është rast për të t’i thënë përsëri 'jo' luftës dhe humbjes së kujtesës historike.

"E kemi humbur kujtesën?"

“Fatkeqësisht edhe sot këto tragjedi përsëriten. Si është e mundur? A e kemi humbur kujtesën? Zoti na mëshiroftë dhe e çliroftë familjen njerëzore nga plaga e luftës. Në veçanti, le të lutemi për popullin e dashur ukrainas që po vuan kaq shumë".

 Kjo ishte lutja e Françeskut, i cili kujtoi, më pas, edhe afërsinë plot dhembshuri ndaj viktimave, treguar aso kohe nga Papa Piu XII, i cili vizitoi rrënojat, të vdekurit dhe të plagosurit, i rrethuar nga romakët që e duartrokisnin duke brohoritur “paqe!”:

“E Papa i nderuar, Piu XII,  donte të shkonte mes njerëzve të tronditur...”.

Vetëm në rrethin romak të Shën Lorenzos pati 717 të vdekur dhe 4000 të plagosur, ndërsa për qytetin bilanci ishte shumë më i rëndë: 3000 të vdekur dhe 11.000 të plagosur në lagjet Tiburtina, Prenestina, Casilina, Labicana, Tuscolana dhe Nomentana që gjithashtu u bombarduan. Siç dëshmohet në  Muzeun Historik të Çlirimit, në Udhën Tasso, 10,000 shtëpi u shkatërruan dhe 40,000 qytetarë mbetën të pastrehë. Ky ishte bombardimi i parë i Romës, në lagjen San Lorenzo, më 19 korrik 1943.

4 mijë bomba, bombardimi i parë deri në Çlirim

Në kohën e bombardimeve, Musolini kishte qenë në Feltre për të takuar Hitlerin dhe për të propozuar daljen nga lufta. Por Hitleri e sulmoi me fyerje kërcënuese. Ishte ora 11.03. Nga një lartësi prej 6000 metrash vertikalisht mbi oborrin e mallrave në San Lorenzo, fortesat fluturuese amerikane hodhën bombat e para. Qëllimi ishte aeroporti i San Lorenzo-s dhe pika të tjera strategjike. Pas një fluturimi fillestar, bombarduesit morën urdhrin të niseshin, duke lënë pas re pluhuri, tymi dhe zjarri, ndërsa zona e mbuluar nga pluhuri dhe tymrat zgjerohej gjithnjë e më shumë, pas çdo vale, dhe në mënyrë të pashmangshme  bombat  përfunduan 500 metra larg aeroportit. Rrethohej, kështu, plotësisht lagjja, me sheshin e Veranos në qendër . Në fund përmbi Romën do të hidheshin 4000 bomba (rreth 1060 ton). E nuk u mjaftua me kaq! Pas këtij bombardimi të parë, pasuan 51 të tjerë, deri në Çlirimin e Romës, që brohoriste e qante mbi gërmadha!

Lagjja e Shën Lorencit, medalje ari për rezistencën

Ndërsa Papa Piu XII bekonte banorët e Shën Lorencit, lagjes që qe shndërruar në gërmadhë, mbërriti edhe Vitor Emanueli II, por popullsia e mbuloi me tallje e fyerje. Fundi i fashizmit ishte afër! Do të shpallej zyrtarisht më 25 korrik 1943.

Kanë kaluar shumë vite! Shumë njerëz, që qenë atë ditë a ogurzezë, aq edhe e ngarkuar me shpresë, nuk janë më. Po kujtimi mbetet! Mbetet edhe  medalja e artë për guximin dhe rezistencën ushtarake, dorëzuar banorëve të San Lorenzo-s. Ajo shenjë që tregon si u mposht tmerri me heroizëm vijojon t’i kujtojë mbarë njerëzimit shekullin e njëzetë, antifashizmin dhe luftën çlirimtare.

Pas tetëdhjetë vjetësh, çka mbeti nga ajo ngjarje tragjike është vetëm kufoma e një ndërtese trekatëshe të rrënuar në Via Tiburtina që besojmë se duhet të ishte bërë “Shtëpia e Kujtesës dhe e Historisë”, por që nuk  u bë kurrë kështu. Sidoqoftë, nga kjo lagje e Romës, historia vijon të flasë, vijon të kujtojë rrënojat dhe të vrarët, vijon t’i bëjë botës (së shurdhër) thirrjen: “Kurrë më luftë!”.

16 korrik 2023, 13:39