Kërko

Una targa posta nella chiesa di San Giorgio in Velabro nel 30.mo anniversario degli attentati di mafia a Roma  (ANSA) Una targa posta nella chiesa di San Giorgio in Velabro nel 30.mo anniversario degli attentati di mafia a Roma (ANSA)

Françesku: të luftojmë kundër paligjshmërisë, është në lojë e mira e përbashkët

Në një letër të shkruar me rastin e 30-vjetorit të sulmeve në Kishat e Shën Gjonit në Lateran dhe Shën Gjergjit në Velabro, në Romë, ndërmjet 27 e 28 korrikut të vitit 1993, Papa fton të kujtojmë ata, që rrezikuan edhe jetën për mbrojtjen e bashkësisë. Papa Françesku u kërkon të rinjve "të jenë mbështetje aktive për ndryshimin e mendësisë”.

R.SH. / Vatican News

Një ftesë për të mos u frikësuar por për t’i luftuar me “guxim” mafiet dhe ilegalitetin. Kjo, thirrja që Papa u bën të rinjve në një mesazh drejtuar nismës titulluar “Roma nuk harron”, që organizohet sonte nga dioqeza e Romës, Libera dhe shoqata të tjera. Një procesion me pishtarë do të niset në orën 00.04, tridhjetë vjet pas bombave në Shën Gjonin e Lateranit dhe në Shën Gjergjin e Velabros. 

Papa kujton “gjestin e ultë që natën ndërmjet datës 27 dhe 28 korrik 1993 tronditi qytetin e përjetshëm, Romën, dhe shqetësoi thellësisht shpirtin e besimtarëve nga e gjithë bota katolike e, në veçanti, të besimtarëve romakë; në ato vite të errëta të historisë së shoqërisë dhe të Kombit të dashur italian, të prekur rëndë nga një mori aktesh dhune kundër institucioneve e shërbëtorëve të shtetit, popullsia u ndje e pafuqishme përballë një shtypjeje të tillë të pakuptimtë, të kryer në dëm të vendit dhe veçanërisht të atyre, që jetonin në kushte varfërie.

Sot, më shumë se kurrë - nënvizon Papa - është detyrë e të gjithëve t'i kujtojmë me mirënjohje ata që, duke kryer detyrën e tyre, e ndonjëherë duke rrezikuar edhe jetën, e mbrojtën me të gjitha forcat bashkësinë. Flijimi i atyre që u besuan dhe i mbrojtën vlerat themelore të demokracisë,  të drejtësisë dhe të lirisë, bëhet thirrje e fuqishme drejtuar ndërgjegjes që të gjithë ta ndjejnë  veten bashkëpërgjegjës për ndërtimin e qytetërimit të ri të dashurisë.

Prandaj Papa nxit që “t’u kundërvihemi vendosmërisht formave të shumta të paligjshmërisë dhe të shpërdorimit, që fatkeqësisht e kanë kapërthyer shoqërinë bashkëkohore. E jo vetëm në Itali! E mira e përbashkët është në rrezik e, sidomos, fati i kategorive më të brishta, i të fundmve, atyre që vuajnë nga padrejtësi të të gjitha llojeve, pa forcë që t’u kundërvihen”. Të rinjve Ati i Shenjtë u kërkon të guxojnë pa frikë, sepse mafiet - le ta kujtojmë këtë – zënë rrënjë pikërisht atje ku ka frikë.

Ju që, ashtu si rojet e natës, do të merrni pjesë në procesionin me pishtarë në përkujtim të atyre ngjarjeve tragjike, thirreni të jeni mbështetje aktive për ndryshimin e mendësisë, të jeni dritë në mes të errësirës, dëshmi lirie e drejtësie – në mes padrejtësisë! “Uroj edhe - përfundon Papa - që ata, të cilët kanë përgjegjësi civile, si dhe njerëzit e kishës së qytetit tonë, të punojnë në mënyrë aktive për krijimin e njerëzimit të ri”.

28 korrik 2023, 12:38