Kërko

Specola Vaticana, Françesku: mos u ndalni veç në llogari, por mahnituni nga pafundësia

Në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve në Shkollën verore të Astrofizikës, në Observatorin e Vatikanit, Papa i fton të shmangin tundimin për të kërkuar vetëm përgjigjet që priten, por të mbajnë mendjen hapur për risitë, që u rezervon pafundësia

R.SH. – Vatikan

Nëse shohim "hënën dhe yjet që [Ti o Zot] i ke fiksuar" në qiell, çfarë është vallë njeriu “që të kujdesesh për të"? Fjalët e një psalmi të lashtë janë dëshmi e faktit se "pafundësia e universit ka qenë gjithmonë burim mahnitjeje”, hapësirë ​​që "mund të duket sikur po na bie mbi kokë, e frikshme nganjëherë". Por njëkohësisht, edhe tejet tërheqëse, sidomos falë teknologjisë, që arrin të shqyrtojë edhe distancat më të largëta e gjithnjë të reja, të cilat dukeshin të paarritshme më parë. Në mesazhin e sotëm drejtuar pjesëmarrësve në Shkollën verore të Astrofizikës, në Observatorin e Vatikanit (Specola Vaticana), Papa argumenton me një këndvështrim ndërmjet fesë e shkencës.

Mos u kënaqni kurrë, derisa të mahniteni nga e papritura

Vetëm mjetet teknike, u kujton Ati i Shenjtë studentëve të ardhur nga e gjithë bota, nuk mjaftojnë për ta kuptuar universin. Cilësia e rezultateve varet sidomos nga "analiza e artizanit" dhe nga aftësia për ta pranuar të papriturën, që del nga vëzhgimet. “Një tundim i madh, si në shkencë, ashtu edhe në filozofi”, nënvizon Françesku, “është përpjekja për të arritur vetëm përgjigjet që priten, por ne jemi në gjendje edhe të mahnitemi nga çdo risi e paparashikuar. Prandaj, dua t'ju them të mos kënaqeni me rezultatet e studimeve, derisa edhe ju të befasoheni prej tyre”.

Nxituni gjithnjë nga dashuria për të vërtetën

 Ky qëndrim nuk kalon vetëm “përmes dritares së astronomisë”, por edhe përmes realiteteve të rëndësishme si dhembshuria, dashuria dhe miqësia. “Gjëja më befasuese për këtë univers është se ai përmban krijesa si ne, të cilat janë të afta ta vëzhgojnë të mahnitur dhe t’i 'bëjnë pyetje’” vazhdimisht, thekson Papa, duke përmendur sërish psalmistin. “Kurrë mos e humbisni këtë ndjenjë mahnitjeje, si në punën tuaj kërkimore, ashtu edhe në jetë”, përfundon Ati i Shenjtë, “nxituni gjithmonë nga dashuria për të vërtetën dhe mahnituni nga gjithçka ju ofron çdo fragment i gjithësisë”.

20 qershor 2023, 11:56