Kërko

Thirrje për paqen nga besimtarët, në Shën Pjetër për lutjen e Engjëllit. Thirrje për paqen nga besimtarët, në Shën Pjetër për lutjen e Engjëllit.   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Françesku: shumë luftëra në botë, të lutemi pa u lodhur kurrë

Pas Engjëllit të parë të korrikut, Papa u ndalua tek konfliktet e shumta që po e vadisin tokën me gjak e me lot. E menjëherë pas kujtoi veçanërisht Ukrainën, duke kërkuar lutje e duke theksuar se lutja "është forca e butë, që e mbron dhe e mbështet botën".

R. SH. - Vatikan

Në fillim të periudhës së zakonshme të verës, gjatë së cilës Papa Françesku i ndërpret audiencat dhe veprimtaritë, pas lutjes së Engjëllit këtë të diel, 2 korrik, nuk i harroi popujt që vuajnë për shkak të luftës dhe i ftoi të gjithë paqedashësit të luten pa u lodhur për këtë të mirë të domosdoshme në   jetën e njerëzimit!  

Të mos lodhemi kurrë duke u lutur për paqe

Mendimet e Papës shkojnë edhe një herë "në një mënyrë të veçantë" tek populli ukrainas "i vënë një provë të rëndë", që nuk po di të marrë fund! Pa harruar edhe popujt e tjerë:

 “E të mos i lëmë pas dore luftërat e tjera, për fat të keq shpesh të harruara, e konfliktet dhe ndeshjet, që gjakosin shumë vende të Tokës. Tepër lufta ka sot! Të interesohemi për çka po ndodh, t'i ndihmojmë ata që vuajnë dhe të lutemi, sepse lutja është forca e butë, që mbron dhe e mban botën".

Më pas, nga Pallati Apostolik, Papa përshëndeti besimtarët e pranishëm, romakë e të ardhur edhe nga vende të tjera të Italisë e të botës. Kujtoi në mënyrë të veçantë disa grupe: Motrat e Shën Giuseppe Benedetto Cottolengo-s, të rinjtë e krezmuar nga Ibiza dhe Formentera, të rinjtë  e Unitetit baritor të Tremignon dhe Vaccarino, në zonën e Vicenzës. Përshëndeti gjithashtu "Grupin e Shën Mauros" të Cavarzere-s dhe kopshtin "Zoja e Olmos" të Verdellino-s. Më pas, edhe  të rinjtë e Zojës së Papërlyer.

Alarme për sulme ajror në disa rajone të Ukrainës

Lajmet e freskëta nga Ukraina mbërrijnë nga forcat ajrore të armatosura ukrainase, që njoftojnë - siç raportohet nga agjencia UNIAN - se rusët kanë hedhur dronë sulmi nga jugu. Mbrojtja ajrore hyri sakaq në veprim, në Kiev, ku qytetarëve iu kërkua të shkonin menjëherë ndër strehime. Forcat e Mbrojtjes janë aktive në rajonet Mykolaiv, Zaporizhzhia, Kherson, Dnipropetrovsk, Vinnytsia, Zhitomyr dhe Kirovohrad. Alarmi u përhap edhe në rajonin Cherkasy. Sistemet e mbrojtjes ajrore e zmbrapsën sulmin. Ndërkohë, hamendësohet se zhgënjimi për luftën në Ukrainë ka krijuar kushtet për rekrutimin e qytetarëve rusë në CIA. Pandehmën e mbështeti drejtori i agjencisë amerikane 007, William Burns, i cili foli për skenarët e rinj në një fjalim, në Fondacionin Ditchley, në Angli.

Ish-rabini i Moskës deklarohet "agjent i huaj" në Rusi

Autoritetet ruse e shpallën ish-kryerabinin e Moskës Pinchas Goldschmidt  "agjent të huaj". Ndalimi i Goldschmidt vjen një vit pas largimit të tij nga Moska pas pushtimit të Ukrainës. Ish-kryerabini kishte bërë vazhdimisht kritika për veprimet e Moskës dhe i kishte ftuar hebrenjtë rusë të largoheshin nga vendi, nga frika se mund të bëheshin “desh kurbani” për shkak të vështirësive të shkaktuara nga lufta. Të premten e kaluar emri i tij u shënua në listën e agjentëve të huaj, me akuzën “përhap informacion të rremë lidhur me vendimet e marra nga autoritetet ruse dhe me politikat e tyre" dhe shprehet në kundërshtim "me operacionin ushtarak special në Ukrainë".

02 korrik 2023, 13:33