Kërko

Un momento della celebrazione di apertura dell'Incontro  (CONF VESCOVI BRASILE) Un momento della celebrazione di apertura dell'Incontro (CONF VESCOVI BRASILE)

Brazil, Papa për bashkësitë bazë: jini Kishë në dalje dhe kurrë e fshehur

Në një video-mesazh botuar nga REPAM, rrjeti Pan-Amazonik dhe dërguar për hapjen e Takimit të 15-të ndër-kishtar, që vijon në Rondonópolis deri më 22 korrik, Françesku përsërit se Kisha, si një lumë, duhet të shkojë gjithnjë përpara, sepse në këtë mënyrë "ndihet e fortë". Në asamble marrin pjesë 1500 përfaqësues nga i gjithë vendi, përfshirë popujt indigjenë që luftojnë për mbrojtjen e trojeve kundër formave të ndryshme të spekulimeve kundër mjedisit

R.SH. - Vatican News

“Kur uji nuk rrjedh në lumë, bëhet i amullt. Kur Kisha del, ecën, ndihet shumë më e fortë". Këto, fjalët e Papës Françesku në një video-mesazh botuar nga Konferenca Kombëtare e Ipeshkvijve të Brazilit dhe nga REPAM, Rrjeti Kishtar Pan-Amazonik, për hapjen e Takimit të 15-të ndër-kishtar të Bashkësive Kishtare Bazë (CEB), mbajtur më 18 korrik në Rondonóent de Centre (MT).

 Të pranishëm, 1500 përfaqësues të Bashkësive të Bazës

Papa e inkurajoi nismën, në përkim të plotë me temën e takimit “Kisha në dalje”, duke kërkuar vazhdimin e punës për një Kishë “që nuk fshihet kurrë”. Deri më 22 korrik marrin pjesë në asamble 1500 përfaqësues të Bashkësive Themelore Kishtare nga i gjithë Brazili, si dhe rregulltarë e rregulltare, udhëheqës të organizatave të lidhura me Kishën Katolike, besime të tjera të krishtera dhe realitete shpirtërore, lëvizje shoqërore e popullore. Veç tyre, marrin pjesë edhe 63 ipeshkvij. Takimi synon të  vlerësojë veprimtarinë e laikëve dhe të grave si dhe pasurinë, që buron nga larmia kulturore. Është edhe mundësi për të kritikuar modelin socio-ekonomik të përqendruar në shfrytëzimin e paskrupullt të burimeve natyrore.

Kultura popullore dhe biomet braziliane

Gjatë takimit po vihet theksi mbi elementët tipike të bashkësive indigjene, veçanërisht të quilombolas, njerëz që jetojnë me bujqësi familjare ose gjenden në kampe të përkohshme, peshkatarë, punëtorë urbanë, gra artizanale, emigrantë dhe emigrante, që e bëjnë të larmishëm popullin brazilian. Delegacionet e përfaqësuesve nga rajonet Veriore, Verilindore, Midperëndimore, Jugore dhe Juglindore u kujtuan në lidhje me biomet e tyre (Amazon, Caatinga, Cerrado, Pantanal, Pampa dhe Pylli Atlantik) dhe  prirjen e tyre historike për luftë dhe rezistencë popullore. Ipeshkvi i dioqezës së Rondonópolis-Guiratinga, Imzot Maurício Jardim, kujtoi paraardhësin e tij, Juventino Kestering, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar. Një pankartë e madhe në kujtim të tij u shpalos para publikut me një nga frazat, a urimet e tij simbolike: "Shëndet të sëmurëve, gëzim të pikëlluarve, shpresë të pashpresëve".

20 korrik 2023, 12:07