Kërko

A fuoco la pineta di Ugento, bagnanti lasciano i lidi A fuoco la pineta di Ugento, bagnanti lasciano i lidi  (ANSA)

Papa pranë grekëve dhe italianëve të goditur nga zjarret dhe stuhitë

Në dy telegrame nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, Papa u shpreh kryetarëve të konferencave ipeshkvnore të Greqisë dhe të Italisë, Imzotit Stefànou dhe Kardinalit Zuppi, afërsinë me njerëzit, që po vuajnë nga ngjarjet e rënda të ditëve të fundit, pasojë e temperaturave tejet të larta në mbarë Evropën. Ati i Shenjtë bekon punën e zjarrfikësve dhe shpëtimtarëve dhe i fton të vijojnë "përpjekjet e guximshme për të përballuar sfidën e ndryshimeve klimatike e për të m

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku u dërgoi dy telegrame të veçanta kryetarëve të konferencave ipeshkvnore të Greqisë dhe të Italisë, Imzotit Petros Stefànou dhe kardinalit Matteo Maria Zuppi, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, në të cilat shpreh afërsinë shpirtërore me njerëzit e prekur nga zjarret, nga vala e të nxehtit e, në Italinë Veriore, nga stuhitë.

Kujdes Krijimin

Në telegramin drejtuar kryetarit të ipeshkvijve grekë, Kardinali Parolin shkruan se Papa "është thellësisht i shqetësuar për kërcënimin e jetëve dhe dëmet e shkaktuara nga zjarret e përhapura në zona të ndryshme të Greqisë, e dhe më gjerë", si dhe nga vapa, valë që po prek disa vende evropiane. Në vijim, siguron lutje për të prekurit dhe për zjarrfikësit, të përfshirë në emergjencë. Së fundi, shpreson se "rreziqet për shtëpinë tonë të përbashkët, të rënduara nga kriza aktuale klimatike, duhet t'i nxisin të gjithë njerëzit të mos i kursejnë përpjekjet për mbrojtjen e dhuratës së krijimit, për të mirën e brezave të sotëm e të ardhshëm".

Fatkeqësitë e mëdha, të përballohet sfida e ndryshimeve klimatike

Në mesazhin për kardinalin Zuppi dhe për ipeshkvijtë italianë, Françesku i kërkon presidentit të KII "të shprehë afërsinë me popullsinë e tij të dashur e të prekur" nga stuhitë dhe zjarret, "të cilat nxjerrin në pah nevojën e përpjekjeve të guximshme dhe largpamëse, për të përballuar sfidën e ndryshimit të klimës dhe mbrojtjen me përgjegjësi të krijimit”. Së fundi, Papa i ngushëllon ata që vuajnë nga pasojat e "fatkeqësive të tilla të rënda" dhe shpreh vlerësimin veçanërisht për zjarrfikësit, të cilët "bënë çmos për të ndihmuar popullsinë”.

Kardinali Zuppi: Duhet të zgjedhim mbrojtjen e territorit

Duke falënderuar Papën për afërsinë e tij, kryeipeshkvi i Bolonjës, kardinali Zuppi, kujton, në një mesazh, se në këto stuhi dhe zjarre "si gjithmonë zbulohen dobësitë dhe bashkëfajësitë". Në vijim i fton ipeshkvijtë italianë ta pranojnë ftesën për "përpjekje të guximshme" përballë sfidës së ndryshimeve klimatike. “Ne nuk mund të besojmë fatalistikisht - shton Zuppi - se gjithçka do të jetë mirë, pa u përpjekur ta mbrojmë territorin. Jemi të thirrur ta ruajmë shtëpinë e përbashkët me një angazhim të përbashkët, të kujdesemi për Tokën  dhe për jetën e   bashkëkohasve si dhe të atyre, që do të vijnë pas nesh”.  

29 korrik 2023, 12:17