Kërko

Meshtarë Meshtarë

Tweet i Papës për meshtarët: t’i kërkojmë Zotit një zemër të ngjashme me të tijën

Në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, kremtohet edhe Dita e lutjes për Shenjtërimin e Meshtarëve, themeluar nga shën Gjon Pali II. Çast meditimi dhe reflektimi për t’u kujtuar priftërinjve se janë në shërbim të popullit të Zotit, të frymëzuar nga dashuria e Krishtit. Papa Françesku fton t’i lutemi Hyjit, që meshtarët të kenë një zemër të ngjashme me atë të Krishtit

R.SH. - Vatikan

 “Në këtë festë e në këtë muaj kushtuar Zemrës së Krishtit, t’i kërkojmë Zotit të na e bëjë zemrën të ngjashme me të tijën e të jemi mjetet e tij, që Ai të ‘kalojë, duke u bërë mirë’ të gjithëve”: ky tweet-i i Papës Françesku, i sapodalë nga spitali, në solemnitetin e Zemrës së Krishtit, që njëkohësisht, është edhe Dita e lutjes për shenjtërimin e klerit, themeluar nga Papa shenjt Gjon Pali II, në vitin 1995.

“Kjo ditë i ndihmoftë meshtarët të jetojnë në përkim gjithnjë e më të plotë me zemrën e Bariut të Mirë", shkruante Papa polak, në letrën drejtuar meshtarëve të Enjten e Madhe të 25 Marsit 1995, me të cilën e themeloi këtë kremtim. Jo më kot zgjodhi Solemnitetin e Zemrës së Krishtit. Shpresonte që kjo lidhje t’u kujtonte njerëzve të Zotit se duhet të kultivojnë në zemra “dëshirën e madhe për shenjtëri”, duke ecur në udhën e atyre, që bëhen të ngjashëm me Krishtin, në shërbim të grigjës, që u është besuar. “Atëherë – nënvizonte Papa Wojtyla – meshtaria jonë do të ruhet në duart e tij, madje, në zemrën e tij”.

Lutja e bën meshtarin të tillë

Ndër thëniet e shumta për meshtarinë, në magjisterin e gjatë të Shën Gjon Palit II, është edhe një pjesë nga libri: “Dhuratë dhe mister. Ditari i një prifti”, botuar në vitin 1996. Në të, përmendet vazhdimisht shenjtëria e meshtarit, “dëshmitar dhe vegël e mëshirës hyjnore”, që ka gjithnjë nevojë për lutje. “Lutja – nënvizonte Gjon Pali II – buron nga shenjtëria e Zotit dhe njëkohësisht, është përgjigjja për këtë shenjtëri”.

“Krishti ka nevojë për meshtarë të shenjtë! Bota e sotme kërkon meshtarë të shenjtë! Vetëm një prift i shenjtë mund të bëhet, në një botë gjithnjë e më të shekullarizuar, dëshmitar transparent i Krishtit dhe i Ungjillit të tij”, theksonte Papa, me fjalë thellësisht aktuale.

Shenjtëria, në ditët e sotme

Më 4 gusht 2019, edhe Papa Françesku u dërgoi një Letër meshtarëve, me rastin e 160-vjetorit të Famullitarit të Ars-it, shën Gjon Maria Vianej, pajtor i priftërinjve të mbarë botës. “I drejtohem secilit prej jush – pohonte Papa – që, në shumë raste, pa u dukur e me vetëmohim, në lodhje, në sëmundje a në dëshpërim, e kupton misionin si shërbim ndaj Zotit dhe popullit të tij, prandaj, pavarësisht nga vështirësitë, shkruan faqet më të bukura të jetës meshtarake”.

Ndërkaq, në Nxitjen Apostolike “Gaudete et Exsultate”, kushtuar thirrjes për shenjtëri në botën bashkëkohore, Ati i Shenjtë shpreh mirënjohjen për popullin e Zotit, që i mbështet meshtarët në rrugën e tyre: “Falënderojmë për shenjtërinë e popullit besnik të Hyjit, që na është besuar e përmes të cilit Zoti kujdeset edhe për ne, duke na bërë dhuratën e kundrimit të këtij populli ‘në prindërit, që i rrisin fëmijët me dashuri; në burrat e gratë, që punojnë për të sjellë bukën në shtëpi; në të sëmurët; në murgeshat e moshuara, që vazhdojnë të buzëqeshin. Në këtë qëndresë për të ecur përpara ditë pas dite, shoh shenjtërinë e Kishës militante’. Ta falënderojmë Hyjin për secilin dhe të ndihmohemi e të inkurajohemi nga dëshmia e tyre”.

“Nuk do t’ju quaj më shërbëtorë, por miq”

E Solemniteti i sotëm i Zemrës së Krishtit na kujton edhe se meshtari mbështetet fuqimisht nga hiri i Tënzot. Zemra e Krishtit është simboli i dashurisë për shpirtrat. Para saj, vijnë menjëherë në mendje fjalët: “Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh” (Mt 11,28) . Atëherë meshtari e ndjen se duhet, se pritet si mik: “Nuk do t’ju quaj më shërbëtorë, por miq” u thotë Krishti meshtarëve e apostujve të tij; e atëherë meshtari ndjen se e kuptojnë edhe kur është krejt i vetëm, ndërsa përpiqet të komunikojë vlerat në një shoqëri të shekullarizuar, ku zëri i tij shpesh humbet mes zhurmave. E kjo për të është shkolla, ku merr mësimin e dashurisë baritore, për t’u bërë ai vetë strehë e shpirtrave.

16 qershor 2023, 13:03